Perëndimi është kthyer kundër vetvetes

Autori:Avdyl Pajaziti

Merrni në konsideratë dy fjalitë mëposhtme. E para: “Le ta marrë vesh çdo komb, ai që na dëshiron të jemi mirë apo keq, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të mbajmë çdo barrë, do të përballemi me çdo vështirësi, do mbështesim çdo mik, kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”. E dyta: “Unë i bëj thirrje… Rusisë të përdorë ndikimin e saj të konsiderueshëm, mbi liderët separatistë dhe ndaluar çdo formë të mbështetjes ushtarake, politike apo financiare ndaj tyre…Ata që janë përgjegjës për përshkallëzimin e dhunës, duhet të ndalojnë veprimet e tyre armiqësore, dhe të përmbushin angazhimet e marra”.
Fjalia e parë mban autorësinë e Xhon F. Kenedit në vitin 1961, gjatë fjalimit të tij inaugurues si president i SHBA-së. Fjalia e dytë, është ajo e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federika Mogerini, pasi rebelët rusë të mbështetur nga Moska bombarduan qytetin ukrainas të Mariupolit muajin e shkuar, duke vrarë 30 njerëz.
Fjalia e Kenedit, ishte dëshmia e një Perëndimit në vetëbesim të plotë. Kurse zonja Mogerini shfaq një gjendje të tërësisht të kundërt psikologjike, vetëdyshimin. Deklarata e 1961 përkon me qartësinë morale, ndërsa ajo e 2015-ës na paraqet një “dremitje” të dispozitave ligjore, tejet e kujdesshme edhe për standardet e diplomacisë moderne.
Kjo vetë-përmbajtje e re, bart një anë tejet të rrezikshme. Disi i inatosur dhe ftohtë, unë pyes veten time: në çfarë është shndërruar realisht Perëndimi? Komenti i zonjës Mogerini, vjen në një kohë kur ideja se përhapja e lirisë, demokracisë, ekonomisë së tregut, të drejtave të barabarta për burrat dhe gratë, do të çojë në një botë më të hapur dhe të drejtë, po e humb sharmin e saj universal. Një skepticizëm gërryes po e zvozhg Perëndimin.
E dëgjoj këtë në qarqet politike, mbrëmjeve nëpër tavolina private, kur njerëzit shprehen se ajo që ndodhi në Ukrainë, ishte faji i vetë Evropës dhe Amerikës. Ju e shikoni atë në periferinë e Parisit dhe lagjet e emigrantëve në Berlin, ku absolutizmi fetar vlerësohet më superior ndaj pluralizmit. Ju e konstatoni atë në tabelat e rrugëve dhe në libraritë e mbushura me sllogane, që kundërshtojnë partneritetin dhe tregtinë trans-atlantike, që aq shumë vetë e perceptojnë si një tjetër sulm perandorak ndaj trashëgimisë së tyre kulturore.
Grekët sapo votuan për një qeverisje të krahut të së majtës radikale, që së bashku me një forcë politike të djathtë, janë bashkuar nën një koalicion që të përbashkët ka urrejtjen e tyre ndaj globalizimit. Vitin e shkuar ministri i ri grek i mbrojtjes, një anëtar i partisë së ekstremit të djathtë “Grekët e Pavarur”, tha se hebrenjtë nuk i paguajnë taksat.
Ndërkohë kryeministri hungarez, Viktor Orban, njoftoi së fundmi se ai dëshiron të ndërtojë një “demokraci joliberale”, sipas modelit të Singaporit dhe Kinës. Shoqëritë tona të ndriçuara, janë goditur nga një sëmundje autoimune. Dy virtytet themelore të Perëndimit, dyshimi dhe ndërgjegja, po kthehen kundër “shpikësve” të tyre. “Sapere aude” ose “të guxosh të dish”, kuraja për të vënë në dyshim cilëndo siguri të famshme, ka qenë formula bazë e progresit dhe zhvillimit njerëzor.
Ne jemi paraqitur mjaft mirë me këtë parim, nga Martin Luteri deri tek ulja në Hënë, apo dhe terapia e gjeneve. Pas rënies së komunizmit, Perëndimi filloi të besonte se kjo performancë mbresëlënëse, ishte një arsye e mjaftueshme, që edhe të tjerët të ndiqnin të njëjtën rrugë filozofike dhe politike. Pastaj erdhën një seri goditjesh të mëdha.
Një “luftë mbi terrorizmin” zbuloi misionin historik të Amerikës, për të përhapur demokracinë me arrogancë. Një gati-shembje financiare, u tall hidhur me premtimet e liberalizmit të tregut. Kriza eurozonës, shpartalloi tërësisht profecinë e ofruar nga gjeneratat e elitave evropiane, se integrimi kontinental ishte një rrugë e sigurtë për prosperitet dhe harmoni.
Sot shumë perëndimorë, as nuk pyesin se çfarë shkoi keq me sistemin e tyre. Në vend të kësaj, ata vënë në pikëpyetje vetë sistemin. Me fjalë të tjera, legjitimiteti i Perëndimit është i kontestuar nga skepticizmi që ajo e bart me kaq dashuri. Kompleksiteti i ndërlidhjes së botës së sotme, e tendos vazhdimisht kapacitetin tonë intelektual (dhe kjo përfshin gazetarët). Ndjenjat e brendshme, fillojnë të zëvendësojnë faktet e gjetura, e vërteta ia ka lënë vendin së pavërtetës, dhe ka një kërkesë në rritje për koka turku, më së pari të paktën në këtë anë të Atlantikut, ku duke qenë më e madhe, SHBA-ja cilësohet e keqe.
Rusia, ishte e para që e diagnostikoi këtë sëmundje autoimune.
Që në fillim të vitit 2007, në një fjalim në Mynih, që tani tingëllon famëkeq, presidenti rus Vladimir Putin, u përpoq që të përfitonte nga “toka e lëkundur” që kishte përpara, duke predikuar një përzierje të fuqishme të nacionalizmit dhe ortodoksisë fetare, si një balancë ndaj dyshimit Perëndimor. Gjithashtu Rusia shfrytëzoi virtytin e dytë të Perëndimit:ndërgjegjen e tij fajtore. Kjo është ajo që ushqen një besim popullor, veçanërisht në Gjermani, se sjellja e Moskës në Ukrainë nuk është agresion, por më tepër një reagim ndaj zgjerimit tonë të NATO-s, në kurriz të ish-madhështisë së Rusisë.
Nuk është rastësi, që ky vetëshkatërrim i ri, përputhet me moshën dixhitale. Interneti, është mjeti më i mirë i krijuar ndonjëherë, për përhapjen e informacionit dhe kultivimin e mendimit. Por ai, nuk është më pak i përshtatshëm, për dezinformim dhe shtrembërim.
Sot destabilizimi psikologjik, funksionon më mirë dhe më shpejt se kurrë më parë, dhe është gjithmonë më e lehtë për të shembur, sesa për të ndërtuar. Ne ende mund të jetojmë në një komb, por numri i realiteteve ku ne gjallojmë, është në rritje. Ajo për të cilën Perëndimi ka nevojë urgjente, është një dozë e shpirtit kenedian, pasi legjitimiteti i një sistemi mund të humbasë shpejt, nëse përfaqësuesit e saj e humbasin besimin, në ndjekjen e asaj që është e drejtë.
Por kush mund të përhapë këtë frymë? Barack Obama s’mundet:Atij i mungon ndjeshmëria, si ndaj Rusisë, ashtu edhe ndaj gjendjes së rënduar shpirtërore në Evropë, duke e quajtur Rusinë një “fuqi rajonale” dhe duke deklaruar se dërgimi i armëve në Ukrainë, do të ishte kundërproduktiv. Dejvid Kameron jo se jo:Ai është tepër i zemëruar, si me Bashkimin Evropian ashtu edhe Rusinë, për të qenë i besueshëm si idealist. Nga ana tjetër Fransua Holond, është i zënë duke mbajtur Francën të bashkuar. Kandidati i vetëm që mbetet dhe unë e besoj, është kancelarja gjermane.
Angela Merkel një udhëheqëse e botës së lirë? Ajo nuk do ta kurrë pranonte këtë titull. Megjithatë, mund detyrohet ta luajë këtë rol, sikurse u detyrua pa dëshirë të ishte liderja e Evropës. Dhe ka shenja, se ajo është në dijeni, dhe e gatshme për të pranuar marrjen përsipër të kësaj barre. Deklaratat e saj mbi Rusinë (ajo duhet të tërhiqet mbrapsht nga Ukraina, ose do të përballet me izolimin e mëtejshëm) dhe mbi Islamin (kjo i takon Gjermanisë, por duhet të modernizohet), janë duke u bërë gjithnjë e më të forta.
Më rendësi është fakti, se ajo nuk ka iluzione për seriozitetin e sulmit intelektual mbi Perëndimin, dhe dobësinë e tij. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih fundjavën e shkuar, Merkel i kushtoi një pjesë të mirë të fjalës së saj, asaj që e cilësoi si “pavendosshmëria” e shoqërisë perëndimore. Ky është një fillim i mbarë.
Por ajo ka nevojë të jetë edhe më e qartë, kundër të gjitha skajeve, deri kur të bëhet qendra e re. Duke vepruar kështu, ajo do ta lejojë veten të frymëzohet nga dituria e njërit prej paraardhësve të saj, Oto Fon Bismarkut, i cili dikur u shpreh:”Një i fortë është herë pas here i dobët, për shkak të brerjes së tij të ndërgjegjes, një i dobët është i forte, për shkak të pacipësisë së tij”.
Disa të vërteta janë me të vërtetë të përjetshme. Të mos lejojmë të turpërohemi. Perëndimi mund të vërë në kontroll sëmundjen e tij autoimune. Por për ta bërë këtë, ai duhet të bilancojë ndërgjegjen e tij me një dozë të vogël pacipësie./NYT/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/perendimi-eshte-kthyer-kunder-vetvetes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala