Si të shkruajmë: “axhendë” apo “agjendë”?

Autori:Zekirja Shabani

Kush ka ndjekur me vëmendje gjuhën e shkruar të zyrtarëve të Shqipërisë dhe të atyre të Kosovës, ka mundur të vërejë se të parët shkruajnë “axhendë”, kurse të dytët “agjendë”.

Me çfarë kuptimi po përdoret kjo fjalë dhe a ia kemi nevojën?

Fjalën “axhendë” nuk e përmbajnë fjalorët normativë të gjuhës shqipe. Kjo fjalë po përdoret kryesisht me kuptimin “një varg çështjesh apo veprimesh, që planifikohen për t’u diskutuar në një mbledhje apo për t’u kryer në një veprimtari”.

Me këtë kuptim, fjala “axhendë” në gjuhën shqipe dublon një fjalë ekzistuese të huazuar prej kohësh – fjalën “program”. Jo se nuk bën të përdoret fjala “axhendë”, sepse duhet të kemi parasysh nevojën jetësore që shkruesit e folësit ndiejnë për mjete të reja shprehëse e për t’iu larguar klisheve, por është mirë të alternohet shpesh me fjalën “program”, qoftë edhe si për t’i kujtuar lexuesit/dëgjuesit se ka edhe një mundësi tjetër shprehjeje.

“axhendë”  apo “agjendë”?

Në ndërkohë që fjalorët normativë të shqipes nuk e përmbajnë, këtë fjalë, siç u përmend, në Shqipëri e shkruajnë kryesisht “axhendë”, kurse në Kosovë gjithnjë “agjendë”.

Pse njëra formë dhe tjetra?

Forma “axhendë” që përdoret në Shqipëri  përputhet me  shqiptimin anglez dhe atë italian, kurse forma “agjendë” e përdorur në Kosovë shkon në analogji  me një varg huazimesh të tjera të futura në shqipe prej kohësh e të rregulluara sipas tipareve të gjuhës sonë, si agjent,agjenturë…

Pra, mbetet në dorën e gjuhëtarëve, më saktë, të planifikuesve gjuhësorë që të vendosin në bazë të kriterit të përputhjes së shqiptimit ndërgjuhësor ose në bazë të kriterit të analogjisë brendagjuhësore, për ta kodifikuar njërën  formë të fjalës nëpër fjalorë normativë.

Them që të vendosin në bazë të kriterit dhe jo në bazë të masës së përdorimit, sepse këto dy forma tashmë i kanë të ndara tokat e përdorimit.

Dy format e kësaj fjale  karakteristike për përdorimin zyrtar, flasin mjaft sa ka komunikim ndërinstitucional Shqipëri-Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/si-te-shkruajme-axhende-apo-agjende/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala