Mospajtimi konstruktiv

Autori:Zekirja Shabani

Rrugët për kryerjen e suksesshme të cilës do punë janë të ndryshme, mirëpo rezultati kurdoherë është i njëjtë – arritja e qëllimit të planifikuar. E kundërta e kësaj nënkupton dështimin dhe një mori pasojash tjera afatëshkurtëra dhe afatëgjata. Përderisa nuk mund të dyshohet asesi në qëllimin dhe dëshirën e askujt për të arritur sukses, atëherë mos suksesin duhet kërkuar pikërisht në qasjen dhe rrugën e ndjekur për të arritur synimin e dëshiruar. As suksesi dhe as mos suksesi nuk janë  shtylla që qëndrojnë të varura në qiell e të ardhura nga kush e di se ku,  por rezultat interaksioni i një morie faktorësh sikurse qëllimi i lartë, metoda e punës, kultura e organizatës, qasja  menaxhmentit etj.

Dinamike e madhe e zhvillimit ka bërë që organizata të ndryshme të krijojnë koncepte të reja të punës. Kështu p.sh. paknaqësia konstruktive (mospajtimi konstruktiv) sot në botën moderne është një koncept që është përqafuar në shumë organizata. Një mënyrë për të eksploruar dhe kuptuar këtë praktikë efikase është edhe nëse analizohet antipodi i saj – kënaqësia destruktive. Po si manifestohet njëra dhe si tjetra?

Paknaqësia konstruktive është një koncept dhe qasje që lidershipi përdorë në organizatë me qëllim të arritjes së objektivave. Kjo qasje nxit debatin dhe në vetëvete ngërthen nxjerrjen në pah të vlerave të secilit individ në shoqëri dhe stimulon proaktivitetin. Ajo përjashton njëmendësinë, cenzurën dhe sidomos frikën e njerëzve. Eshtë një veprim që ushqen e dinamizon  lirinë dhe që krijon kushte për gjetjen e zgjidhjeve edhe në situatat më komplekse në shtegun drejt progresit, forcë që shtyn botën përpara. Ajo heq vargonjtë e druajtjes të njeriut, lufton monopolin dhe pozitat dominuese dhe krijon mundësi të barabarta për të gjithë. Ajo ka në plan të parë  aftësitë e njerëzve duke i nxjerrur ato edhe nga skutat më të fshehta dhe duke i vendosur në funksion të zhvillimit, çliron energji të pafundme, zhvillon dinjitetin, farkon moralin duke cytur zhvillimin e vetive fisnike më fundamentale njerëzore.

Ajo bën që njeriu në organizatë të mos rri pasiv, i paknaqur dhe i ndrojtur përballë problemeve, duke bluajtur në kokë idetë dhe duke mos mundur t’i shprehë ato. Ajo heq kufizimin e njeriut përballë klisheve, e bën atë që të ndjehet i vlefshëm për veten dhe shoqërinë, shkatrron veset dhe kultivon virtytet, duke bërë që njeriu të mundet të vendosë për fatin e vet dhe të mos jetë skllav i hipokrizive e qëllimeve të ulëta. Denoncon humbjen e kuptimësisë së individit karshi jetës dhe sidomos nxit përgjegjshmërinë. Bën që njeriu në vend se të justifikohet për mos hapsirë apo të kënaqet me kritikë, të kontribuojë aty ku duhet dhe ashtu si duhet. Bazohet në sistemin e vlerave duke përdorur levat e tij për vlerësimin e njerëzve, e kështu mundëson që njeriu të ndjej vlerën e vet dhe veçanërisht të punoj në rritjen e saj. Paknaqësia konstruktive nuk bën të thjeshtohet vetëm me paknaqësinë ndaj rezultateve.Vlera e vërtetë e saj pra është se ajo e vë njeriun dhe organizatën në veprim.

Kombe të ndryshme të përparuara si p.sh ai japonez kanë krijuar praktika pozitive të cilat janë bërë bazament i mentalitetit të jetës dhe kulturës së punës. Eshtë fare mirë e njohur atje rruga për krijimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë, njëra nga shtyllat e zhvillimit shoqëror e ekonomik. Nga aty pastaj ka rrjedhur edhe deviza e shndërruar pothuajse në kredon e filozofisë së punës kudo: “Përmirësim konstant dhe kurrë i papërfunduar”, që është bërë pjesë e mentalitetit punues dhe veprues, e që nënkupton luftën e vazhdueshme për përparim, progress e përmirësim. Edhe atëherë kur rezultatet janë vërtetë të shkëlqyeshme, kjo nuk përjashton synimin për më shumë përmirësim.

Mentaliteti i organizatave të suksesshme dhe sistemi i organizimit të tyre është i tillë sepse ndër të tjera ai  mundëson që  të shtrohen pyetje të rënda dhe të guximshme të cilat prekin në themel të misionit e vizionit të tyre, dhe nga përgjigjja në të cilat nuk është i përjashtuar askush, si p.sh: Pse po e bëjmë këtë? Si po e bëjmë këtë? A është kjo rruga më e mire për të arritur ku synojmë? Cilat janë alternativat? Mosshtruarja e pyetjeve të tilla të vështira dhe mospërballja me kompleksitetin e tyre ka si alternativë strategjinë që ndjek struci, kur para çdo rreziku  futë  kokën në rërë!

Mospajtueshmeria konstruktive është ana e kundert e pajtueshmërisë destruktive, që te popuj e kultura të ndryshme në periudha historike të caktuara është jetësuar në formën ‘dëgjoj dhe bindem’. Se cila rrugë do të ndiqet, se cila qasje do te përdoret, se cila metodë do vehet në veprim, fillimisht varet nga rezultati që synohet, por edhe nga mentaliteti i shoqërisë, niveli i zhvillimit, raportet ndërnjerëzore etj.

Cilat janë karakteristika e njërës dhe tjetrës qasje, dhe sidomos cilat janë rezultatet e njërës dhe tjetrës, ose thënë ndryshe, cilat organizata dhe pse zgjedhin si parim dhe qasje mospajtueshmërinë konstruktive e cilat pajtueshmërinë destruktive. Pyetjet e tilla në asnjë rast nuk janë të lehta dhe përgjigjet aq më pak.

Në rastin e parë para kryerjes së punës do të ketë diskutim, debat, zhurmë e paknaqësi kurse në të dytin do të ketë qetësi, nuk do të ketë debat, do të ketë pajtueshmëri në sipërfaqe por paknaqësi në thellësi e cila do të heshtet aty ku duhet dhe do të shprehet aty ku nuk duhet dhe në momentin më të papërshtatshëm.

Mentaliteti i paknaqësisë konstruktive nënkupton shterrjen e debatit sado të gjatë e të mundimshëm në vendin e duhur (pra në organizatë), kurse e kundërta e saj mbylljen e tij aty ku duhet dhe hapjen  e zgjatjen deri në pafundësi të tij aty ku nuk do të duhej- në kafene, rrugë etj. Kjo edhe është e kuptueshme, sepse energjia do të shpenzohet gjithsesi edhe në rastin e pare e e dhe në të dytin. Atëherë, çështja është pse ajo të mos kanalizohet si duhet dhe të përdoret për të arritur rezultat. Emruesi i përbashkët i të dy qasjeve konsiston dhe ka të bëj me natyrën e njeriut – synimin për progresin dhe suksesin. Mirëpo, synimet e planifikuara janë diametralisht të kundërta me rezultatet e arritura, kur rrugët, qasjet dhe metodat e punës janë në kundërshtim me përvojat positive të punës.

Thënë shkurt ajo çka njeriu di, çka beson apo çka mendon nuk është relevante në raport me atë çka bën e veçanërisht me mënyrën se si e bën.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/mospajtimi-konstruktiv/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala