Menaxhimi i emergjencave natyrore

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjithnjë e më shpesh dëgjojmë për emeregjenca natyrore gjithandej në botë, e prej të cilave nuk është i përjashtuar as vendi ynë. Shpeshtësia e paraqitjes së tyre doemos që paraqet kërcnim dhe sfidë për sigurinë e të gjithëve. Këto ditë p.sh kishte vërshime në disa komuna të Kosovës. Ajo që zakonisht bie në sy është tentimi i zyrtarëve për të adresuar përgjegjësinë gjetkë. Mirëpo  menaxhimi i emergjencave lokale është edhe kompetencë vetanake e komunave (bazuar në ligjin për vetëqeverisjen lokale).

Kjo është në linjë edhe me parimin e subsidiaritetit dhe qasjen e cila është e përhapur në vendet e BE-së, e që bazohet në atë që qështjet publike në interes të qytetarëve të realizohen sa më shumë që të jetë e mundur nga niveli më i ultë i qeverisjes.

Menaxhimi i deritashëm i emergjencave natyrore dëshmon se qështjet e rëndësishme mund të mbesin pa u adresuar si duhet në buxhetin komunal. Në këtë mënyrë pastaj si zgjidhje e çastit ofrohet vetëm përgatitja e kërkesave të komunave drejtuar nivelit qendror për të financuar dëmet e shkaktuara.

Pretendimi i komunave për të përfituar mjete financiare nga fondi i rezervës në nivelin qëndror është jo shumë i qëndrueshëm, jo vetëm për shkak te kufizimit te  fondeve të tilla, por edhe për qështje procedurale, (pasi që në kerkesën e organizatave buxhetore për shfrytëzimin e këtyre mjeteve ndër të tjera duhet të jipet përgjigjja se pse ato mjete nuk kanë mundur të parashikohen, ose të planifikohen në buxhetin komunal).

Dhe vërtetë është e pakuptueshme që hartuesit e buxhetit të një komune të mos kenë mundur që të parashikojne dhe të buxhetojnë fonde (qofshin këto edhe minimale) për një emergjencë lokale! Secila komunë e vendit duhet ta bëjë këtë dhe ka mundësi të bëj këtë.

Është e qartë që në raste të përmasave më të mëdha të tyre  do të reagohet nga niveli qëndror, mirëpo rastet tjera të kufizuara lokale do të duhej trajtuar fillimisht nga komunat, e jo që secila kërkesë të përcillet në nivelin qendror!

Shihet se ndryshimet klimatike globale janë duke ndodhur në tërë botën ku më shumë e ku më pak duke u manifestuar në forma të ndryshme (vërshime,  rreshqitje dheu, erëra të forta, thatësira, tërmete, zjarre etj). Fatmirësisht deri tash në Kosovë këto raste ishin në shkallë më të vogël dhe të menaxhueshme. Sidoqoftë, ky fakt nuk bën që asesi të na bej inert në planifikim, pasi që katastrofat natyrore ndodhin në një moment por pasojat zgjasin me vite.

Për këtë arsye është i domosdoshëm ekzistimi i mekanizmave funksionalë dhe efektiv të parandalimit dhe menaxhimit me emergjencat natyrore. Nëse p.sh. një lum rregullisht vërshon në një komunë kjo tregon se me qëllim të pengimit të vërshimeve duhet bërë investime kapitale në shtratin e tij, dhe kjo mund të planifikohet dhe të buxhetohet.

Një analizë e shpejtë nëpër komunat e vendit tregon që në shumicën e tyre buxhetimi dhe menaxhimi i emergjencave lë shumë për të dëshiruar, (vetëm disa syresh në programet e menaxhimit të emergjencave kanë të buxhetuara fonde (edhe pse shumë të vogla) në tri kategoritë përfshirë edhe atë të shpenzimeve kapitale).  Përndryshe në shumë komuna tjera në drejtoratet për emergjenca ka buxhet vetëm në pozicionin e pagave të personelit! Kjo është vërtetë shqetësuese.

Secila komunë e Kosovës gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit  mundet dhe do të duhej që të planifikojë fonde financiare për menaxhimin e katastrofave natyrore.

Komunat kanë kërkesa dhe prioritete të shumta për financim, mirëpo askush nuk mund të thotë që planifikimi i fondeve për këtë qëllim nuk është prioritet i lartë.

Dihet që për emergjencat natyrore planifikimi është proces i parashikimit të nevojave të së ardhmes në njërën anë, dhe programimi i shpenzimeve për të përballuar rreziqet e pritura në anën tjetër. Duke parashikuar rreziqet (përmes strategjive të menaxhimit të rrezikut) dhe duke koordinuar resurset e përgjithshme në një komunë menaxhimi i katastrofave të mundshme jo vetëm se do të bëhej efektivisht, por edhe do të kishte kursime buxhetore.

Planifikimi për të parandaluar, luftuar dhe menaxhuar emergjencat tregon për nivelin e kapacitetit të pergjithshem te sistemit shoqëror dhe aftësisë për të përballuar në mënyrë të përgjegjshme fatëkeqësitë natyrore që në një formë ose tjetër rrezikojnë popullatën. Thënë shkurt është dëshmi e përkushtimit dhe aftësisë institucionale në shtetndërtim.

Duhet të jetë e qartë se as për nivelin komunal por as për atë qëndror, nuk ështe parësore te vihet theksi në plan të parë në fondet që do të shpenzohen (duke u alokuar aty), por duhet që vëmendja të përqëndrohet në shpëtimin e jetës së njerëzve dhe të të mirave materjale  që do të shpëtoheshin nga planifikimi i mirë dhe përgatitja adekuate.

Në këtë kohë të ndyshimeve klimatike dhe të rreziqeve të vazhdueshme natyrore, veprimet reaktive komunale do të duhej zëvendësuar me planifikim në menaxhimin e emergjencave, e kjo vetëm se do të rriste efektivitetin por në planin afatëgjatë  do të zvogëlohej edhe kostoja e trajtimit të pasojave të tyre, qoftë nga fondet publike apo private. E rezultati më i rendësishëm do të ishte eliminimi i rreziqeve dhe parandalimi nga dëmet që pësojnë qoftë ekonomitë familjare apo institucionet publike. Në fund të fundit sigurimi i jetës së njerëzve dhe mbrojtja e pasurive të tyre është pjesë e përhershme e mandatit ligjor institucional.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/menaxhimi-i-emergjencave-natyrore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala