Politika fajtore për mosinvestime të jashtme!

Autori:Avdyl Pajaziti

Problemi me investitorët e jashtëm daton prej pasluftës në Kosovë, që pikërisht njerëzit e fuqishëm të politikës dhe nëntokës, duke ju kërkuar mito investitorëve të jashtëm, me kushtëzim të marrjes së lisencave, i kanë larguar kompanitë e huaja që kanë dashur të investojnë tek ne!

Këtë e kanë thënë me dhjetëra investitor të huaj por edhe biznesmenë shqiptarë që jetojnë në perëndim! Madje shumë prej atyre bizneseve në pamundësi që të investojnë në Kosovë, për shkak të këtyre marrifetllëqeve, atë investim e kanë bërë në vendet e rajonit, për shkak të lehtësirave dhe favoreve dhe sot ato kompani punësojnë me qindra e mijëra punëtorë vendas, si dhe janë bartësit kryesorë të eksportit dhe ekonomive të atyre shteteve!

Në një shtet jofunksional, ku nuk funksion ligji, matrapazët e politikës e shfrytëzojnë mosfunksionimin e shtetit dhe të ligjit, dhe përmes investitorëve që vijnë nga jashtë, mundohen që të pasurohen përmes mitove! Por në vendet e perëndimit këto gjëra nuk pinë ujë, sepse nuk është në natyrën e tyre që të paguajnë mito për të investuar, por përkundrazi, aty ku investojnë kërkojnë favore dhe lehtësira të ndryshme nga shteti!

Në shtetet e Evropës Lindore, si psh në Poloni, Çeki, Sllovaki, Estoni, Hungari, Rumani etj, qeveritë e atjeshme ju kanë bërë shumë favore investitorëve të jashtëm, vetëm e vetëm që t’i joshin për të investuar në vendet e tyre, si psh lirimin nga taksat për disa vite, dhënien e tokës falas ku kanë ndërtuar fabrikat e tyre e shumë favore të tjera!E të gjithë e dimë se sa përpara kanë ecur ekonomikisht këto shtete, ku tash e njëmbëdhjetë vite janë edhe pjesë e BE-së! Në shtete të tilla të brishta, të korruptuara dhe të kriminalizuara si Kosova, këto gjëra janë të pritshme!

Prandaj edhe kemi shumë pak investime të jashtme dhe deri sa nuk bëhemi shtet serioz dhe ligjor, mos të presim që do kemi investime të jashtme dhe as zhvillim ekonomik, sepse asnjë kompani serioze nuk është çmendur që të rrezikojë kapitalin e tij në shtete joligjore, të kriminalizuara dhe të korruptuara! Treguesi më i mirë se çfarë shteti i korruptuar dhe joserioz jemi, është largimi i dhjetëra e qindrave prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilët në pamundësi që të zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë, janë larguar dhe kanë zhvendosur biznesin e tyre drejt shteteve të rajonit, shtete të cilat ju kanë ofruar favore dhe lehtësira të shumta, vetëm e vetëm që të investojnë tek ta, kurse në vendin e tyre prej pas luftës janë ballafaquar me njëqind mijë probleme që ju kanë shkaktuar qeverisjet e deritanishme!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/politika-fajtore-per-mosinvestime-te-jashtme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala