Prokuroria e shtetit duhet t’i fillojë hetimet kundër të ‘fortëve’ të mafio-politikës!

Autori:Zekirja Shabani

Kosova po vuan nga keqqeverisja e kësaj klase politike, që e ka degraduar vendin për 16 vjet. Vazhdon të vuajë nga të zgjedhurit e saj në Qeveri dhe Parlament, por vazhdon të vuajë edhe nga drejtësia, që nuk ekziston. Njëkohësisht ajo po vuan edhe nga “vota” e qytetarëve, e blerë apo e shitur, e cila sjell dhe nxjerr politikanë të korruptuar në Qeveri dhe në të gjitha institucionet e vendit.

Të veprohet ndaj shkelësve të ligjit

Duhet që mbi bazën e ligjeve dhe atij ”antimafia” dhe të tjera, Prokuroria e shtetit të iniciojë dhe hetojë guximshëm të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e Kosovës, për t’u përballur me drejtësinë që nga zyrtari më i rëndomtë i shtetit e deri te presidenca e vendit, pra në të gjitha nivelet. Vetëm përmes saj mund ta fillojë të kthehet shteti në binarët e sundimit të ligjit, e jo të pushtetarëve sundimtarë mbi ligjin. Prokuroria dhe Gjyqësori duhet të veprojnë, të bëjnë diferencimin brenda këtyre institucioneve dhe ata që mbesin të bëjnë veprim ndaj kujtdo qoftë që ka shkelur ligjin.

Iniciativa e kryeprokurorit të shtetit,  Aleksandër Lumezi, për ta këndellur prokurorinë, është për t’u përshëndetur dhe duhet përkrahur nga qytetarët dhe shoqëria civile, sepse në mungesë të një shteti të fortë ligjor dhe kapjen e prokurorive dhe gjykatave nga të fortit e politikës dhe parapolitikës, korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, pastrimi i parave, informaliteti, kontrabanda etj., ka arritur kulmin dhe si pasojë e kësaj Kosova është në këtë gjendje të mjerueshme! Se sa do të këtë sukses  Lumezi në këtë betejë apo ”luftë” do ta quaja, kundër të ”fortëve” të politikës dhe parapolitikës, mbetet të shihet! Pse po e them këtë, sepse korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, informaliteti, kontrabanda, zhvatja e parasë publike, pasurimi i paligjshëm, është zhvilluar pikërisht nga këta të lartpërmendurit, të cilët janë fajtorët kryesorë për moszhvillim ekonomik dhe në çdo qelizë të shtetit! Në rrugën e tij kryeprokurori i ri do të ketë shumë sfida, të cilat do të jenë të vështira. A do ta lejojnë të ”fortit” e politikës dhe të parapolitikës, që puna e  Lumezit të ketë sukses, lë shumë për të dëshiruar, sepse për ta luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, informalitetin etj., i bie që duhet t’i godas pikërisht

Fajtorët kryesorë, kasta e vjetër politike

Nëse Lumezi nuk i godet direkt të ”fortit” e mafio-politikës, atëherë këtë s’do ta quaja ”luftë” për pastrimin e skenës politike, prokurorive dhe gjykatave nga keqbërësit dhe kriminelët të veshur me petkun e politikanit, por vetëm qitje hi syve popullit se gjoja e kemi seriozisht luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe gjitha të këqijat që këta kriminelë i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë Kosovës dhe popullit të saj, duke e lënë që të mos zhvillohet ekonomikisht, politikisht dhe në çdo aspekt! Pa u larguar nga skena politike kasta e vjetër politike që janë fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, nuk e marrë seriozisht që këtu do të ndodhin mrekulli, e këtë mund të na dëshmojë  Lumezi, por nëse e lejojnë! Por nëse i godet vetëm bishtat e tyre, që kanë bërë krime ekonomike në favor të bosave të tyre, këtë s’do ta quaja se është duke bërë ”luftë” kundër korrupsionit, krimit dhe pastrim të skenës politike dhe institucioneve tjera shtetërore si Prokuroritë, Gjykatat, Doganat etj, por vetëm amnistim të të ”fortëve”, që ata të mbesin të palagur për të këqijat që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë.

Vetëm kur t’i shohim prapa grilave të ”fortit” e politikës dhe parapolitikës, dënimin e tyre me burgim të rëndë dhe konfiskimin e pasurive që e kanë krijuar paligjshëm, atëherë do të bindemi në punën e suksesshme të Prokurorisë së shtetit dhe Gjykatës për krime të rënda ekonomike. E atëherë do të kishim zhvillim të hovshëm ekonomik dhe shteti do të këndellej, sepse këta kapësit e shtetit, janë fajtorët kryesorë të moszhvillimit ekonomik dhe në çdo qelizë të saj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/prokuroria-e-shtetit-duhet-ti-filloje-hetimet-kunder-te-forteve-te-mafio-politikes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala