Rrëfimi për familjen e të burgosurit politik në moshën 2 vjeçare

Autori:Avdyl Pajaziti

Skënder Thaçi i takon të gjitha trojeve shqiptare. Është i lindur në Mal të Zi, ka origjinë nga Shqipëria, përderisa është rritur në Kosovë. “Jeta ime është një trekëndësh që tregon fatin tim, të familjes sime dhe simbiozën e të gjithë shqiptarëve”, thotë Skënderi. “Mund të më gjeni herë në Plavë, herë në Pukë, herë në Prishtinë. Por, të shumtën e kohës me gjeni në Rugovë, aty më pushon shpirti”.

Fati i familjes së tij ndryshoi pas luftës së dytë botërore. Ia kthyen pushkët njëherë fashizmit e pastaj komunizmit. Iu desh të ikin në Plavë të Malit të Zi. Aty lindi Skënderi. Por, as forcat jugosllave nuk i lan rehat. Ua rrethuan shtëpinë. Në luftimet që u zhvilluan, i mbeti i vrarë xhaxhai, përderisa babanë dhe tërë familjen ia burgosën. “Në burg ma vranë edhe babanë. I kisha pak më tepër se dy vjet. Isha i burgosuri më i ri politik në Jugosllavi”, tregon Skënderi.

Edhe familja e xhaxhait të tij e burgosën bashkë me ta.

“Aty më lindi edhe vajza e xhaxhait, të cilën e pagëzuam me emrin Burge”, thotë Skënderi. Ajo, tashmë jeton në rrethin e Krujës, ku është e martuar. Ditëlindjen e fundit, që përkiti edhe me 50 vjetorin e festoi pikërisht në hotelin Magra, pronë e Skënderit.

Burgu, në moshën kur njeriu fillon të njohë botën, e bëri të fortë Skënderin. Familja pas lirimit u shpërngul në Gjakovë. Ai ndau jetën mes qytetit të Dukagjinit dhe Prishtinës. Në moshë të re ishte ndër sportistët kulmor të vendit.

Kaloi disa vjet në Gjermani, ku punoi pa ndërpre.

Pas luftës, u orientua nga Austria. Sot, Skënderi përfaqëson investimet Austriake në Ballkan. Falë punës së palodhshme arriti të ndërtoi edhe hotelin e vetëm që i përmbush standardet në Bogë të Rugovës, Magra. “Ia vendosa emrin në bazë të austriakes Dr. Marianne Graf. I kemi borxh ne shqiptarët asaj”, thotë Skënderi, teksa eksploron emrin e hotelit, që për shumkë është i çuditshëm.

Ai hapi Magrën falë kredisë së butë nga shteti austriak, por me elemente krejtësisht shqiptare, sic është edhe vet. Kamarierët janë të veshur me veshje tradicionale shqiptare, njëjtë edhe ushqimet, tërësisht natyrale.

Ai, ka menduar tutje, për ‘t’i bërë mysafirtë të ndihen mirë’. “Ne e kemi qendrën kurative këtu, krejtësisht falas. Ndihmon në shërimin e dhjetëra sëmundjeve”, thotë Skënderi. Më e veçanta është ‘banja me sanë’, të cilën e merr në kodrën sipër, në lartësinë mbidetare 1500 metra. Ajo shërben për ndihmesë në zhbllokim të muskujve, kyçeve apo lirim të organizmit nga helmet e ndryshme.

Bashkë me to, ai ka hapur edhe një miniinfermieri. Si për shërbimet e para, si për të dytën, përkujdeset djali i tij mjek dhe shërbimet janë falas.

Si ata me probleme të ndryshme, si ata që shkojnë për qejf janë të mirëpritur.

“Këtu secili duhet të ndihet si në shtëpinë e vet. Nuk bën të ndihet assesi ndryshe”, thotë Skënderi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/rrefimi-per-familjen-e-te-burgosurit-politik-ne-moshen-2-vjecare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala