Maqedonia e Tomas Manit

Autori:Zekirja Shabani

Ndoshta drejtuesit e shtetit maqedonas, të cilët negociojnë tanimë prej shumë vitesh, me ndërmjetësim ndërkombëtar, me Greqinë, për çështjen e emrit të shtetit maqedonas, që ka bllokuar procesin integrues euro-atlantik të vendit, dhe është bërë shkak që ky vend të njihet akoma me emrin absurd “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, do të bënin mirë që të mendonin edhe një alternativë tjetër, si të thuash filozofike, veç emrave që janë hedhur për diskutim në negociatat ndërkombëtare. Përveç emrave si “Maqedonia Veriore”, “Maqedonia e Vardarit”, “Maqedonia e Sipërme”, që tanimë nuk janë pranuar, mund të shihej edhe alternativa “Maqedonia e Tomas Manit”. Ky propozim mund të duket absurd, por nëse mendohet thellë, nuk është aspak i tillë. Nëse ka ndonjë shtet të botës sot të cilit i përshtatet thënia e famshme e shkrimtarit gjerman Tomas Man, “Lufta është vetëm një ikje prej frikacaku nga problemet e paqes.”, ky shtet është Maqedonia.

Asnjë shtet në Europë nuk ka pasur nevojë për paqe të brendshme dhe me fqinjët sa Maqedonia. Kjo për faktin se Maqedonia është një shtet i ri, shumetnik, që brenda vendit ka një problematikë të madhe me raportet ndëretnike, dhe ku problemi me shqiptarët është më seriozi por jo i vetmi problem etnik. Maqedonia nuk ka një emër të përcaktuar dhe të njohur si shtet, se emri i saj kushtetues kundërshtohet nga Greqia. Maqedonia ka një gjuhë zyrtare, e cila kundërshtohet nga Bullgaria, si një vjedhje që i është bërë bullgarishtes. Maqedonia ka një Kishë Ortodokse Autoqefale, e cila kundërshtohet nga Serbia, si vjedhje që i bëhet traditës kishtare serbe. I vetmi vend me të cilin Maqedonia ka një konflikt që vjen për shkak të moszbatimit nga ana e shtetit maqedonas të Kushtetutës së tij, është Shqipëria, e cila kërkon që popullsisë së madhe shqiptare, e cila me Kushtetutë, pas Marrëveshjes së Ohrit është shtetformuese, t’ i njihen këto të drejta.

Të gjitha problemet që ka Maqedonia sot, si ato të brendshme ashtu dhe ato të jashtme, megjithëse janë probleme të trashëguara nga e shkuara konfliktuale, sot duhej të konsideroheshin si probleme të kohës së paqes, në kuptimin që shteti i ri maqedonas i krijuar më 1991 nuk është përgjegjës për këto probleme, por i ka trashëguar ato nga e shkuara dhe nga formacione të tjera shtetërore që kanë ekzistuar në të kaluarën në këto treva. Në këtë kuptim, shteti i ri maqedonas nuk duhet ta shihte konfliktin si mjet për zgjidhjen e tyre, por duhej të ballafaqohej me këto probleme me kurajë, me ndershmëri, me gatishmëri për të gjetur zgjidhje reale për to. Në vend që të vepronte kështu, shteti maqedonas e pa si më të lehtë që të ikte nga problemet e paqes duke kërkuar luftën, ose më saktë konfliktin. E kërkoi këtë konflikt me qytetarët e tij shqiptarë, e kërkoi me vendet fqinje, madje edhe me një shtet të ri si Kosova me të cilin Maqedonia nuk duhet të kishte asnjë konflikt. E megjithatë, Maqedonia shpiku edhe një konflikt me fqinjin e saj të pestë, shtetin e ri të Kosovës, një konflikt kufitar fare të panevojshëm.

Që nga koha kur Maqedonia u bë shtet i pavarur, ka pasur debate nëse kjo është Maqedonia e Aleksandrit të Madh, nëse është Maqedonia banorët e sotëm të së cilës kanë të drejtë të pretendojnë trashëgiminë antike, se cila nga të dyja popullsitë kryesore që e përbëjnë shtetin, sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët, kanë të drejtë të quhen autoktonë, nëse janë sllavo-maqedonasit apo shqiptarët që e nxitin destabilizimin në këtë vend, nëse shteti duhet të quhet Maqedonia e Vardarit, apo Maqedonia Veriore që të njihet nga Greqia, nëse maqedonasit e sotëm kanë të drejtën e trashëgimisë kishtare në trojet e tyre, apo ajo i përket Serbisë, nëse gjuha maqedonase është një padrejtësi që i bëhet bullgarishtes apo një gjuhë me vete, etj., etj. Nga këto probleme dy kanë qenë më seriozët, problemi me shqiptarët e Maqedonisë dhe problemi me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë. Të dyja këto probleme kanë shkaktuar kriza të brendshme dhe të jashtme për Maqedoninë. Pushtetarët maqedonas të këtyre 24 vjetëve që nga koha e shpalljes së pavarësisë së kësaj republike ish-jugosllave i kanë nxitur konfliktet e mësipërme për t’iu ikur problemeve të brendshme midis vetë sllavo-maqedonasve për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Kur Tomas Mani thoshte se “Lufta është vetëm një ikje prej frikacaku nga problemet e paqes”, ai me këtë nënkuptonte se guximtarë janë ata që përballen me problemet që ekzistojnë në kohë paqeje, duke mos lejuar që ato të kthehen në konflikte e luftëra, por duke gjetur zgjidhje paqësore për to. Në Maqedoni duhet të dilte dikush që të thoshte në logjikën e thënies së Tomas Manit: Ne kemi nevojë të përballemi në paqe me problemet tona, dhe jo t’ i kthejmë ato në ushqim për konflikte pa zgjidhje që shërbejnë vetëm për demagogji politike!

Duket se këtë gjë po e bën kryetari i opozitës Zajev. Filozofia e Zajevit, i cili me guxim publikoi videopërgjimet, të quajtura “bomba’, që tregojnë sesi në Maqedoni janë shkelur rregullat e një shteti ligjor, është shkelur Marrëveshja e Ohrit, është dhunuar vota e qytetarëve, është pikërisht ajo e Tomas Manit. Protestat e fundit të opozitës maqedonase, të nxitura nga “bombat” e Zajevit, tregojnë pikërisht këtë gjë. E vërteta e fshehur kaq gjatë nuk mund të fshihet më. Në Maqedoni deri më sot nuk është kërkuar seriozisht që të gjendet zgjidhje për problemet e mprehta kryesore të vendit, por është kërkuar vetëm që të përdoren politikisht ato nga politikanët e radhës maqedonas, të cilët kanë pasur pushtetin. Se sa do t’ i përmbushë Zajev iluzionet që ka ngjallur me sjelljen e tij të deritanishme, këtë do ta tregojë koha, veçanërisht kur ai të vijë në pushtet.

Megjithatë nuk mund të mohohet se Zajev ka krijuar një frymë pozitive në Maqedoni, një frymë e cila nuk ka ekzistuar deri më sot. Tani çështja është se sa të përgatitur janë shqiptarët e Maqedonisë për të përfituar në këtë situatë. Fakti është se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë një figurë të ngjashme me Zajev, as të tillë që të jetë alternativë ndaj partisë shqiptare në pushtet, as të tillë që të bashkojë shqiptarët në një lëvizje politike përtej ndarjeve partiake tradicionale, gjë që do të ishte akoma më e mirë. Dhe këtu më vjen keq ta them, shfaqet edhe një herë handikapi kulturor që kanë shqiptarët e Maqedonisë në krahasim me maqedonasit dhe këtu shkaku nuk është se shqiptarët e këtyre trevave ishin lënë në gjendje të mjerueshme arsimore në të shkuarën. Sot nuk jemi në vitin 1991, as në vitin 2001, por jemi në 2015. Sot duhet të kishte pasur një frymë të tillë, një mjedis të tillë kulturor te shqiptarët e Maqedonisë, që të kishte nxjerrë një “Zajev” shqiptar. Por nuk ka qenë kështu, se fatkeqësisht te shqiptarët e Maqedonisë ekziston mendësia se duhen bërë dasma tallava që kushtojnë deri në dhjetëra  mijë euro, por nuk duhen harxhuar as 30 euro për të blerë libra me tematikë për iluminizmin, për filozofinë politike, mendimin shqiptar etj.,   literaturë iluministe kjo e nevojshme, që e ndryshon njeriun nga brenda. Shqiptarët me kohë duhet të kishin filluar ta kërkonin ndryshimin dhe konkurrencën me sllavët brenda fatit të vet historik nëpërmjet rrugës së dijes si e vetmja rrugë që të jep arsye, realizëm për çfarë kërkon, që të jep qartësi, vizion dhe racionalitet dhe jo tek ëndrrat e krisura me krisma dhe dyfeqe. Dhe sot është kjo gjendje që është, ku përgjegjëse kryesore dhe e drejtpërdrejtë e saj është klasa politike shqiptare e Maqedonisë, e cila nuk pati as ndjeshmëri, as vizionin që ta vinte në axhendë të saj këtë problem të madh.

Nga liderët politikë shqiptarë të Maqedonisë, mendoj se asnjë nuk e di mirë se cili ka qenë Tomas Mani, e jo më ta ketë dëgjuar këtë thënie të tij. E dinte sigurisht Arbër Xhaferri se cili kishte qenë Tomas Mani dhe e kishte lexuar atë. Por Arbër Xhaferri si mendimtar ishte produkt i një tjetër mjedisi, jo i atij shqiptar të Maqedonisë. E sot shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për njerëz të armëve, por për njerëz që ta kuptojnë filozofinë e Tomas Manit dhe të jenë të aftë që të dalin si partnerë të Zajev, në lartësinë e tij, për të përfaqësuar shqiptarët e Maqedonisë ashtu siç e kërkon koha. Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për heronj të paqes, jo të luftës. Zajev ka krijuar imazhin e një heroi të paqes, i cili ka dalë si alternativë e një autokrati ballkanas, Gruevskit. Shqiptarët e Maqedonisë, meqenëse nuk kanë “Zajevin” e tyre nuk iu mbetet veçse të presin se çfarë do t’u japë Zajevi, ashtu siç pritën nga Gruevski. Kështu që shqiptarët rrezikojnë që të mos përfitojnë ndonjë gjë të madhe nga Maqedonia e Zajevit, të cilën megjithatë, bota do ta shikojë si Maqedoninë e Tomas Manit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/maqedonia-e-tomas-manit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala