Një biletë për artin

Autori:Avdyl Pajaziti

 

Një biletë për artin lë shijen e aventurës në hedhje të parë si yshtje për programim apo projeksion të një udhëtimi nga ata njerëz që në status ndjehen qytetarë të botës dhe receptues të artit sot. Parë si projektim në anën e kthyer të medaljes, duhet buxhet për një biletë arti. Aplikimi dhe një kërkesë në institucionet mbështetëse në këtë projekt, ku shpërfaqen dashnorë të ideve, menaxherë, drejtues projektesh e kuratorë, të cilët kujdesen për modelimet e skenave, ngjarjeve dhe aktiviteteve të tyre, për të bërë të mundur që kjo nismë kulturore të përkthehet në realitet.

Në shikim të parë, një biletë për artin afrohet si zë i lartë, që në një mënyrë a në një tjetër kërkon të na lëvizë së brendshmi e të na nxjerrë nga apatitë me përpjekjet e reja në formë e koncept, për ta ndërtuar të përditshmen cilësisht. Një biletë e motivuar për artin vlen për t’iu bashkuar bashkëjetesës për pak ditë në Shqipëri, me shprehitë e animuara të ndikimit të aparteidit në Afrikën e Jugut të William Kendrige-it, në kryqëzimet e modeluara të hapësirës që asociojnë kufijtë e padukshëm e inteligjentë të Anri Salës, Nasan Tur-it, Adrian Pacit, Olivo Barbieri-it, Roberto Savianos, Giuseppe Catozzella; grupimi i skulpturës modulare në lëvizje të Ultra-s, operan bashkëkohore Kadri i Radës; të strukturave pan Fanfara Tirana e të tjera performanca kulturore, qoftë edhe për dëshirën e ngutur për të koleksionuar një takim jo krejt të zakonshëm me ta; por, edhe si një shkak pa shkak i entuziazmit që shkaktohet nga një biletë për të lehtësuar oksigjenimin e atmosferës që mbizotëron në regjimin e “shthurur” të shprehive të lira. Një sebep i bukur për të motivuar e shtendosur çdo gjendje të ndenjur a dëshpëruese të njerëzisë në shtysa paralele, në gji të aventurës së mrekullueshme të arratisë si rigjenerim i mendjes. Sidoqoftë një biletë e rimbursuar i përngjan edhe ndjelljes e zellit të mikpritjes apo angazhimit. Është një thirrje për kulturën, për të gjithë aktorët, debutuesit dhe mirëmbajtësit e restauratorët kritikë të kulturës shqiptare, si një nevojë për një takim të mundur. Ushqim i nevojshëm për mjedisin, ku edhe amatorët e normalitetit kanë mundësinë të shërbehen hapur me idetë që vijnë nga zona të ndryshme kulturore të botës.

Në këtë ankth të punës sonë, unazat e komunikimit me artistë vinin duke u shtuar: botues, galeri e qendra kulturore, si dhe gazetarë të huaj për të bërë të mundur idenë tonë të përbashkët për Festivalin e Librit dhe Arteve. Tirana Open, një slogan që mori shkas nga debate të përbashkëta për të ndërtuar një format përfshirës të shumë eventeve, së bashku dhe të pavarur, ne emër të një tërësie në shërbim të kulturës në vend; një mjedis ku qyteti dhe qytetarët, miqtë dhe vendësit të marrin e japin në ndërvarje reciproke, mes të ftuarish e ftuesish në shndërrime statusesh të këmbyera në udhëtimin e tyre kulturor, si një aventurë për shëndetin mendor e shpirtëror të njeriut. Tiranën e zmadhuar do e pasurojmë me artistë e institucione shumë të njohura.

Në Tiranë do ndodhë ngjarja më e rëndësishme e kulturës së librit dhe arteve, në nivel strukturash të organizuara: institucione, logo, korente e gjuhë të ndryshme. Këtë e bën të mundur ky event i madh, Tirana Open, si ndikimi i hapur i këtij përbashkimi shumëdisiplinor, që Tirana të ndjehet e çlirët e sa më natyrale për banorët e saj. Është një çelës shkëmbimi që duhet të na bëjë shenjë në hapësirat e komunikimit kulturor, si një stacion i hapur e jokufitar. Një rast apo shans i mirëshfrytëzuar në materializimin e dëshirave të mëdha të asaj se si mund të ndihet Tirana sot – një konkurrencë vlerash. Me një erë dhe një aromë miqsh në favor do bëjmë të mundur që artistët dhe qytetarët të afrohen duke sheshuar çdo kufi konvencional ndarës, si qytetarë të botës, që marrin sinjalin e një bilete mirëseardhëse.

Tirana Open do ndodhë duke nisur nga data 6 deri më 13 maj, në hapësirën e zgjeruar të kryeqytetit; një ngjarje me një hartë të zgjeruar eventesh paralele në pikat më kryesore të kryeqytetit, ku shumë institucione do luajnë rolin e enëve komunikuese, nga ku do mund të dialogohet mbi kulturën e shumëçka tjetër. Një shtrirje në gjeografinë lëvizëse të komunikimit të e vet, por gjithëpoaq edhe në strukturimin real në përmbajtje dhe në vlera të kuotuara të artit sot.

Tirana Open vjen si fillesë për të vënë në binarë një marrëdhënie të organizuar të zërave dhe subjekteve që shtrihen e punojnë në hapësirat të ndryshme të rruzullit. Rruga e strukturimit të artistëve, qoftë si individë, qoftë në grup, përmes institucionesh të afirmuara që performojnë në hapësirat e mëdha të kësaj zgjedhjeje rezulton në një dialog me tjetrin, pa u cenuar tjetërsia e tij.

Tirana Open është një nismë që ka marrë përsipër të ofrojë për publikun një korrent subjektesh që emetojnë krijimtari kulturore, duke nisur nga libri, arti pamor, filmi, muzika dhe arkitektura, pesë hapësira nën një çati – Tirana Open.

Për shtatë ditë radhazi Tirana do ketë mundësinë të jetë qendra e dialogut dhe e energjive të mendimit bashkëkohor, si vatra në lëvizje. Zgjimi i Tiranës me këtë event të përmasave ndërkombëtare na jep idenë e lirë të një lloj skaneri për të parë e kuptuar, por edhe për të zbuluar shumëçka të nevojshme për të gjithë ne. Për pak ditë Tirana do jetë qendra e një vëmendjeje të sinkronizuar nga kapacitetet e zgjedhura të shpirtrave krijues.

Mirësevini në Tiranën si mundësi e kulturës ndërkombëtare!

Në këtë udhëtim për ndërtimin e këtij projekti, do doja të falënderoja mbështetësit e shumtë, që nga kujdesi i vetë kryeministrit Edi Rama, i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro; pjesëmarrësve Fondazione Sandretto Re Rebaudengo (Torino), MAXII (Romë), T293 Gallery (Napoli), Galeria e Vogël (Tiranë), Gagosian Gallery (Londër), Museo Pascali, Polignano a Mare, Tirana Institute of Contemporary Art (Tiranë), Zeta Gallery (Tiranë), Art Kontakt (Tiranë), Stacion – Center for Contemporary Art (Prishtinë), Tirana Art Lab (Tiranë), Zenit Gallery (Tiranë), Moderna Museet (Malmo), Tulla Culture Center (Tiranë), Gregor Podnar Gallery (Berlin), FAB (Tiranë), Hauser & Wirth (Zyrih), MAM Foundation (Tiranë), Museum of Contemporary Art (Çikago), Thessaloniki Center of Contemporary Art (Thesaloniki), Abramovic Institute, Hudson (Nju Jork), Blain/Southern Gallery (Londër), Galeria Kombëtare e Arteve (Tiranë), Kunsthalle Athena (Athinë), Fondazione Pistoletto (Biella); jurinë e konkursit “Danish Jukniu”: Edoardo Bonaspetti (Mousse Magazine), Cathryn Drake (Artforum & Frieze Magazine) dhe Michele Robecchi (Phaidon).

Partnerët, bashkë-ideatorët dhe realizuesit e këtij eventi: botuesen e talentuar Arlinda Dudaj dhe Helidon Gjergjin, artist i mirënjohur në skenën e artit bashkëkohor, për kontributin e tij në këtë udhëtim zbulues, si dhe për aftësitë e tij menaxhuese për ta bërë shumë të veçantë këtë edicion të parë të Tirana Open.

Sponsorizuesit që mundësuan një biletë hyrëse në territorin shqiptar (qoftë edhe si simbolikë kjo), si një mundësi e lumtur për të bashkëjetuar për pak çaste me aktorë dhe autorë, por edhe përfaqësues të lartë institucionesh të kulturës botërore sot.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/nje-bilete-per-artin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala