Opozita injoron ambasadorët e QUINT-it

Opozita kosovare nuk do të tërhiqet nga vendimi për bllokimin e Kuvendit, pavarësisht kritikave të vazhdueshme që po i merr nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it. Madje, opozitarët thonë se kërkesa e ndërkombëtarëve për zhbllokimin e Kuvendit është e arsyeshme, por, sipas tyre, një gjë e tillë varet tërësisht nga tërheqja e Qeverisë së Kosovës prej marrëveshjeve për Asociacionin dhe për Demarkacionin.
Një nga kritikuesit e mëdhenj të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës është edhe ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, i cili në urimin e tij për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ka kërkuar që të hiqet dorë nga bllokimi i punës së Kuvendit dhe nga përdorimi i dhunës. “Më duhet të shpreh shqetësimin tim për situatën aktuale politike. Së pari dhe gjithmonë dhuna nuk ka vend në politikë, shkruan “Zëri”.
Opozita ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e veta dhe ato të dëgjohen nga Qeveria. Por gazi lotsjellës dhe trazirat nuk kanë vend në sheshin publik dhe ato ndihmojnë dhe forcojnë pikëpamjet që do ta mohonin njohjen e Kosovës dhe prosperitetit që meriton”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Engel.
Në anën tjetër zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë dhe me Malin e Zi do ta bëjnë Kosovën shtet jofunksional, të ndarë etnikisht, me potencial për trazira e konflikte dhe pa perspektivë për zhvillim ekonomik e rrjedhimisht, sipas tij, kjo do ta bëjë të pamundur integrimin në Bashkimin Evropian. /Zëri/