Uji si faktor esencial  i sigurisë

Autori:Avdyl Pajaziti

 

Për ujin dhe rendësinë e tij në jetën e njeriut shpesh thuhet, se ai sikurse religjioni apo ideologjia ka fuqinë që të lëvizë miliona njerëz. Dhe ska se si të jetë ndryshe kur duke iu nevojitur për pirje, gatim, ushqim, pastrim, punë, industri, transport, energji, e shkurt për çdo gjë, njeriut s’i mbetet gjë tjetër vetëm se të shkojë të jetoj aty ku ka ujë, por edhe të ikë nga aty nëse ka tepri të tij (vërshime).

Ka kohë që organizata ndërkombëtare relevante përfshirë edhe OKB tërheqin vërejtjen seriozisht për shqetësimet dhe brengat për rrezikun e mungesës së ujit në botë, e veçanërisht në rajone të caktuara. Ndër të tjera kjo ndërlidhet me ndryshimet klimatike, por edhe me faktorin njeri, përkatësisht moskujdesin, kontaminimin e burimeve dhe menaxhimin e keq ndaj këtij burimi esencial jetësor. Rritja e popullsisë botërore dhe revolucioni teknologjik në dekadat e fundit janë dy faktorët që morën tagrin e vet në raport me burimet e ujit. Rritja e kërkesës për uje është duke u bërë enorme nga dita në ditë. Në dekadat e kaluara u shënua rritje e trefishtë e popullsisë dhe rritje e gjashtëfishtë e kërkesës për ujë.

(Nuk duhet harruar se vetëm 2% e sasisë së përgjithshme të ujit në botë janë ujë i pijes).

Sot llogaritet se afër 1.8 miliardë njerëz në botë nuk kanë qasje në ujin e pastër. Shumë vatra krizash dhe qindëra konflikte e luftëra kanë ndodhur apo janë duke ndodhur pikërisht për shkak të burimeve të ujit. Parashikimet për të ardhmen janë të zymta, kështu që llogaritet se deri në vitin 2030  mbi 40 % e popullsisë botërore do të ketë mungesë të ujit. Sipas raportit më të ri të OKB , brenda 10 vitesh rreth 2.9 miliardë njerëz në 48 shtete do të përballen me mungesa serioze të ujit, fakt ky që mund të destablizoj dhe rrezikoj në themel ekzistencën e shumë shteteve. Në këtë drejtim qasja në ujë do të jetë qështje fundamentale jo vetëm e zhvillimit dhe prosperitetit por edhe e paqes. Mungesa e ujit jo vetëm se acaron konfliktet regjionale por ajo në instancë të fundit edhe pengon tmerrësisht zhvillimin ekonomik.

 

Po bëhet evidente se pa sigurinë e ujit stabiliteti nacional, ekonomik dhe shoqëror i çdo shteti është në rrezik të madh. Vlerësohet se kjo do të jetë kërcnim shumë serioz edhe i sigurisë globale. Kështu p.sh. shërbimet e inteligjencës së SHBA e konsiderojne mungesen e ujit si kërcnim të sigurisë globale në të njëjtën kategori me terrorzimin dhe armët e shkatrrimit në masë.

Shumë shtete sot kanë probleme të mëdha e të paprecedent me mungesa të ujit, por vetëm disa punojnë drejt zgjidhjes, të tjerat janë duke e neglizhuar problemin e i cili mund t’u kthehet si bumerang.

Në këtë drejtim qeveritë e vendeve të ndryshme (sidomos atyre të zhvilluara) kanë ndërmarëë veprime konkrete duke hartuar dokumentet afatëgjata strategjike rreth furnizimit me ujë përfshirë këtu menaxhimin e burimeve e të rezervave ujore duke e vendosur atë si prioritet të lartë, dhe duke përcaktuar mënyrat e mbrojtjes së tyre dhe shfrytëzimin e tij me nikoqirllëk. Kështu duke prezantuar strategjinë e shtetërore  të furnzimit me ujë në një konferencë ndërkombëtare në Dubai, qeveritarët e këtij shteti deklaruan se për Emiratet e Bashkuara Arabe aktualisht uji është më i rendësishëm se sa nafta!

Vendete e pazhvilluara në anën tjetër kanë qasje reaktive e joefikase sepse ekonomitë e tyre bazohen në industritë ekstraktive sikurse që është ajo e thëngjillit e cila pastaj i kontaminon edhe ato pak burime uji.

Rasti më i freskët i situatës serioze të mungesës  së ujit dhe pasojave që rrjedhin nga kjo është Kalifornia (edhe NASA në fotografitë nga hapsira kishte alarmuar për shterrjen e burimeve nëntoksore ujore). Viti i kaluar ishte ndër 3 vitet më të thata në 120 vitet e fundit. Se në qfarë situate është Kalifornia tash dëshmon edhe shpallja e gjendjes emergjente dhe urdhëresa për shkurtimet drastike të furnizimit, restriksione këto të parat në historinë e shtetit. Natyrisht u shënua edhe rritje çmimesh.

Konsiderohet se ky është kolapsi më i madh deri më sot në botë i furnizimit me ujë, dhe nuk po hezitohet të quhet kriza epike e ujit. Paralajmërimet më të reja nga NASA dëshmojnë se rezervat e ujit aty nuk mjaftojnë më shumë se për 12 muajt e ardhshëm. Nuk është se viti i kaluar ishte më i thati ndër dekada, por shkecëtarët tërheqin vëmendjen se vendi mund të hyj në një periudhë tjetër të gjatë thatësie që mund të zgjatë me dekada.

Kjo situatë serioze ndikoi që të fillojnë diskutime e debate të ndryshme. Kështu p.sh. u bënë analiza rreth mesatares së shpenzimit të ujit, madje edhe sipas kategorive të njerëzve. U bë e ditur se shpenzimet e ujit varirojnë nga rajoni në rajon dhe nga qyteti në qytet, (260 litra/kokë banori/ditë në qytetet më të varfëra deri në 550 litra në qytetet e pasura). Tensionet që kanë filluar të paraqiten kanë edhe karakter social me konotacione të pabarazisë, pasi që po akuzohen shtresa më e pasur për harxhime enorme të ujit.” Të pasurit jetojnë në izolim shoqëror, në izolim moral. Të pasurit thjesht harruan se në gjëra të tilla ne jemi bashkë të gjithë dhe nuk ka ndarje”, ka deklauar Qendra për Komunitete të Qëndrueshëm e Kalifornisë. Kur bëhet fjalë pra për një resurs jetik atëherë edhe gama e problemeve rritet përpjestimisht edhe në dimenzione të cilat në rastet tjera as që do të përmendeshin.

Dhe natyrisht duhet të jetë e qartë se kur kështu ndodhë në shtetin më të fuqishëm  amerikan dhe njërën nga ekonomitë kryesore të botës, që mund të përballoj shpenzime marramendëse krahasuar me vendet tjera, atëherë s’para duhen shumë analiza për të imagjinuar se çka do të ndodhë në vendet më të varfëra në rast të krizave identike. Këtu edhe do të duhej fokusuar vendim marrësit gjatë hartimit të politikave të sigurimit të ujit.

Në anën tjetër ka edhe shembuj të shteteve me resurse tejet të kufizuara të ujit, por të cilat falë punës bazuar në shkencë, teknologji dhe inovacion e kanë tejkaluar problemin me sukses. Rast i tillë është Izraeli, ku edhe përkundër faktit se gjendet në një regjion me klimë aride e burime të kufizuara uji  (madje edhe disa nga luftërat arabo-izraelite kanë pasur si shkaktar burimet e ujit), ka arritur që të mbuloj deficitin dhe të plotësoj nevojat e popullsisë jo vetëm për pije por edhe për industri e agrokulturë. Ata sot prodhojnë rreth 40% të nevojave me ujë përmes desanilizimit duke arritur që të kenë suficit të ujit. Izraeli sot është pioner i teknologjisë së desalinizimit të ujit në rang global, përkatësisht të përfitimit të tij nga uji i detit, dhe janë duke implementuar projektet e tyre anembanë botës si në Kinë, Indi, Australi etj.  Edhe përkundër kostos së lartë të kësaj teknologjie, izraelitët arritën që pas shumë hulumtimeve të krijojnë metoda dhe makina përmes të cilave kostoja e ujit nga desalinizimi të jetë shumë më e ultë se sa ajo  në vende tjera.

Kjo ishte edhe arsyeja që pas situates alarmante në Kaliforni u ftuan ekspertët dhe kompanitë izraelite për ndërtimin e impianteve të tilla përmes të të cilave uji i pijes do të sigurohej nga oqeani. Eshtë filluar projekti i ndërtimit të impiantit të desanilizimit të ujit në San Diego në vlerë prej rreth 1 miliardë dollarë, i cili pritet që do të përfundoj vitin e ardhshëm. Ky project do të sigurojë ujë të pijes për rreth 300 mijë njerëz.

Edhe në Kosovë do të duhej të rritet vetëdijësimi i të gjithëve rreth nevojës së planifikimit dhe menaxhimit më të mirë me ujin, burimet e tij, rezervat dhe problemet e kontaminimit të tij. Si vend me kapacitete jo adekuate ujëmbajtëse patjetër që kemi sfida në këtë drejtim. Zatën po shihet  se sa herë që ka  mungesë të të reshurave liqenet akumuluese nuk po mund të përballojnë nevojat për më tepër se disa muaj. Mu për këtë arsye angazhimi ynë do të duhej të reflektonte në përfundimin e pjesës së dytë të hidro-sistemit Ibër-Lepenc (përkatësisht segmentin e Lepencit), menaxhimin efikas të liqenit të Ujmanit, ndërtimin e liqeneve tjera akumuluese, dhe sidomos në mbrojtjen e ujërave nga kontaminimi. Strategjia energjetike e vendit për ndërtimin e termocentraleve të reja do të duhej vështruar edhe nga koherenca e kapaciteteve ujore në dispozicion pikërisht për shkak të konsumit enorm të ujit nga to. Kjo pasi që dihet mirëfilli se sot në botë sasi me e madhe e ujit te pijes shpenzohet per ftohjen e termocentreleve ne prodhimin e energjisë sesa në agrokluturë.

Rritja e mungeses se ujit në njërën anë si dhe rritja e vazhdueshme e kërkesës për të si duket po e vë  njerëzimin para dilemës hamletiane, se ku do ta përdorë ujin në të ardhmen: A do të shpenzohet për të ftohur termocentralet, apo për ta pirë atë. Një gjë është e sigurtë – nuk ka mundësi që të llogaritet për ta përdorur për të dyja qëllimet.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/uji-si-factor-esencial-i-sigurise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala