Pse Lugina e Preshevës duhet të kyçet në Dialogun e Brukselit?

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjatë historisë sonë kombëtare, ne shqiptarët kemi bërë shpesh gabime të mëdha politike, që realisht na kanë kushtuar shumë dhe na kanë shkaktuar dëme të mëdha, madje edhe të pariparueshme.

Njëri nga gabimet e tilla sot, me të drejtë cilësohet nga analistë dhe njohës të rethanave politike aktuale, është mospërfshirja e çështjes së shqiptarëve në Serbi në Dialogun e Brukselit, të cilët jetojnë kryesisht në Jug të Serbisë, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, që disa e quajnë Kosovë Lindore, kurse të tjerët Luginë e Preshevës. Ndërsa Serbia i quan “komuna në Jug të Serbisë”.

Moskëmbëngulja e Ekipit negociues të palës kosovare që edhe çështja e shqiptarëve të Luginës të përfshihet në këtë Dialog dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe sipas parimit të reciprocitetit me atë të serbëve të Kosovës, krijoi bindje të gabueshme në opinionin politikbërës ndërkombëtar, se Shqiptarët në Serbi, dmth në Luginë i gëzojnë të gjitha të drejtat kombëtare e njerëzore dhe nuk kanë kurrfarë problemesh me shtetin e Serbisë!

Ky veprim i gabueshëm i palës negociuese kosovare në Bruksel shkaktoi, pra, humbje balanci dhe krahasimi midis problemit të lirive dhe të drejtave kombëtare të Serbëve të Kosovës dhe atij të Shqiptarëve në Serbi, dmth në Luginë të Preshevës.

Është gabim i madh dhe absurd të mendohet se mund të mbrohet Mitrovica e veriu i Kosovës, si dhe tërësia territoriale e Kosovës nga rreziku serb për ndarjen e saj, pa mbështetjen e fuqishme të Luginës së Preshevës dhe pa vënë ekuilibër midis këtyre dy problemeve.

Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Nr. 04-R-011, të 6 qershorit 2013, në pikë 1. përcakton në mënyrë decidive obligimin që “Qeveria e Republikës së Kosovës të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë, me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe etnike;”

Ky “kushtëzim i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë” për çështjen e shqiptarëve të Luginës nuk ka ndodhur në asnjë rast deri më tani.

Pra, asnjëherë deri më tani pala kosovare nuk ka ngritur zërin për çështje të tëirive dhe të drejtave të shqiptarëve të Luginës, e aq më pak t’i kushtëzojë marrëdhëniet e saja me Serbinë lidhur me këtë problem!

Andaj, mbetet obligim shtetëror e kombëtar i Qeverisë që ta zbatojë këtë pikë të Rezolutës, e cila është obligative.

Gjithashtu, në pikën 6. të Rezolutës përcaktohet obligimi i vendosjes së parimit të reciprocitetit midis Serbëve të Kosovës dhe Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, “Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkoj reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në veri të Kosovës;”

Ndërkaq, Rezoluta në pikën 10 përcakton obligimin e Qeverisë për themelimin e Grupit ndërministror për implementimin e kësaj Rezolute, e cila parasheh edhe themelimin e Zyrës për Luginën në Prishtinë dhe Gjilan, që akoma nuk kanë ndodhur.

“Qeveria e Republikës së Kosovës të themelon grupin ndërministror për implementim që
përfshin edhe vizitën e mundshme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Ministrisë për Integrim Evropian”.

Pra, Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e 6 majit 2013 obligon Qeverinë për marrjen e hapave dhe veprimeve të domosdoshme për mbrojtjen vëllazërore të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, aq më parë kur për serbët e Kosovës janë siguruar të drejta maksimale, mbi të gjitha standardet ndërkombëtare.

Prandaj, mënyra më adekuate dhe më e përshtatshme e ndihmës vëllazërore të Kosovës ndaj tyre do të ishte përfshirja e tyre në Dialogun e Brukselit, si çështje e barabartë me atë të Serbëve të Kosovës.

Vetëm në atë mënyrë, pra duke e barazuar tërësisht çështjen e Serbëve të Kosovës me atë të Shqiptarëve të Luginës, do të sigurohej mbrojtja adekuate dhe e drejtë e çështjes së shqiptarëve të Luginës, kurse Kosova do vihej në pozitë më të volitshme, meqë do shpëtonte nga roli i saj defanziv në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, ku ajo është e bombarduar me kërkesa maksimale të palës serbe, pa i kushtëzuar fare me asgjë, meqë çështjet e diskriminimit ekstrem të shqiptarëve të Luginës nuk i përmend fare! Sikur të mos ekzistonin ata fare!

Kështu, në vend që të akuzohet Serbia për diskriminimin ekstrem dhe jonjerëzorë të shqiptarëve të Luginës, ajo paraqitet në rolin ofensiv ndaj palës kosovare, duke shtuar çështje të pafund në tavolinë të bisedimeve.

Pra, mund të konkludohet se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës doemos duhet të përfshihet në Dialogun e Brukselit, si çështje plotësisht e barabartë me atë të serbëve të Kosovës, që realisht do e përmirësonte pozitën negociuese të palës kosovare, si dhe do e acanconte dhe përmirësonte pozitën e lirive dhe të të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/pse-lugina-e-presheves-duhet-te-kycet-ne-dialogun-e-brukselit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala