Opozita: Nëse i tërhiqni nënshkrimet, do ta shihni se nuk e kemi qëllim pushtetin

Krerët e partive opozitare LVV – AAK- Nisma, seancën e sotme të mbajtur në një sallë të improvizuar në Kuvend, e quajnë si mbledhje ilegale të partive në pushtet.
Në një konferencë të përbashkët, pas ngjarjeve në Kuvend, ku disa prej deputetëve opozitarë hodhën sprej dhe gaz lotsjellës, krerët e këtyre tri partive, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, thanë se normalitet në skenën politike kosovare dhe në institucionet e vendit, nuk do të ketë pa tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet e fundit në Bruksel.
Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka mohuar deklaratat e pozitës se protestimi i partive opozitare ka për qëllim marrjen e pushteti. Ai ka thënë se këtë mund ta vërtetojnë nëse i tërheqin nënshkrimet nga marrëveshjet.
“Në takim diskutuam zhvillimet e fundit, ku konstatuam se sot ka pas një takim ilegal në njërën prej restoranteve të Kuvendit. Po shihet që nuk ka normalitet në vend pa tërheqjen e marrëveshjeve”, ka thënë kreu i LVV-së, Visar Ymeri.
Ndërsa i pari i Nismas për Kosovën, Fatmir Limaj ka folur për ftesat që prokuroria ua ka dërguar disa nga deputetëve opozitar për intervistim, duke thënë se organet e drejtësisë nuk duhet të bëhet instrument i politikës.
Limaj gjithashtu ka thënë se me veprimet që po i bëjnë, kanë për qëllim të mbrojnë shtetin.
“Dëshirojmë tu a bëjmë të qartë gjithë qytetarëve se jemi në një betejë për të mbrojtur Republikën. Kam ftes për Prokurorinë që të mos bëhet instrument i politikës, sepse ne jemi duke mbrojtur republikën dhe duhet ta kuptoje atë”.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan se pushteti merret me votë dhe jo me armë tha se sa i përket pushtetit, “vërtet se fitohet me votë, por këtu kemi të bëjmë me territore dhe ai mbrohet në çdo formë”.