Shëndetësisa: në mes nevojave dhe realitetit

Autori:Zekirja Shabani

Para ca ditësh u shënua dita botërore e shëndetësisë, dhe së paku kjo është një rast për të reflektuar për gjendjen e saj. Nga njëherë duke folur dhe synuar vazhdimisht drejt një zhvillimi të hovshëm ekonomik, standardi të jetesës e mirëqenies sikur harrohen ose anashkalohen aspekte tjera të rendësishme të jetës, e të cilat në fakt janë pjesë e faktorëve të cilët edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë në një formë ose tjetër e përbëjnë edhe vetë zhvillimin ekonomik.

E padyshim njëri nga këta faktorë eshtë shëndetësia. Kjo jo vetëm për faktin se një popullsi e shëndoshë, e mirë ushqyer dhe me kujdes kualitativ shëndetësor është e aftë për punë, zhvillim, prosperitet e produktivitet, por edhe për atë se si e tillë ajo do të shpenzojë më pak në kurimin e sëmundjeve. Në aspektin e kostos kujdesi shëndetësor është pjesë e jetës ekonomike te nje vendi.

Për të vlerësuar gjendjen e përgjithshme shëndetësore të një shteti përllogariten një numër indikatorësh të njohur si indikatorët e shëndetit. Keshtu nje hulumtim i bërë nga 24/7 Wall St (dhe i publikuar edhe nga OECD) në vigjilje të Ditës Botërore të shëndetesisë ka bërë rangimin e shteteve sa i përket cilësisë së shëndetit, jetës, mbrojtjes dhe të shërbimeve  shëndetësore. Sipas ekspertit të politikave të shendetësisë në OECD, G. Lafortune, mënyra më e mire për të matur shëndetin e një kombi është gjatësia e pritur e jetës së njeriut.

Mirëpo, përveç kësaj janë edhe një vistër faktorësh tjerë të cilët duhet pasur parasysh për të kuptuar në thelb gjendjen shëndetësore të një kombi. Kështu p.sh. shkalla e përhapjes së sëmundjeve është e lidhur drejtëpërdrejtë me sistemin shëndetësor dhe infrastrukturën, (ku qasja në ujin cilësor të pijes është e rendësisë esenciale në pengimin dhe parandalimin e sëmundjeve).

Mirëpo, megjithatë faktor determinues i shëndetit të një kombi është niveli i shpenzimeve të bëra për kujdesin shëndetësor. Shtetet me gjendjen të mirë të shëndetit në botë, shpenzojnë mbi 2000 $ në vit/kokë banori, (mestarja globale është rreth 1000 $), përderisa shtetet me gjendjen më të vështirë shëndetësore në botë shpenzojnë më pak se 100 $/vit/kokë banori. Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se shpenzimet e larta për kokë banori nuk janë i vetmi faktor për të garantuar sukses në mbrojtjen shëndetësore. Kjo për arsye se përveç parave të shpenzuara bëhet fjalë për rrethana specifike të shteteve si p.sh. organizimin kombëtar, mentalitetin, efikasitetin dhe efektivitetin e shpenzimeve, sigurimet shëndetësore, praktikat institucionale, mënyrën e qeverisjes etj.

Po japim më poshtë (sipas publikimit të lartëcekur) për krahasim dy tabela (e para me 5 shtetet me shëndetësinë më të mire në botë, dhe tabela e dytë me 5 shtetet me gjendjen më të rendë), ku janë analizuar këta katër indikatorë: (jetëgjatësia e pritur, mortaliteti i fëmijëve në 1000 lindje të gjalla, shpenzimi në shëndetësi për kokë banori dhe përqindja e papunësisë). Mirëpo natyrisht që gjatë përpilimit të ranglistës  përveç këtyre katër indicatorëve mirren parasysh edhe faktorët tjerë të sistemit shëndetësor, masat ekonomike, numri i mjekëve në 1000 banorë etj.

Pesë shtetet e para në botë:

Shteti Jetegjatesia e pritur (vit) Mortaliteti i femijeve (ne 1000 lindje te gjalla) Shpenzimi ne shendetesi per koke banori ($) Përqindja e papunësisë
1.Katari 77.6 7.0 2029 $ 0.5 %
2.Norvegjia 79.5 2.3 9055 $ 3.5 %
3.Zvicra 80.6 3.6 8980 $ 4.4 %
4.Luksemburgu 79.1 1.6 7452 $ 5.9 %
5.Japonia 79.9 2.1 4752 $ 4.0 %

 

Siç shihet këtë vit Katari zë vendin e pare në botë për gjendjen më të mire duke iu falenderuar sistemit shëndetësor, çasjes dhe masave ekonomike. Poashtu ka 7.7 mjekë në 1000 banorë (që është më së shumë se çdo shtet tjetër në botë), miëpo ky shtet ka poashtu ka shkallë të ultë të mortalitetit (1.4 vdekje në 1000 njerëz).

Pesë shtetet e fundit në botë:

Nr. Shteti Jetëgjatësia e pritur (vit) Mortaliteti i femijeve (ne 1000 lindje te gjalla) Shpenzimi ne shendetesi per koke banori ($) Përqindja e papunësisë
1. Sudani 60.1 51.2 115 $ 15.2
2. Afrika Qendrore 47.7 96.1 18 $ 7.6
3. Jemeni 61.6 40.4 71 $ 17.4
4. Mauritania 59.9 67.1 52 $ 31.0
5. Guinea-Bissau 52.5 77.9 30 $ 7.1

 

Siç shihet Sudani është ranguar si shteti me rezultatet më të këqija, dhe përveç tjerash kjo ka rrjedhur si pasojë e gjendjes së rendë në këtë shtet për një kohë të gjatë.

Duke krahasuar politikat shëndetësore të shteteve të ndryshme në botë, rezultatet e arritura dhe kualitetin e jetës, vërehet qartë se me qfarë prioriteti trajtohet shëndetësia në kuadër të politikave të përgjithshme.

Në këtë kuadër, normalisht se të gjithë ne në Kosovë jemi mëse të interesuar për një shëndetësi sa më të avancuar dhe në shërbim të popullatës. Në debatet e shumta të përditshme diskutohet për problemet, sfidat dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato. Dhe emërues i përbashkët i tyre (pavarësisht se nga kush bëhen) mund të thuhet që është kualiteti i shërbimeve, shpenzimi i lartë i shtetasve tanë për shërim jashtë vendit, diskrepancat dhe jokoherencat në mes sektorit public dhe atij privat të shëndetësisë, mos fillimi i zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore, emigrimi i punëtorëve shëndetsor jashtë vendit etj.

Eshtë e pakuptueshme se pse nuk u fillua këtë vit me fillimin e zbatimit të ligjit për sigurimet shëndetësore (ligji për të cilat së bashku me ligjet tjera esenciale si pako e reformës shëndetësore u miratuan gjatë mandatit të kaluar qeverisës). Ky ligj ofron bazën ndër të tjera edhe për përcaktimin e financimit të shëndetësisë, duke krijuar mundësinë që përveq mjeteve buxhetore edhe burimet tjera sikurse ato që do të grumbulloheshin në Fondin për sigurime të jenë në dispozicion të financimit duke e plotësuar kështu një zbrazëtirë evidente të plotësimit të nevojave.

Fondi për sigurimet shëndetësore do të ndikonte në ngritjen e nivelit të kualitetit të shërbimeve shëndetësore. Duke vënë në një rrafsh të barabartë sektorin privat me atë publik, ai do të stimulonte konkurrencën e cila në çdo rast dhe rrethanë është hapi i parë dhe vendimtar drejt rritjes së cilësisë se shërbimeve shëndetësore.

Sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe reformimi i sektorit do ta  rriste standardin, mirëqenjen, sigurine dhe kualitetin e jetës së shtetasve tanë, dhe si i tillë do të jetë gurthemel në politikat qeveritare ne sektorin social dhe shendetesor.

Janë fare mire të njohura raporte të organizmave të ndryshëm ndërkombëtar të cilët kanë ngritur shqetësimin për shpenzimet enorme të shtetasve të Kosovës jashtë vendit, (përmenden shuma të mëdha parash), të cilat në fund të fundit kanë edhe konsekuenca të konsiderueshme ekonomike, (nga pikëpamja ekonomike është I qartë ndikimi dhe efekti pozitiv nëse ato shërbime ose bile një pjesë e tyre po të kryheshin në Kosovë). Politikat shëndetësore do të duhej të kenë parasysh këtë element dhe ta vënë atë në relacion me projeksionet buxhetore duke mos u bërë pre e kufizimeve të caktuara byrokratike siq është p.sh. rritja e shpenzimeve apo e numrit të punëtorëve në sektor.

Eshtë fjala këtu për faktin e mirënjohur të “paradoksit të shëndetesise” (kur me rritjen e shpenzimeve rritet numri i të punësuarëve), se të dalurat për shëndetësinë konsiderohen si shpenzime, megjithatë në anën tjetër ato janë të hyra për të gjithë të punësuarit e sektorit të kujdesit shëndetësor.

Se a është  shpenzimi enorm i shtetasve tanë për shërim jashtë vendit shenjë  e mungesës së ekspertizës në vend, humbja e besimit në të, (apo dyja së bashku), shprehi, çështje preference personale etj, është çështje fundamentale që duhet zgjedhur me debate dhe analiza të bazuara jo vetëm nga profesionistët por nga të gjitha segmentet e shoqërisë. Shëndetësia jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen pa sasnjë dyshim është sferë shumë e rëndësishëm në jetë, pikërisht ashtu siq thoshte Emersoni, “Pasuria e parë e një kombi është shëndeti”!

(Autori është kolumnist i rregullt i Gazetës Fjala)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/shendetesisa-ne-mes-nevojave-dhe-realitetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala