Opozita ndërron qëndrim

Tri partitë opozitare LVV, AAK dhe NISMA kanë ndërruar qëndrimin, duke vendosur që të shkojnë në Kuvend, por të votojnë kundër amendamenteve që i hapin rrugë Gjykatës Speciale.
Opozita shprehet e bindur se Specialja nuk do t’i marrë 80 vota. Veteranët në anën tjetër, sot protestojnë kundër Gjykatës.
Një ditë para votimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, partitë opozitare ndërruan qëndrim, dhe vendosën që të shkojnë si bllok në Kuvendin e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e konsiderojnë më pragmatike pjesëmarrjen në seancë dhe barrikadimin kundër, sesa bojkotin parlamentar. Përveç votës kundër, ata nuk kanë deklaruar nëse do të ketë ndonjë veprim proteste brenda sallës së Kuvendit, por kjo nuk përjashtohet duke pasur parasysh praktikat në të kaluarën.
Deputeti i partisë Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se do të marrin pjesë në seancën e së premtes, ndërsa shprehet i bindur se këto amendamente nuk do të marrin 80 vota dhe rrjedhimisht kjo Gjykatë nuk do të mundë të themelohet.
Ndërsa në Vetëvendosje thonë se sot do të vendosin për koordinimin përfundimtar me bllokun opozitar rreth hapave që do t’i marrin për të kundërshtuar votimin në Kuvend të kësaj gjykate.
“Kemi kohë të vendosim përfundimisht se si do të veprojmë, nesër do të koordinohemi edhe me subjektet tjera opozitare… Ky votim duhet të dështojë, për të mirën e vendit”, ka deklaruar Selimi, dje në një prononcim për gazetën Zëri.