Opozita mund të përfundojë si Blloku

Autori:Gazeta Fjala

Deklarimi i tri subjekteve opozitare Lëvizjes Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën gjatë javës që po lëmë pas, se do të vepronin si opozitën e bashkuar për të kundërshtuar Qeverinë Mustafa-Thaçi, nuk ka shpresë se do të përfundojë më mirë se Marrëveshja e 10 qershorit e vitit të kaluar në mes të LDK, Vetëvendosjes, AAK dhe Nisma për tu bashkuar si një grup i vetëm politik me qëllimin për të qeverisur vendin. Kjo marrëveshje dështoi në dhjetor të vitit 2014, pasi që Isa Mustafa vendosi të bashkohet me Partinë Demokratike të Kosovës për të qeverisur me vendin.

Nga VLAN në VAN, opozita, sipas shoqërisë civile në vend, duket se nuk po gjen rrugën e duhur e mekanizmat e duhur për të kundërshtuar qeverisjen me vendin.

Edhe pse opozita është bashkuar, sipas Fidan Kalasë nga FOL, ajo dhe nuk po arrin të kuptojë atë që sipas tij është skenar i zëvendëskryeministrit Hashim Thaci, e të cilit po i bindet verbërisht kryeministri Isa Mustafa. Fitues, por “i pamoralshëm” sipas Kalasë, i situatës politike në vend është Thaçi.

Sipas tij marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel derivojnë nga ato të mëparshme e të nënshkruara nga Thaçi, prandaj shoqëria kosovare sipas tij po amniston dhe po justifikon Thaçi, duke bartur tërë fajin tek Mustafa.

Kalaja po ashtu vlerëson se opozita me qasjen që ka, nuk është e bashkuar dhe nuk mund të jetë e tillë derisa ka interesa individuale brenda saj.

Për Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike unifikimi i opozitës si një e vetme është i vështirë për të ndodhur,pasi ajo në legjislaturat e kaluara ka qenë e ndarë sa i përket çështjeve që tani janë bashkuar, dhe sipas tij një ndryshim i skajshëm i kursit nuk mund të jetë aq i madh sa po pretendohet.

Mirëpo kjo nuk është e vetmja arsye që sipas Korenicës ndan opozitën, pasi që mekanizmat që ajo përdor nuk janë të pranueshme njësoj për të gjitha subjektet politike që përbëjnë opozitën në Kosovë.

Se opozita nuk mund të jetë një zë i vetëm e thotë edhe Albert Krasniqi nga KDI, sipas të cilit kundërshtimet lidhur me mekanizmat që po përdoren për të kundërshtuar Marrëveshjet e Brukselit dhe vet Qeverinë nuk po gjejnë mbështetje brenda vetë subjekteve politike.

Ilir Deda ishte njëri nga deputetët e Vetëvendosje që disa herë pati kundërshtuar publikisht veprimet e subjektit të tij Vetëvendosjes në raport me mekanizmat që ajo ka përdorur për të kundërshtuar qeverinë Mustafa.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-mund-te-perfundoje-si-blloku/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala