Rreth cilësisë së grurit

Autori:Zekirja Shabani

Një problem mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës, është cilësia e grurit të importuar nga Serbia e që lidhet edhe me industrinë e miellit dhe të bukës si produkt esencial për jetën e njerëzve.
Fjala është për importimin e grurit nga kompania “M & Sillosi”, e cila në bazë të dy kontratave të nënshkruara me një kompani nga Serbia, ka paguar çmimin e njëjtë si për ushqimin e kafshëve ashtu edhe për ushqimin e njerëzve prej 15, 5 cent për kilogram  të grurit. Tani shtrohet pyetja se nëse vërtet është grurë për ushqimin e kafshëve, përse është faturuar me çmim aq të lartë, dhe nëse si i tillë ka hyrë në Kosovë, ku është ai grurë, a është përdorur për ushqimin e kafshëve apo për ushqimin e njerëzve?

Sipas përfaqësuesve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në mbledhje të Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Inspektori fitosanitar, është thënë se “ne asnjëherë të vetme nuk kemi hasur në dokumentacion që është importuar grurë për ushqimin e kafshëve nga kjo kompani. Atëherë shtrohet pyetja, si është e mundur që mielli i bluar nga ky grurë i importuar të shitet me çmim 25-29 cent për kg, kur dihet se gruri për ushqimin e njerëzve i faturuar 15, 5 cent, e që duke ja shtuar shpenzimet e transportit dhe TVSH  arrin në çmimin 20 cent për kg. Ku është përfitimi ekonomik i kësaj kompanie? Apo, është varianti tjetër që gruri i importuar është deklaruar si grurë për ushqimin e kafshëve vetëm për t’iu shmangur TVSH prej 16% në hyrje, e në fakt është grurë për konsumin e njerëzve dhe pas bluarjes prapë eksportohet si miell duke nxjerrë 16% TVSH në dalje. Kjo formë e veprimit normalisht që shkakton invazion fiskal duke u favorizuar kompania në fjalë në vlerë prej rreth 70 euro për 1 tonë grurë, në raport me kompanitë e tjera.

Një favor tjetër që është krijuar është edhe ndryshimi tarifor për certifikata fitosanitare. Me parë tarifa për certifikatë fitosanitare ishte 75 euro për një maune qoftë grurë apo miell të importuar, tani është ndryshuar dhe për një maune me miell të importuar paguhet 175 euro,  ndërsa për grurë  vetëm 25 euro. Kjo masë ndikon në stopimin e importit të miellit dhe nxitjes së importit të grurit për t’u bluar me pastaj në mullirin e caktuar. Me këto forma të veprimit kompania e caktuar krijon monopol të plotë në importin e grurit, në industrinë e blojës dhe njëkohësisht humb interesin e fermerëve të Kosovës për prodhimin e grurit në Kosovë.

Kosova ka nevoje për 405 mijë tonë grurë për t’i përmbushur kërkesat e popullatës për ushqim. Ne i prodhojmë rreth 250 mijë tonë grurë ne Kosove, ndërsa sasinë tjetër prej 155 mijë tonë e importojmë kryesisht nga Serbia duke shpenzuar rreth 30 milionë euro në vit. Gjithashtu, ne shpenzojmë rreth 10 milionë euro për farë të grurit që po ashtu importohet nga Serbia.

Cilësia e një gruri për prodhimin e bukës varet nga përmbajtja e proteinave dhe cilësia e tyre. Gruri që ka përmbajtje me të ulet se 12% proteina dhe gruri që qëndron gjatë i deponuar humb cilësitë e tij për prodhimin e bukës cilësore. Këtë humbje të cilësisë prodhuesit e bukës mundohen ta kompensojnë duke shtuar aditivë të ndryshëm, të cilët po ashtu mund të jenë të dëmshëm për shëndetin e njeriut. Prandaj, kontrolli i cilësisë së grurit dhe produkteve të tjera ushqimore të importuara janë me interes nacional në sigurinë e shëndetit publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron që institucionet përgjegjëse duke filluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Instituti Bujqësor i Kosovës dhe Doganat e Kosovës të merren seriozisht me rastin e “M & Sillosit” dhe të sqarohet saktësisht se çka ka ndodhur me grurin e tyre të importuar dhe çka ka ndodhur me miellin i cili është refuzuar nga Shqipëria për shkak të cilësisë së dobët?

Prof.Salih Salihu, deputet dhe Drejtues i Komitetit per Bujqësi në VV, anëtar i Komisionit parlamentar për Bujqësi

Salih Salihu mban graden Profesor i asociuar
Ligjeron në lëndët për bachelor:
Përpunimi i drithërave dhe perimeve, Njohja dhe përpunimi i prodhimeve bujqësore.

Ligjeron në lëndët për master: Teknologji e përpunimit të drithërave, Shërbimet këshillimore, Biometrikë me statistikë.

Teksti është shkruar ekskluzivisht për Gazetën Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/rreth-cilesise-se-grurit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala