Ne ende po luftojmë për lirinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Lufta e solli lirinë e popullit dhe shtetin. E, shteti sot nuk po garanton lirinë njerëzore. Nga lufta e deri te liria njerëzore na ka mbetur ende shumë punë. Shumë përpjekje që duhet të bëjmë. Së bashku. Të përkushtuar e të vendosur në idealet tona. Në besimin dhe vizionin tonë se njeriu i Kosovës duhet të ketë lirinë e plotë, jo vetëm fizike.

Na ka mbetur ende të luftojmë për lirinë tonë. Për lirinë e iniciativës, lirinë e mendimit e të shprehjes, informimit, asociimit, ndërveprimit, lirinë e vendimmarrjes. Vetëm kjo na siguron mundësitë e barabarta për njerëzit e Kosovës. Vetëm kjo na garanton rrugën drejt demokracisë së mirëfilltë. Drejt anëtarësimit në komunitetin e botës demokratike, si shtet i lirë për të cilin luftuam dhe u ndihmuam nga perëndimi.

 

E sotmja e zymtë, e nesërmja me shpresë

 

Liria bëhet duke e luftuar të keqen. Ajo mbrohet duke i rezistuar të keqes. Popujt në botën demokratike kanë arritur zhvillimin përmes mospajtimit me gjendjen e keqe. Përmes aktivizimit për të ndryshuar të sotmen e zymtë. Përpjekjes gjithëpërfshirëse për të ndërtuar të nesërmen me shpresë.

Nuk ka qeveri e politikanë që do të mund të ndalin të nesërmen e mirë të Kosovës dhe popullit të saj. Pavarësisht se ku jemi sot, pavarësisht se cili është drejtimi që Qeveria e sotme ka marrë kundër njerëzve të Kosovës, kjo do të kalojë. Do të mbyllet edhe kjo fazë e cenimit të lirisë së njeriut të Kosovës. Nuk do të vazhdojë gjatë. Shumë shpejt do të përfundojë në pjesët e errëta të historisë së demokracisë në Kosovë.

Sot, njerëzit e përjetojnë realitetin si të zymtë. Sepse, qeverisja është plotësisht e zymtë. Është mashtruese dhe manipuluese. Është e mbushur dhe stërmbushur me të pavërteta. Me logjika hakmarrëse ndaj qytetarit, ndërmarrësve, iniciativës së lirë dhe mendimit ndryshe. Me logjika të politikës së vjetër, të viteve të errëta të Kosovës. E tillë çfarë e kemi parë në fund të viteve të 1980-ta në Kosovë.

Por, populli u ka dhënë përgjigje të qartë e të saktë atyre politikave. Nuk ishte dorëzuar në vitet e 1980-ta dhe as në vitet e luftës. Nuk dorëzohet as tash. Nuk do të dorëzohet kurrë. Populli i Kosovës di të vlerësojë saktësisht të mirën e të keqen. Di të orientojë fuqitë e veta për të mbrojtur e zhvilluar Kosovën. Për të siguruar që askush nuk mund të luajë me fatin e populllit, me fatin e Kosovës.

E, fati i popullit të Kosovës nuk mund të nxihet edhe më tutje nga krimi i organizuar e korrupsioni, dhuna e keq-qeverisja. Nuk mund të zymtohet edhe më tutje nga mungesa e vizionit për të mirën publike. Nuk mund të kapet shteti i Kosovës përgjithnjë.

Shpresa jonë e përbashkët është fuqia jonë. Është drejtimi për ndryshim të realitetit të sotëm. Është ideali ynë, i dëshmuar, për të ndërtuar jetën e lirë, të sigurt dhe të mbrojtur nga të këqijat e shumta që po i kanosen për çdo ditë vendit tonë.

Ne të mërziturit me këto të këqija qeverisëse që po ndodhin në Kosovë jemi shumë. Ata të kënaqurit me këtë që po i bëjnë për çdo ditë e natë Kosovës janë pak. Të tillët do të dështojnë.

Nesër, të gjithë do të jemi të bindur se ideali ynë për demokracinë dhe qeverisjen e mirë do të tejakalojë këto pengesa qeveritare. Do të arrijmë lirinë njerëzore, lirinë për të zgjedhur e për të mos qenë nën imponimin qeveritar. E nesërmja është me shpresë. Me bindje për të mirën e qytetarit, popullit dhe shtetit.

 

Lufta dhe Liria

 

Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte e rëndë, por e domosdoshme. Nuk zgjodhëm ne të luftojmë. Nuk zgjodhëm ne të kapim armët kundër ushtrisë e policisë së Serbisë. E kishim detyrim. E kishim obligim për Kosovën, për popullin, për historinë dhe për të ardhmen.

U bënë 17 vjet prej kur Komandanti Legjendar, Adem Jashari, dhe familja e tij luftuan deri në sekondën e fundit të jetës së tyre. Ranë dëshmorë në themelet e historisë së lirisë së Kosovës. Me gjakun e tyre vendosën rrjedhat e historisë. U bashkuan si familje për të bashkuar, më pas, të gjithë të tjerët që nuk pranuan të dorëzohen para të keqes së madhe.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më e madhe e arritur ndonjëherë nga populli i Kosovës. Vlerë kjo që është paraprirë nga rezistenca dekadëshe e shqiptarëve për liri e të drejta njerëzore. UÇK-ja do të mbetet përgjithmonë kulmi i përpjekjeve tona për lirinë. Burra e gra të Kosovës nuk menduan më për vete, por për kombin, për Kosovën.

Luftëtarët nuk luftuan për vete. As për lirinë e vet. Ata e fituan lirinë e vet në momentin kur iu bashkuan UÇK-së. Liria e tyre individuale rezultoi me lirinë e popullit. E bënë historinë. Historinë krenare për Kosovën. Historinë e luftës e të çlirimit.

Kemi vuajtur shumë. Lufta na mori burra e gra të të gjitha moshave e shumë të tjerë dhanë pjesë të trupit të tyre. Kosova është me plotë dëshmorë e martirë. Nuk guxojmë të harrojmë se gjaku i tyre është themeli ynë. Familje të tëra sot qëndrojnë në thelbin e çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës.

E kemi bërë lirinë me gjakun tonë! Nuk na ka dhuruar kush! A mos po harrojmë?

Meritat e luftës nuk degradohen kurrë. Nuk humbin asnjëherë, pavarësisht rrethanave. Të degraduar janë ata që synojnë keqpërdorimin e këtyre meritave. Të degraduar janë ata që kthyen në përfitime personale a grupore vujatjet dhe guximin e popullit të Kosovës për të luftuar. Të degraduar janë ata që synuan e synojnë të përbaltin UÇK-në dhe luftëtarët e lirisë.

Dhe, këso kategorish ka! Fatkeqësisht!

Liria jonë është për të gjithë. Për shtetin dhe shoqërinë. Për popullin e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit Ballkanik. Kosova e lirë dhe e pavarur është një garancë për zhvillimin e rajonit tonë të vuajtur për dekada të tëra.

Dhe, ne e kemi shancën të dëshmojmë se shteti i Kosovës është e arritur e rëndësishme për Ballkanin, Evropën dhe botën demokratike. Këtë mund ta bëjmë duke e zhvilluar Kosovën. Duke forcuar shtetin tonë. Duke e demokratizuar Kosovën tonë.

Për këtë, duhet të përpiqemi shumë. Ne ende po luftojmë për lirinë. Lirinë e mendimit e të shprehjes, iniciativës së lirë dhe mendimit ndryshe.

Nuk ka asgjë më të shenjtë se liria. Ajo nuk është vetëm fizike. Tash, po luftojmë për lirinë nga e keqja. Lirinë nga logjikat e qeverisjes autokratike. Edhe këtë do ta arrijmë! Pa asnjë dyshim!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/ne-ende-po-luftojme-per-lirine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala