Rusia për një “perestroïkë” të tregjeve të naftës

Autori:Avdyl Pajaziti

Krijimi i një burse ku nafta do të ishte në rubla do të kontribonte në stabilizimin e çmimeve – dhe do të forconte pozicionin e Moskës, shkruan revista ruse Rossia v Globalnoï

Saïd Gafourov

Duke analizuar shkaqet e rënies së çmimit të naftës, ne kemi shumë shpesh tendencën për të konsideruar mekanizmat e formimit të çmimeve si të pandryshueshëm. Megjithatë, nevoja për të reformuar sektorin ndihet qysh prej një kohe të gjatë dhe ekzistojnë zgjidhje që do të lejonin të fiksohej një çmim më të drejtë për të gjithë, shitësit si dhe blerësit.

Rusia është më mirë e vendosur për t’u bërë qendra e këtij tregu të ri. Ideja sipas së cilës ulja e luhatjes së çmimit do të ishte me një interes të madh për stabilitetin dhe forcimin e rritjes ekonomike të Rusisë po fiton terren. Çmimi i lartë është më pak problem, se sa ndryshimi i tij.

Ai mund të jetë i ulët, e rëndësishme është që çmimi të mbesë i qëndrueshëm.

Kjo nuk përfshin vetëm Rusinë, por edhe pjesën më të madhe të vendeve të globit, qofshin ato eksportues të mirëfilltë, apo konsumatorë hidrokarburesh.

Formimi i çmimeve të naftës, si për eksportin ashtu dhe për tregun e brendshëm, i nënshtrohet Bursave të huaja, sepse ai është përcaktuar në pjesën më të madhe nga strategjitë e spekullatorëve për “letrat e naftës” [kontratat me afat lejojnë të firmosura mbi bazën e parashikimeve të çmimit të naftës së papërpunuar].

Për më tepër, mungesa pothuaj totale e transaksioneve në rubël në tregjet ndërkombëtare dobëson kompanitë ruse të naftës, përballë konkurentëve të tyre. Kështu që sektori i hidrokarbureve të zhvillohet më mirë, është e domosdoshme të ndryshojnë rregullat në fuqi në vendet e bursave të specializuara (ICE në Londër dhe Nymex në Nju Jork) dhe t’i vihet fre aktivitetit spekulativ të tregtarëve të naftës, për shembull duke kufizuar efektin e levës për kontratat me afat [depozitimi i garancisë përfaqëson më pak se 10 % të vlerës së kontratës së blerë], por gjithashtu raportin midis volumit të pozicioneve të hapura [blerje apo shitje] dhe volumit real të naftës, numrit të transaksioneve të mbyllura nga një shitje efektive, etj. Megjithëse këto bursa janë të globalizuara, ato varen megjithatë nga rregulloret kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara.

Pra është e nevojshme të përfshihen të gjithë shtetet aktorë të tregut të energjisë në hartimin e instrumentave të rregullimit. Në fakt Rusia duhet të përdorë influencën e saj në nivelin më të lartë për të mbrojtur krijimin e një organi rregullues të përbashkët për tregun botëror të hidrokarbueve, me qëllim që të gjitha palët të jenë të përfaqësuara.

Eshtë veçanërisht urgjente të krijohet një paltformë ku shitja e naftës ruse do të mund të bëhej në rubla. E meta kryesore potenciale do të ishte mungesa e parasë “së lirë” të spekullatorëve, që i lejon kompanive të naftës, në sajë të bursave perëndimore, të pakësojnë në mënyrë të konsiderueshme shpenzimet e tyre.

Përkundrazi, mundësia për të shpejtuar arbitrazhet (për shëmbull në sajë të ndryshimeve të orareve) do të shkaktonte në mënyrë natyrore migrimin e një pjese të rëndësishme të masës financiare drejt këtij vendi të ri me rubla, me kusht që autoriteti monetar rus të garantojë funksionimin.

Paralelisht, shteti do të duhet të rregullojë këtë treg me të njëjtin nivel kërkese si për Bursat e Londrës, Roterdamit apo të Nju Jorkut, me qëllim që të evitojë rrëshqitjet dhe spekullimet mashtruese.

Në këtë kontekst, parësore është që Rusia të nisë një dialog të qëndrueshëm me OPEC-un, me objektiv që veprimi i tyre të jetë i koordinuar, me qëllim që të stabilizojë tregun botëror duke pakësuar volumet e naftës që mbërrin në këtë treg dhe duke krijuar mekanizmat juridike të nevojshme për këtë stabilizim.

Duhet gjithashtu të arrihet në një veprim të bashkërenduar me vendet eksportuese të pavarura (Kazakistani, Azerbajxhani, Norvegjia, Brazili), duke marrë masat për të diversifikuar valutat e përdorura dhe krijuar një “shportë valutash” për të forcuar interkonjeksionet në sektorin e naftës. Së fundmi është e rëndësishme të rriten rezervat e naftës dhe të produkteve të naftës me qëllim që të parandalohen ndryshimet e çmimit.

Por një nga pikat e para të një reforme të mekanizmave të formimit të çmimeve do të ishte krijimi i një tregu botëror të kontratave afatgjata midis prodhuesve dhe konsumatorëve, mbi bazën e çmimeve të stabilizuara dhe të rregulluara.

Avantazhet janë të qarta: më pak vartësi nga luhatjet e bursës, eliminim i pagesave spekulative për ndërmjetësit, dhe për të ulur kostot, si për konsumatorët, ashtu dhe për prodhuesit.

Rusia do të mund të luajë rolin logjistik të tregut fizik të naftës. Me pozicionin e saj gjeografik, ajo do të mund të sigurojë qarkullimin e naftës jo më në rrugë detare [cisterna], por tokësore [tubacione]. Për shembull, rrjeti i gazësjellësit Transneft, duke marrë naftën nga shumë prodhues, mundet ta transportojë drejt rafinerive të Azisë dhe të Evropës.

Një pikë tjetër e rëndësishme për një treg energjitik më të drejtë do të ishte që kursi i naftës bruto të mos i nënshtrohet më kursit të dollarit. Kuotimi i naftës në monedha alternative nuk është rentabël sot për tregjet kryesore botërore, dhe për rrjedhojë është e nevojshme të krijohen platforma në “pétroeuro” dhe në “pétrorubla”. “Pétro-rial” ekziston tashmë në Bursën ndërkombëtare iraniane të naftës së Teheranit, por për shkak të sanksioneve ekonomike të vendosura për Iranin dhe të vartësisë të këtij vendi nga valuta e huaj, nuk është operacionale dhe madje nuk ka influencë në tregun e brendshëm.  Sigurisht ky projekt kërkon një punë kolosale dhe rrezikon të ndeshë në rezistencë të fortë, por duhet filluar të punohet qysh sot.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/rusia-per-nje-perestroike-te-tregjeve-te-naftes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala