Listat e turpit

Autori:Avdyl Pajaziti

Pasardhësit tanë do të mësojnë se si djali 11 vjeçar i një komandanti ishte trim mbi trimat. Ai nxori gjoksin foshnjarak, si një Mic Sokol i kohëve tona, dhe iu sul forcave të Millosheviçit. Madje, epshet e tij liridashëse ishin aq të fuqishme, sa nuk pyetën as për babanë, edhe pse ishte kundër dëshirës së tij.

Në të njëjtën kohë, në librat e historisë nuk do të ketë vend për Jusuf Gërvallën. Ai, fundja nga vetë shokët e tij konsiderohet si një ‘auslander’, që shkoi në Gjermani për të fituar bukën e gojës.

Nuk do të mësohet për të se si e themeloi LPK-në, dhe kjo më vonë UÇK-në, si ushtria e vetme fituese e popullit shqiptar, pas asaj të Skënderbeut.

Historinë e shkruajnë fituesit dhe Jusuf Gërvalla nuk është i tillë. Ai iu dorëzua plumbave për lirinë e këtij populli. E lufta për lirinë e Kosovës nuk po i njeh ata që u dorëzuan në këtë mënyrë.

Ne jemi rritur duke dëgjuar për historitë e Tahir Mehës të Drenicës, apo Besim Latifit e Skënder Monollit të Llapit. As ata nuk janë fitues. Soji i tyre dha jetën për liri. Ky i sotmi, triumfuesi në këto treva, jep jetën për para, madje i është dorëzuar komplet atyre.

Në emër të parave ne do ta respektojmë si veteran atë “ushtarin” e paepur, i cili u sakatos jo nga plumbat, por nga traktori në arë.

Do të mësojmë se nuk ishte vetëm familja Jashari që u flijua për këtë vend. Kemi komandantët, që “flijuan” edhe më tepër.

Përderisa Adem Jashari dha familjen, këta dhanë krejt farefisin. Edhe ata që nuk u flijuan, dhanë gjymtyrët, dolën nga paslufta të paaftë. E gjatë është lista e dhimbjeve për ta. Ngushëllimi i vetëm është se tash, për atë pjesë të vockël të farefisit që nuk ia mori lufta, do të përfitojnë para të majme nga ky shtet. Në emër të luftës që s’e bënë, normalisht. Të tilla janë listat e dëshmorëve, veteranëve e invalidëve.

Natyrisht, se në to janë futur edhe njerëz meritor. Por, pakënaqësitë e shprehura për listat në secilën zonë tregojnë pafytyrësinë e liderëve të tyre. Tregojnë se nuk luftojnë më për parime, por për para. Tregojnë se nuk luftuan për Kosovën, por për familjarët dhe kushërinjtë e tyre.

Veprime të tilla e kanë trazuar në varr edhe Adem Jasharin. Ato duhen ndryshuar urgjentisht. Duhet të definohet qartë se kush ishte luftëtar lirie, e kush ndihmoi që ajo të arrihet. Kush dha jetën me armë në dorë për këtë vend, e kush u aksidentua pa dashje, kush humbi gjymtyrët nga granatat e kush theu këmbën duke luajtur futboll.

Nëse mbesin të tilla, ku luftëtari krahasohet me matrapazin, ato s’kanë si të jenë tjetër, pos lista të turpit. Jo se të gjithë aty janë të tillë, por se edhe ata që e meritojnë janë të turpëruar që gjenden në një thes me gjithkënd.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/listat-e-turpit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala