Opozita atakon në dy pika amendamentin për Specialen

Autori:Avdyl Pajaziti

Do të kontestohet të martën procedura e miratimit, por edhe përmbajtja e amendamentit kushtetues të miratuar javën e shkuar në Kuvend, me të cilin krijohet baza ligjore për themelimin e Gjykatës Speciale. Opozita do ta bëjë këtë, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë amendamentin.

I njëjti amendament ishte hedhur në votim edhe më përpara, por nuk kishte siguruar dy të tretat e votave të deputetëve, sa janë të nevojshme për të bërë ndryshime kushtetuese.

Pas kësaj, Qeveria e pati riproceduar në Kuvend amendamentin. Ndryshe nga siç kërkon procedura, ai qe hedhur në votim pa u dërguar paraprakisht në Kushtetuese, me arsyetimin se për përmbajtjen e tij njëherë ishte deklaruar Gjykata, shkruan ‘Koha Ditore’.

Por, opozita insiston se në këtë rast është shkelur procedura kushtetuese. Prandaj, tri deputete që u përkasin subjekteve opozitare, të martën në orën 11, kërkesën për rrëzimin e amendamentit do ta deponojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, i prin iniciativës.

Konsulta paraprake për përmbajtjen e kërkesës ka zhvilluar edhe me deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, dhe me atë të Nismës për Kosovë, Valdete Bajrami.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-atakon-ne-dy-pika-amendamentin-per-specialen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala