Opozita në rrugë qorre

Autori:Avdyl Pajaziti

Në vend të argumenteve, janë thyer vezët këtë javë në Kuvend. Ato u hodhën nga deputetët opozitarë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa që në nisje të raportimit të tij për katër marrëveshjet e fundit me Serbinë.

Opozitarët i ikën ballafaqimit të argumenteve në këtë seancë plenare, e cila u shty për një ditë tjetër, shkaku që, pas aksionit kundër Mustafës, ata penguan fizikisht edhe zhvillimin e punimeve të mëtejme. Një seancë e ndërprenë edhe javën e shkuar.

Dhe, këtyre veprimeve dhe arsenalit të vezëve i kanë paraprirë edhe aksione të tjera, sikur gjuajtja në dy raste të ndara në drejtim të eskortës së kryeministrit, tentativa për të zhvilluar edhe aksione proteste në shtëpinë e tij në fshatin Prapashticë të Prishtinës, e edhe shfryrja e gomave të dhjetëra veturave qeveritare.

Paralelisht veprimeve, opozita përdor një diskurs të ri, të orientuar edhe në fyerje. Shembull i kësaj është edhe rasti kur Ramush Haradinaj e quajti “peder”, një term përçmues për meshkujt me orientim homoseksual, kreun e delegacionin kosovar që i udhëhoqi negociatat për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.

Veprimet janë dënuar nga institucionet shtetërore, ndërsa kanë marrë notë negative edhe nga shumë diplomatë të akredituar në Prishtinë.

Radikalizmi i opozitës shihet si pafuqi e saj për të konkurruar me ide në skenën politike, e njëkohësisht mungesë e alternativave kundrejt politikave qeveritare.

Vëzhgues të zhvillimeve politike thonë se do t’i kushtojë kjo më së shumti vetë opozitës. Po kështu, edhe se viktimizimi i kryeministrit mund ta mobilizojë rreth tij një pjesë të heshtur të elektoratit. Një alarm që japin, është edhe ai se armiqësia mund të bartet edhe në publik. /Koha Ditore/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-ne-rruge-qorre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala