Presidente, nuk je norvegjeze

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka racion ditor që ta përmend luftën kundër korrupsionit. Ndonjëherë rrallë, në ato rastet kur ka kokëdhëmbje, e përmend edhe nga tri herë në ditë. Pikë tjetër e politikë së saj është të na rikujtojë se është femër dhe se ne, një shoqëri maskiliste, kemi bërë mirë që e kemi zgjedhur. Krekoset edhe para liderëve të vendeve tjera me këtë fakt për të cilën nuk është aspak meritore vet.

Por, çka po bën në realitet Presidentja. Pak a shumë të kundërtën. Nuk po vepron as si e pakorruptuar, as si simbol për femrat tjera.

Ajo, padyshim që më paratë e buxhetit është femra që vesh palltot më të shtrenjta në Kosovë. I ka edhe stolitë, edhe kamishat, edhe teshat tjera me stil dhe të shtrenjta. Shkon tek ‘frizerkat’ më me nam të vendit, përderisa përdorë kemikatet e lëkurës më të shtrenjtët në treg. Një komshi imi më bënte be se ajo po e blenë nga 140 euro një krem tek ai komshiu tjetër që shet produkte të kozmetikës. Nuk i besova, por vazhdonte të bënte be. Presidentja jonë, thjeshtë atë pjesë të bukurisë që nuk ia ka falë Zoti, po e kompenson me taksat tona.

Por, a është shembull i një liderje kundër korrupsionit? Aspak. Një njeri korruptohet pikërisht për t’i realizuar ato gjëra që po i bën presidentja- të veshen bukur, të shkojnë ku të duan në pushime dhe të kenë para për të harxhuar poshtë e përpjetë. Korrupsioni dhe keqshfrytëzimit i parasë publike nuk dallojnë fare nëse qëllimi është i njëjtë.

Një njeri me kauzë duket keq, madje edhe në vendin më të pasur të botës- Norvegji, i ka flokët e pakrehura, kamishat e zhubravitura, ndërsa madhësia e teshave është si thes. Ata, që presidentja mund t’i quajë të zgjebosur, vazhdimisht i kanë teshat dy numra më të mëdhenj. Madje, veshin edhe tesha të njëjta, pa u brengosur fare. Steve Jobs deri kur vdiq ishte njeriu më i pasur në botë. Edhe Marc Zuckerberg është i riu më i pasur i botës. Si njëri, si tjetri, janë parë me veshje të njëjtë disa ditë me radhë.  Me këtë nuk dua ta krahasoj presidenten me këta dy perosna, Zoti na ruajt, por të jap një shembull si duken njerëzit me kauzë.

Presidentja nuk mund të merret si shembull i një femre të suksesshme as nga aspketi gjinor. Cila prind do t’ia uronte vajzës së tij të vogël që të bëhej si ajo? Të bëhet si një zhvatëse parash, që harxhon 8 mijë euro në vit vetëm për lule, të bëhet vajzë që shkreton sa herë flet dhe në emisionin që merret më gafat para kameres-UPS ajo është e pranishme më tepër se të gjithë të tjerët së bashku, të bëhet si një femër që përkujdeset vetëm për pamjen, t’i urohet vajzës të ketë një nivel intelegjence nën mesataren e vendit. Asnjë prind me sadopak pedigre.

Jo, një presidente që dëshiron t’i nderojë femrat dhe ta luftojë korrupsionin, duket ndryshe. Ka pamjen e Angela Merkel, e cila  qeverisë një vend të pasur, por nuk vesh tesha ekstravagande. Ju garantoj që kremrat e saj janë më të lira se të shumicës së femrave gjermane, palltot e saj shumica e tyre as që do ti veshnin, përderisa frizeret më të mira gjermane janë shumë të zëna me femrat tjera në shtetin më të fuqishëm të Evropës. S’kanë kohë për Merkelin, sikurse as ajo për to. Cili prind nuk do të dëshironte ta kishte vajzën si ajo?

Për tu marr shembull, edhe presidentja jonë, nuk do të duhej të sillej si të ishte norvegjeze në një vend që vuan nga fukarallëku. Do të duhej të kishte kauzë të vërtetë korrupsionin, sikurse luftën për avancimin e femrave. Nëse do të arrinte që të shtonte, qoftë edhe me 1 për qind numrin e femrave pronare të bizneseve, qoftë me 1 për qind numrin e femrave që trashëgojnë pasuri, ta detyrojë politikën të ketë të paktën një femër që udhëheq ndonjë ministri të rëndësishme, atëherë do të përmbushej sadopak misioni i saj si femër.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/presidente-nuk-je-norvegjeze/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala