Për komandantët

Autori:Avdyl Pajaziti

Gati 16 vjet pas luftës Kosova vazhdon të shkretohet nën urdhrat e disa individëve që me ose pa qëllim i quajmë komandantë.
Bëmat e tyre sot po e zbrazin Kosovën. Fundja rreth zbrazjes luftuan dhe ky është përfundimi i misionit të tyre. Nuk lejuan që atë mision ta kryejë Miloshevici. E rikthyen turmën për ta përzënë vet. Leksion i mirë ky për ata që dëshirojnë të kryejnë gjenocid mbi një popull.
Kush dëshiron ta dijë se si shkon kjo punë e lus ta lexojë “Fermën e Kafshëve” të George Orwell, ku kafshët bëhen bashkë që të jenë të barabarta kundër njeriut. Ato përfundojnë të udhëhequra nga derrat, soji më i mençur i fermës, të cilët i trajtojnë edhe më keq se njerëzit.
Ne, edhe në vitin 2015 nuk arritëm t’i largojmë nga fronti. Janë luftëtarë të zotët ata. Janë të pasionuar. Nuk arritën të luftojnë në luftë sepse ishin të zënë duke u shëtitur në Shqipëri, Zvicër, Gjermani e gjetiu.

Por, pas lufte treguan zotësitë e tyre të vërteta luftarake. Shkrepën plumba sa mundën, shumë më tepër se gjatë luftës. Vranë më tepër njerëz nga 1999 e këndej, plagosën shumë më tepër të tjerë e s’lanë kënd pa e trazuar.
Ata sot kanë nën urdhrat e tyre shumë më tepër ushtarë besnik sesa kishin dikur në luftë. Kjo, sepse sot janë më me eksperiencë dhe janë ngritur në grada.
Po bëhen gati dy dekada të mbretërimit të tyre. Sot, ata janë gjahtarë të zotët. E kanë hobi. Por, nuk gjuajnë lepuj apo dhelpra. Gjuajnë tenderë dhe kanë sukses e godasin në shenjë sa herë shkrepin. Fundja, suksesi i tyre është vrasja dhe ndërtimi i një sistemi për të ushtruar hobi, për të ndjerë sa më shumë kënaqësi.

Ata nuk parkojnë pa leje, por ndërtojnë. E kanë lulu Kosovën gjithandej.

Ata nuk kanë nevojë të shkojnë në shtëpitë publike, i kanë në dorë ndërmarrjet e tilla.

Ata u shëtitën gjatë luftës, pardon luftuan që të kenë hise në Kosovën tonë. Kjo është arsyeja që i kërkojnë hise secilin investitor që vjen nga jashtë. Fundja, çfarë të drejte ka një gjerman a anglez, për të mos thënë, Zotin na ruajt, italian a francez, që të fitojë para në Kosovë. Ajo e drejtë u takon atyre, sepse dhanë shokët e tyre për këtë vend. Dhe këtë e bënë me pasion.
Edhe blerjet gjatë privatizimit i kishin pasion. E qitën tokën e Kosovës në një ankand ku rregullat ishin të kundërta. Blinte ai komandant që jepte më pak dhe linte më shumë punëtorë në rrugë. Ia arritën ta blejnë gati krejt tokën e përbashkët me paratë tona e ti qesin gati 70 mijë punëtorë në rrugë.
Nuk e kishin veti të shkonin në shkollë. Mezi e kishin kryer shkollën fillore. Prandaj, sot janë doktorë shkencash. Nesër do të jenë akademikë. Pra, edhe këtu i ndryshuan rregullat, sa më pak shkollë, aq më tepër diploma.
Të bërë nervoz me rrethin e tyre familjar që janë dembelë e të paditur, por tepër ekologjistë për të harxhuar aq shumë letra në diploma, ndryshuan rregullat e punësimit. Hyn në punë ai që është më dembeli dhe di më së paku. Tjerët le të ia mësyjnë Hungarisë. Një rrugë e dy punë- kryejnë misionin e zbrazjes së Kosovës dhe i rehatojnë ushtarët e vet. (Qendrimet janë personale)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/per-komandantet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala