Opozita: Ligjet për Specialen të mos kenë fuqi para verdiktit të Kushtetueses

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjykata Speciale, përkatësisht amendamenti 24 i Kushtetutës, dhe dy ligjet që i hapën rrugën krijimit të saj, do të hyjnë në fuqi më 15 shtator të këtij viti dhe tashmë duket se Gjykata Kushtetuese nuk do të japë verdiktin edhe për një kohë lidhur me kontestimin që opozita i ka bërë themelimit të kësaj gjykate.

Të paktën kështu nënkuptohet nga një përgjigje dhënë nga drejtori i Zyrës për media në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula për KosovaPress, i cili tha se lënda është duke u shqyrtuar nga ana e këtij institucioni dhe se brenda afatit kohor prej 60 ditësh Gjykata do të japë verdiktin e tij.

Ndërkohë në Vetëvendosje, subjekt ky i cili i ka prirë nismës për të kontestuar themelimin e Speciales, thonë se me vendimin që ka marrë presidentja e vendit Atifete Jahjaga për të dekretuar dy ligjet që kanë të bëjnë me Specialen paraqet një shkelje të dytë pas procedurave dhe përmbajtës së votimit të 3 gushtit, transmeton Kosovapress.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se Jahjaga me këtë dekretimi ka dëshmuar që nuk përfaqëson unitetin e popullit, por udhëhiqet nga ndikimet – qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare.

Duke marrë parasysh se ka mbetur edhe një ditë deri në hyrje n në fuqi të këtyre ligjeve, Haxhiu tha se, ndonëse nuk presin shumë nga vendimi që pritet të marrë Kushtetuesja, sërish i ka bërë thirrje këtij organi dhe gjyqtarëve që të reflektojnë.

Haxhiu po ashtu ka kërkuar në emër të subjektit të saj që këto dy ligje të dekretuara nga Jahjaga të mos kenë fuqi derisa të merret edhe vendimi i Kushtetueses lidhur me këtë çështje.

 

“Natyrisht tashmë hyrja në fuqi e këtyre projektligjeve po afrohet dhe ne si subjekt politik këmbëngulim që asnjë prej këtyre projektligjeve, ligjeve tashmë, që të mos zbatohen në praktikë… Si prijëse e këtij kontestimi në Gjykatën Kushtetuese nuk jam njoftuar ende se çfarë është duke bërë Gjykata Kushtetuese aktualisht. E njëjta ka kohë deri më 11 tetor që të nxjerr një vendim për lëndën që kemi dërguar… Natyrisht që për shkak te vendimeve të padrejta dhe jokushtetuese të Gjykatës Kushtetuese, kemi pak shpresë. Mirëpo kemi thënë edhe në kohën kur e kemi dërguar këtë çështje, është koha e fundit kur Gjykata Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të reflektojnë dhe të japin një vendim në përputhje me interesin e qytetarëve dhe vetë shtetit të Kosovës. Ne kërkojmë që ligjet që i ka dekretuar Jahjaga të mos kenë fuqi, pra të mos zbatohen derisa nuk e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.

Ndërkohë në subjektin e Ramush Haradianajt, në një përgjigje të shkurtër përmes emailit, thuhet se ky subjekt vazhdon të presë vendimin e Kushtetuese lidhur me Specialen dhe se nuk kanë se çfarë t’i shtojnë deklaratave të mëparshme.

Subjekti tjetër opozitar, Nisma për Kosovën, shpreson se Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë këtë amendament, dhe presin anulim të tërë procesit për themelimin e Speciales.

Nënkryetari i këtij subjekti Bilall Sherifi tha se gjyqtarët e Kushtetueses kanë para vetës një vendim të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen e tij.

“Nëse deputetët kanë qenë të nënshtruar presionin politik, një presioni diplomatik dhe nëse deputetët kanë arsye të mendojnë se ndoshta nuk është në kundërshtim me kushtetutën, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese këtë gjë e dinë shumë mirë, dhe nëse ata nuk i nënshtrohet ndonjë presioni, vendim tjetër përveç shfuqizimit të këtij ndryshimi kushtetues nuk mund të ketë. Ata duhet të jenë imunë ndaj presionit, duhet të jenë imunë ndaj këndvështrimeve politike kur ta trajtojnë këtë çështje. Ata duhet thjeshtë të ndjekin vetëm një parim, atë juridik, a është në përputhje me Kushtetutën apo jo”, tha Sherifi.

Gjykata Kushtetuese afatin ligjor për të dhënë vlerësimin e saj lidhur me kontestimin e bërë nga opozita për amendamentin 24 që i ka hapur tashmë rrugën krijimit të Speciales e ka deri më 11 tetor./Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-ligjet-per-specialen-te-mos-kene-fuqi-para-verdiktit-te-kushtetueses/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala