Pika e vlimit

Autori:Zekirja Shabani

Qeveria e re, nuk ka dëshmuar se është në rrugë të duhur që të trajtoj me përgjegjësi të gjitha këto probleme sociale e ekonomike, të cilave u ka fryrë edhe vetë Kryeministri aktual tani e shumë vite sa ishte në opozitë

Asnjëherë më parë në historinë e re të Kosovës nuk janë dukur në shesh më shumë vatra të krizës dhe burime pakënaqësie tek grupe të ndryshme shoqërore, se sa tani. Për shumë vite, qasja e politikës kosovare karshi problemeve sociale e ekonomike ka qenë strategjia e shtyrjes së problemeve, por jo zgjidhjes së tyre. Tani, duket se këto probleme nuk kanë se ku të shtyhen tutje.

Ish punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, me vite të tëra i kanë ndrydhur kërkesat e tyre, duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së institucioneve qeverisëse se “nuk është koha për protesta e greva, se në momentin që e shpallim pavarësinë dhe marrim kompetencat në duar tona, gjiha problemet lidhur me ndërmarrjet shoqërore do të zgjidhen”.

Punonjësit e Trepçës, të cilët punojnë me kushte si në minierat më të rrezikshme kineze, për vite të tëra kanë pritur se Qeveria e Kosovës do të zgjidh statusin ligjor të Trepçës dhe do të filloj investimet në këtë ndërmarrje.

Punonjësit e Fabrikës së Çelikut në Ferizaj, me vite kanë pritur me kot se vendimet e të gjitha instancave gjyqësore do të respektohen dhe se ata do të marrin kompensimin e tyre, ashtu siç ju ka dhënë të drejtë edhe Gjykata Kushtetuese. Greva e tyre tani e disa mujore, nuk arriti asgjë, për aq sa tenda e tyre në një skutë të sheshit “Nëna Terezë” nuk i zuri rrugën askujt.

Me kot familjarët e të vrarëve politik të pasluftës, kryesisht ish anëtarë të LDK, pritën me vite se drejtësia do të filloj punën që të zbardh vrasësit e familjarëve të tyre. Me vite të tëra LDK ka përdorur pikërisht këto vrasje për të ndërtuar platformën e tyre politike. E tash, kur për herë të parë LDK është në krye të Qeverisë, bashkë qeverisë pikërisht me ata të cilit i mbajti si përgjegjës për këto vrasje tani e shumë vite.

Më kot nënat e të zhdukurve të luftës me vite të tëra pritën që të zbardhet fati i familjarëve të tyre, duke pritur se negociatat me Serbinë do të arrijnë së paku të zgjidhin këtë plagë. E në fund morën fyerjen më të rëndë pikërisht nga numri dy i Qeverisë së Kosovës, Qeveri e cila në vend se të merret me fatin e të pagjeturve, familjarët e tyre i quajti egërsira.

Më kot qytetarët pritën tani e disa muaj se Kuvendi i Kosovës do të respektoj 33 mijë nënshkrimet e tyre për të mbajtur ulur çmimin e energjisë elektrike, i cili është i papërballueshëm për pjesën më të madhe të konsumatorëve.

Më kot ata 55.5% e të rijnë të papunë pritën se Qeveria do të krijoj ambient të favorshëm për punësimin e tyre. E fundi i shpresës së tyre tani po manifestohet me ikje masive nga Kosova.

E këto probleme dhe pakënaqësi sociale nuk mund të shtyhen tutje. Qeveritarët nuk mund të arsyetohen tani se prioritet është shpallja e pavarësisë, pastaj sigurimi i njohjeve, përfundimi i negociatave, etj.

Për fat të keq, pushtetarët nuk kanë treguar se dinë të respektojnë vullnetin e votës, nuk dinë të respektojnë dhjetëra mijëra nënshkrime përmes peticioneve, nuk dinë të respektojnë grevat, për aq kohë sa ato greva nuk pengojnë asgjë; e fatkeqësisht qytetarëve u ka mbetur rruga e fundit – ajo e protestës.

Qeveria e re, nuk ka dëshmuar se është në rrugë të duhur që të trajtoj me përgjegjësi të gjitha këto probleme sociale e ekonomike, të cilave u ka fryrë edhe vetë Kryeministri aktual tani e shumë vite sa ishte në opozitë.

(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për www.gazetafjala.com)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/pika-e-vlimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala