Teatri i Bashkimit i Edi Ramës dhe Isa Mustafës

Autori:Avdyl Pajaziti

Asgja ekonomike e substanciale nuk doli nga takimi i parë në Prizren i dy qeverive shqiptare. A ka me qenë edhe takimi i sotem vetëm nji teatër politik i Ramës dhe Mustafës?

Mizanskenimi, si në tavolinën rreth së cilës kanë me u ulë anetarët e dy qeverieve, ma shumë e anticipon si teatër sesa parlament. Nevoja e kryeministrit të Shqipnisë, Edi Rama, me u marr me mizanskena e teleisje të hapsinave ku mbahen takimet, u pa edhe kësaj here. Edhe pse, tavolina me flamur Europe, e vendosun mbi tepihun me flamur shqiptar, ma shumë duket si “gjenialitet” i ndonji trupe amatore prej Librazhdi sesa sugjerim i kryeministrit me dell artistik Edi Rama.

Keshtu pa shije, si teatër amator, ishte mizanskenue edhe skena në takimin e parë në Prizren, me folklorizem që ta çonte mallin e estetikës enveriane nga Kinostudio “Shqipëria e Re”.

Kjo “tavolinë historike” ma shumë flet për diçka tjetër: “qysh e mendon nji kryeministër prej Shqipnije bashkimin e shqiptarëve”.

Aha, kjo s’asht tavolinë e thjeshtë, kjo asht “tavolinë historike”. Asht nji “tavolinë me mesazh”.

Po cili asht mesazhi që na e çon Edi Rama përmes kësaj tavoline?

Tevona, Edi Rama këtë mesazh na e tha edhe midis Prishtine. Por, njeriu me gjasë ndigjon veç çka ka deshirë me ndigjue.

Ashtu edhe si e tha në Prishtinë- të bashkuem në Europë.

Pra, cili qenka mesazhi i ripërsëritun i kësaj “tavoline historike” të Edi Ramës?

Se bashkim folklorik nuk ka. Nuk egziston asi ideje në Shqipni. Ajo që sot egziston asht kjo tavolinë e përbashkët, e lulueme me yje prej Europe, e cila ofrohet si nji erzac për Bashkimin e Andrruem.

Dhe nji autobus. Ku herë hypë qeveria prej Shqipnije, e herë kjo prej Kosove. Por asnjiherë dy qeveritë mbrenda nji autobusi!

Tavolina historike dhe autobusi veç me nji qeveri n’to, herë në linjën Tiranë- Prizren, e herë në linjën Prishtinë- Tiranë, kokan mesazhe të kodueme: Se Shqiptarët po u bashkohkan n’Europë!

Atëherë, pse krejt kjo pompë, krejt ky teatër i bashkimit? Pse nuk prezentohen këto takime të dy qeverive të dy shteteve si takime pune? Pse duhet me u vesh me prrallën për bashkimin e tavolinat mos me qenë tavolina, po “tavolina me mesazh”?

Nëse takimi i parë u desht me qenë teatër, pse duhet me vazhdue me teatër, si aludon kjo tavolinë?

Pse mos me folë për substancën e takimit, marrëveshjet e mungueme, 1000 e 100 probleme që janë egzistente në relacionin Prishtinë-Tiranë, jo vetem të autobusave, po të dy shteteve. (Ende s’po mun merremi vesh për patatet, e po bajmë “tavolina me mesazh”).

Dhe ka nji dallim substancial në emnimin si takim i dy “qeverive shqiptare”. Ky asht takim i dy kryeministrave shqiptarë, që u prijnë dy qeverive të ndryshme. Po flasim për nji qeveri shqiptare dhe nji qeveri qytetare. Për nji shtet kombëtar dhe nji shtet qytetar.

Qe nji arsye e madhe për nji takim të radhës mes dy qeverive të dy shteteve: Inkompatibiliteti i bashkimit të nji shteti qytetar me nji shtet kombëtar?

Apo ndoshta Edi Rama e Isa Mustafa kanë nji përgjigje tjetër në këtë çashtje në formën e naj “tavoline” apo “autobusi”?

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/teatri-i-bashkimit-i-edi-rames-dhe-isa-mustafes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala