Politika majtiste e Isa Mustafës

Autori:Avdyl Pajaziti

 

LDK nuk është më parti e djathtë. As lideri i saj e as partia nuk po veprojnë djathtas. Përkundrazi, veprimet e tyre të fundit janë puro-majtiste. Zbritja e TVSH-së në zero për artikujt e domosdoshëm dhe rritja e saj në 18 për qind për shumicën e artikujve tregon realitetin e partisë që për 25 vjet kishte luajtur me kartën e djathtizmit. Politikat e majta merren me masat e gjera popullore, pra kanë qëllim t’ua lehtësojnë jetën atyre pa zgjedhur mjete.

Këtë qëllim ka edhe ulja e pragut të TVSH-së për mallrat më elementare. Në anën tjetër, rritja e saj për mallrat tjerë godet shtresën më të kamur të shoqërisë. Një djathtist nuk do ta bënte kurrë këtë. Merreni si shembull George Ë Bush. E tërë Amerika ishte zhytur në krizë, por Exon Mobil, falë politikave të tij djathtiste, raportonte fitimet më të mëdha në histori të korporatave. E, Isa Mustafa edhe sot goditi pikërisht korporatat. Tashmë u bë e ditur se do t’ua dyfishojë taksat. Njëjtë do të bëjë edhe me simbolin e ekonomive kapitaliste që ndërtojnë djathtizmin- dividendën. Do ta taksojë edhe atë, disa vjet pasi ishte hequr taksa nga paraardhësi i tij, Hashim Thaçi, i akuzuar si i majtë pikërisht nga elektorati i LDK-së. E taksimi i dividentës, nënkupton uljen e fitimit për shoqëritë aksionare. Shoqëritë e tilla janë ndërtueset e ekonomive me të fuqishme të botës.

Majtizmi i qeverisë aktuale shkon tutje. Isa Mustafa përmes vartësit të tij, Lutfi Zharkut, po godet edhe ekonominë e tregut. Tashmë, në favor të Devollëve, është marrë vendim që të mos jepet ndonjë licencë për terminalet doganore. E mosdhënia e licencës për to, kur dihet se asfalti, betoni e bllokat nuk janë resurse të kufizuara, nënkupton ndërtimin e një ekonomie të orientuar dhe të kontrolluar. Ekonomia e tregut është e kundërt, e pakontrolluar për nga konkurrueshmëria.

E këto nuk janë veprimet e vetme të Mustafës në orientimin nga e majta. Pos veprimeve ekonomike, Isa Mustafa është parë të zhvillojë veprimtari sociale me pjesëmarrjen e tij nën shumë aktivitete populliste, gjë që nuk e bënin paraardhësit e tijn në LDK.

Me të gjitha këto veprime, kjo parti nuk guxon të thirret më e djathtë. Kohërat kanë ndryshuar.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/politika-majtiste-e-isa-mustafes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala