Opozita në përkrahje të Agim Bahtirit

Autori:Gazeta Fjala

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, drejtuesi i grupit parlamentar, Glauk Konjufca, Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, si dhe deputeti Enver Hoti nga Nisma për Kosovën, kanë qëndruar të shtunën në Mitrovicë, me ç’rast u takuan me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, për t’u njohur më afër me zhvillimet e sotme që kanë të bëjnë me fillimin e punimeve rreth revitalizimit të urës kryesore mbi Ibër.

Visar Ymeri ka shprehur përkrahjen e tij dhe të opozitës për përpjekjet e kryetarit Bahtiri që ta mbajë komunën e Mitrovicës në kufijtë siç është paraparë me ligjin për kufijtë administrativ të Republikës së Kosovës.

Ai ka përsëritur dëmet që i shkaktohen vendit dhe qytetarëve në përgjithësi krijimi i ‘Zajednicës’.

“Natyrisht se me themelimin e ‘Zajednicës’, Kosova humb shumë, së pari humb një pjesë të rëndësishme të territorit e cila me themelimin e ‘Zajednicës’ vendoset nën kontroll politik të Serbisë. E dyta, humb resurset që janë brenda saj, duke filluar nga shkritorja e Trepçës që ndodhet në Zveçan, deri te liqeni i Ujmanit dhe burimet tjera ujore që janë vitale veçanërisht për rrafshin e Kosovës, pa ujin e të cilave nuk mund të kemi as bujqësi në rrafshin e Kosovës, nuk mund të prodhojmë as energji elektrike, e besa edhe vet kryeqyteti Prishtina nuk mund të ketë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Pra, këto humbje për Republikën e Kosovës janë jashtëzakonisht të mëdha, sepse zhvillimi dhe mirëqenia e Kosovës varen nga Mitrovica, veçanërisht nga Trepça”, ka thënë Ymeri.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka bërë të ditur se angazhimet e opozitës në këtë rast janë me theks tek ruajtja e unitetit të shtetit të Kosovës dhe mos ndarjes së saj. Sipas tij, qytetarët duhet të lëvizin të lirë dhe pa barrikada, transmeton Koha.net

“Kosova është unike dhe e pandarë, prandaj edhe këto angazhime tona janë në këtë kontekst, në mënyrë që të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve, të mos ketë barrikada, ndalim të qytetarëve në jetën e tyre, dhe po ashtu japim përkrahim në mënyrë që të realizojë qëllimin e qytetarëve të komunës së Mitrovicë s, po ashtu edhe të veriut të Kosovës ku qytetarët duhet të jetojnë në gjithë Kosovën njëjtë”, tha ai.

Ndërkaq, Enver Hoti, deputet i Nismas, duke potencuar se institucionet qendrore kanë braktisur në këtë rast komunën e Mitrovicës, tha se është shqetësuese edhe fakti se Qeveria nuk ka një program për kthimin e shqiptarëve të veriut në pronat e tyre.

“Është shqetësuese se si institucionet qendrore kanë braktisur komunën e Mitrovicës, e kanë lënë të vetmuar kryetarin dhe Kuvendin Komunal, dhe qytetarët e Mitrovicës. Ne shpresojmë shumë në vendosmërinë e kryetarit dhe institucioneve komunale, i mbështesim dhe i përkrahim fuqishëm në projektin e tyre për të vazhduar drejtë integrimeve tjera të Mitrovicës së veriut. Është shqetësuese se si nuk ka një program nga qeveria dhe një mbështetje për kthimin e njerëzve sa më shpejtë në pronat e tyre dhe të krijohet një lëvizje e lirë”, ka thënë mes tjerash Hoti, përcjell kosovapress.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar për mbështetjen e opozitarëve. Ai tha se bashkëpunimi në mes të qytetarëve në këto momente është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por bëri me dije se edhe gjatë këtyre 48 orëve, nuk është arritur nënshkrimi i memorandumit mes tij dhe kryetarit të veriut të qytetit, Goran Rakiq, që ka të bëjë me përcaktimin e kufijve të këtij qyteti.

“Është në interesin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë të mbizotërojë bashkëpunimi, të ulemi të bisedojmë dhe të ecim përpara… Unë jam i gatshëm dhe kam qenë i gatshëm të nënshkruaj kur të do kryetari Rakiq. Nuk kam biseduar këto 48 orë personalisht me të, por me ata të ndërmjetësimit po…sigurisht që ka shenja pozitive, ku nuk ka të drejtë askush të dal mbi planin e Ahtisarit”, ka thënë Bahtiri./Koha.net

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-ne-perkrahje-te-agim-bahtirit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala