Opozita: “Ka përfunduar demokracia”

Autori:Avdyl Pajaziti

Liderët e tri partive opozitare i kanë shpallur përfundimisht të vdekura marrëveshjen për Asociacionin me Serbinë dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Pas një takimi më shumë se dy orësh, të zhvilluar të dielën pasdite, drejtuesit e “Vetëvendosjes”, të AAK-së dhe të Nismës kanë thënë se pas “sulmit” në zyrat e VV-së ka marrë fund demokracia. Por në konferencën në të cilën gazetarët nuk u lejuan të bëjnë pyetje, ata nuk kanë treguar se cilat do të jenë veprimet e ardhshme, shkruan sot Koha Ditore.

“Dje ka ndodhur një ngjarje jo e mirë, jo e duhur. Janë sulmuar zyrat e punës, selia e një partie opozitare, veprim ky i paparë ndonjëherë. Demokracia më s’ka kuptim pasi mendimi ndryshe po shtypet me polici”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai ka shtuar se me gjithë goditjen që morën nga Qeveria, opozita është e bashkuar dhe e fortë.
“Marrëveshjet tashmë janë anuluar nga qytetarët dhe Qeveria përkundër arsenalit nuk mund t’i ngjallë këto marrëveshje”, ka thënë kryetari i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri.

Kurse Fatmir Limaj ka deklaruar se duke parë pjesëmarrjen masive në manifestimin e opozitës, “nga nervozizmi dhe tmerri përfundimisht pushteti e shfrenoi veten, duke shtypur dhe burgosur opozitarët”.

Një ditë pas protestës së opozitës, e cila përfundoi e qetë, por përshkallëzoi kur policia shkoi në zyrat e “Vetëvendosjes” për ta arrestuar deputetin Albin Kurti, kanë reaguar krerët institucionalë, si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-ka-perfunduar-drmokracia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala