Opozita i thotë “JO” thirrjes së Kadri Veselit

Autori:Avdyl Pajaziti

Partitë opozitare të cilat sot përmes një letre publike nga Kadri Veseli u thirrën për t’u ulur në Kuvend dhe për të dialoguar, nuk po e pranojnë thirrjen.

Madje, përmes një deklarate, Faton Topalli nga Vetëvendosje po e quan thirrje naive dhe përpjekje të dëshpëruar të kryeparlamentarit.

“Kjo letër nuk është e mirëpritur nga opozita, duke ditur rolin e Kadri Veselit në seancat e mëhershme, dhe letra nuk i përgjigjet kërkesave të opozitës së bashkuar. E kemi thënë edhe më herët: nuk ka kuptim të diskutojmë në Kuvend për marrëveshjet që po cilësohen nga Kryeministri si punë e kryer. Qeveria nuk po heq dorë nga marrëveshjet, as në këto momente kur Serbia po bën çmos që ta pengojë Kosovën në mekanizmat ndërkombëtarë”, thuhet në këtë deklaratë.

Në këtë deklaratë Topalli thotë se nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve të Kuvendit, “thuajse s’ka ndodhur asgjë”.

“Këtë po e bëjmë që ta shpëtojmë Republikën nga ndarja dhe disfunksionaliteti”, thuhet në këtë deklaratë.

Reputacionin dhe besueshmërinë në nivel ndërkombëtar, sipas kësaj deklarate, Kosovës më së shumti ia prish krimi e korrupsioni, në kokën e të cilit sipas Topallit qëndron vetë Kadri Veseli dhe politikanët e tjerë të pushtetit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-i-thote-jo-thirrjes-se-kadri-veselit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala