Pse dështojnë kombet (2)

Autori:Zekirja Shabani

Autorët D.Acemoglu dhe J.Robinson në librin e tyre “Pse dështojnë kombet” i kushtojnë një vëmendje të veçantë edhe origjinës së prosperitetit dhe të varfërisë, përkatësisht të kuptuarit të tyre nga perspektiva e gjendjes së sotme të kombeve e shteteve. Diferencat e mëdha në zhvillimin që hasen sot anë e kënd botës shtrojnë pyetjen esenciale: A do të duhej të kishte vallë  diferenca të tilla kaq të mëdha dhe në përmasa të tilla? Pse, dhe si erdhi deri te kjo? Ç’bëri kombi I prosperuar dje, dhe çka bën sot ndryshe nga ai e zhytur në varfëri? Cilët janë shkaktarët e dallimit në mes kombeve të përparuara dhe atyre të dështuara?

A janë pra faktorët historikë, gjeografikë, kulturor apo etnikë ata që ndikuan që p.sh. sot SHBA, Kanadaja, Japonia, apo Evropa Perëndimore të jenë më të zhvilluara se sa shtetet e Amerikës Latine, ato të Afrikës Nën-sahariane apo të Azisë Juglindore? Pse p.sh Argjentina që në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX ishte një nga shtetet më të pasura të botës, madje e dhe më e pasur se Britania e Madhe nuk e mbajti këtë ritëm zhvillimor, dhe ku është sot Argjentina dhe pse? Për të dhënë përgjigje në këtë pyetje autorët përveç hulumtimeve dhe evidencave të shumta emirike punuan në teorinë, përmes se cilës përcaktohen faktorët që e krijojnë apo e vonojnë prosperitetin e një kombi. Ata ndoqën një rrugë tjetër për të shpjeguar konturat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe politik të kombeve në një periudhë të gjatë kohore që nga koha e revolucionit të neolitit e deri në ditët e sotme.

Teoria e tyre operon në dy nivele: I pari është dallimi në mes institucioneve politike dhe ekonomike ekstraktive dhe atyre inkluzive. Dhe niveli i dytë, shpjegimi se pse institucionet inkluzive u paraqitën p.sh. në një vend dhe jo edhe në vendin tjetër. Pjesa qendrore e teorisë është lidhja në mes prosperitetit dhe institucioneve ekonomike e politike inkluzive. Institucionet inkluzive zbatojnë të drejtat pronësore, krijojnë kushte të barabarta në treg, inkurajojnë investimet në teknologji të reja dhe në shkathtësi si dhe janë më shumë ndihmuese për rritjen ekonomike se sa institucionet ekstraktive të cilat dështojnë në të drejtat pronësore ose në stimulimin e aktivitetit ekonomik pasi që janë të përcaktuara në orientimin e resurseve nga shumica në duart e disave. Në raste të caktuara mund të ekzistojë një ndërthurje edhe në mes të instituconeve ekstraktive dhe zhvillimit ekonomik, sikurse është p.sh. rasti i Kinës. Mirëpo sipas autorëve rritja ekonomike nën institucionet ekstraktive nuk do t’i sigurojë rritje të qëndrueshme Kinës, (pavarsisht faktit se institucionet ekonomike kineze kane nje shkallë te konsiderueshme te inkluzivitetit, megjithate institucionet politike jane ekstraktive).

Eshte interesante nëse krahasohet p.sh. zhvillimi i Kinës dhe Anglisë ndër shekuj. K.shtu deri në shekullin e XV Kina kishte një zhvillim të hovshëm, dhe ajo ishte shtet udhëheqës në botë sa i përket zhvillimit në inovacionet teknologjike, ku falë kësaj edhe ishin bërë zbulime të shumta si: busolla, kompasi, baroti, ora, paraja nga letra, porcelani, shkritoret për hekur etj. Si rezultat i kësaj në atë kohë standardi i jetesës ishte së paku aq sa i Europës. Madje zhvilluan edhe një shërbim civil meritokatik. Mirëpo, të gjitha këto zhvillimi ndryshuan me ardhjen e dinastisë së re në pushtet e cila vendosi që të bëj ndryshime të mëdha, si p.sh. të ndalojë tregëtinë ndërkombëtare, të mos i mbështesë më inovacionet etj, meqenëse i frikësohej çdo ndryshimi. Natyrisht se në shekujt pasues kjo shkaktoi ngecjen e Kinës deri në shekullin e XX. E kundërta ndodhi në Anglinë e asaj kohe, e cila pas ndryshimeve të mëdha politike, ndarjen e fuqisë në parlament, fuqizimin e masave, zbatimin e ligjit, mundësitë e barabarta e zhvilloi demokracinë, gjëra këto që rezultuan me industrializim, zhvillim të hovshëm shoqëror dhe ekonomik, dhe një qark të tërë të zhvillimeve positive, duke mundësuar   hapjen duke e shtrirë ndikimin pothuajse në tërë botën. Dhe kjo rezultoi me prosperitet dhe zhvillim të kombit, që vazhdon edhe sot me ritme të pandalshme, duke iu falenderuar krijimit dhe funksionimit të institucioneve politike dhe ekonomike inkluzive.

E rendësishme është edhe se si një komb reagon në rrethana kritike, e kjo varet nga institucionet ekzistuese. Natyrisht se në të tilla raste pyetja  që shtrohet është se pse të mos ndrrohen institucionet ekstraktive. Mirëpo, kjo nuk është aspak e lehtë, kështu së fundmi u dëshmua edhe në Egjipt, kur në shkurt të 2011 Presidenti Mubarak u rrëzua nga pushteti. U mendua se institucioneve ekstraktive u erdhi fundi, por pavarsisht orientimeve demokratike të popullsisë, institucionet ekstraktive gjithmonë kanë tendencë që të rikrijohen në kushte dhe rrethana të reja. Një pyetje tjetër që  shtrohet nga autorët është: Nëse një komb në varfëri dhe mjerim e futi injoranca dhe padituria, atëherë ajo që do ta nxirrte nga aty do të ishte dija, e kjo natyrisht që sjell deri te pyetja tjetër se a mund të ndërtohet ose krijohet prosperiteti? Praktikisht në këtë relacion sipas autorëve sot funksionojnë edhe organizata të ndryshme ndërkombëtare si p.sh. FMN-ja, e cila thotë prerazi që mungesa e zhvillimit ose zhvillimi i pamjaftueshëm është i shkaktuar nga institucionet dhe politikat e këqija ekonomike, andaj gjithnjë vendeve të tilla në kuadër të rekomandimeve praktikisht iu përgatitë një listë me ndryshimet që duhet të bëjnë.

Autorët në tërë librin ofrojnë edhe shembuj konkret nga përvojat e shteteve të ndryshme. Kështu p.sh. përmendet rasti i Zimbabvesë si vend me institucione ekstraktive, dhe si rast përmendet kur presidenti R.Mugabe më 1995 vendosi të pranojë këshillat dhe kërkesat e faktorit ndërkombëtar që Banka Qendrore të bëhej e pavarur. Në vitin 1995 aty kishte një normë inflacioni prej 20%, më 2002 arriti në 140%, më 2003 gati 600%, më 2007 në 66000% për të kulmuar më 2008 në 230 milion%! (Kuptohet se pavarsisht se ai e deklaroi të pavarur Bankën Qendrore, megjithatë për të mbuluar deficitin e lartë buxhetor, ai e detyroi atë në shtypjen e parasë jashtë logjikës ekonomike). Fjala është për presionin që presidenti ushtronte ndaj guvernatorit, (guvernatori zimbabvean e dinte mirë se si “ra” nga kati më i lartë i ndërtesës homologu i tij në Sierra Leone. (Guvernatori i Bankës Qendrore në Sierra Leone që kishte kritikuar politikat  e shthurura të udhëheqësit të vendit Siaka Steven, dhe për pasojë u vra, dhe u hodh nga kati më i lartë i ndërtesës, (u hodh i vdekur për ironi mu në rrugën e emërtuar Siaka Steven).

Lufta për pushtet ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e historisë së civilizimeve njerëzore, dhe ato kanë ndodhur gjithandej në botë gjatë tërë kohërave, mirëpo autorët duke  i krahasuar ato në mes të kombeve të ndryshme vënë në pah   edhe ndryshimet rrënjësore, të cilat edhe mbollën ndër të tjerat ‘farën’ e gjendjes së sotme të prosperitetit apo të varfërisë qoftë. Kështu p.sh. lufta civile e Anglisë apo revolucioni i lavdishëm ishte i një natyre krejtësisht ndryshe (dhe falë tyre qysh gjatë shekullit të XVII absolutizmi në Angli thuajse u shkërmoq në tërësi), nga ato në Afrikë (Angolë, Burundi,Liberi, Mozambik, Ruandë, Sudan, Ugandë, Sierra leone, Çad etj), sepse në këto shtete afrikane nuk u luftua për ndryshimin e institucioneve politike, krijim të pluralizmit, por për të marrë pushtetin për një grup në dëm të të tjerëve. Dhe natyrisht se konfliktet e tilla pastaj u shëndrruan në luftëra të përgjakshme civile që përveq humbjes së jetëve të mijëra njerëzve dërguan në shkatrrim dhe dështim të shtetit.

Një segment të veçantë rreth diferencave të sotme në mes kombeve dhe modeleve të zhvillimit autorët e kanë gjetur edhe në gjendjen e ndryshme të institucioneve (dhe kohën e menyrën e krijimit të tyre) në momentin e pushtimit apo të kolonizimit nga perandoritë e ndryshme, gjë kjo që fuqishëm ka përcaktuar dorëzimin e shpejtë apo rezistencën e vazhdueshme deri në çlirim, çështje këto që po ashtu fuqishëm determinuan suksesin apo dështimin e akcilit komb.

Institucionet inkluzive të asnjë vendi e kombi nuk janë ndërtuar vetëvetiu, shpejtë, lehtë apo pse një komb thjeshtë pati fat gjatë rrjedhave historike. Ato nuk u krijuan  rastësisht dhe aksidentalisht. Ato janë rezultat i përpjekjeve të pandalshme dhe titanike, nëpër rrethana dhe kohëra të vështira kur njerëzit e atyre vendeve patën për qëllim madhor progresin, zhvillimin dhe jetën e dinjitetshme për të gjithë. Prapa tyre qëndron një kurajo dhe punë  e jashtëzakonshme, përkushtimi, organizimi, një angazhim e luftë e pandërprerë dhe sidomos një besim se mund të arrihet ajo qka dëshirohet. Andaj kur sot shihen këto shtete dhe kombe të prosperuara nuk do të duhej thënë thjeshtë ‘kanë pasur fat’, (edhe pse ndoshta mund të thuhet edhe kështu, por me kusht që fati të përfshijë në vetëvete punën, kurajon, guximin, përpjekjen dhe qëllimin për një progres kurrë të pandalshëm).

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/pse-deshtojne-kombet-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala