Lideri i madh i shtetit të vogël

Autori:Avdyl Pajaziti

Singapori, historia e tij e sidomos zhvillimi i hovshem ekonomik  e shoqëror gjithmonë më ka fascinuar. E mbi të gjitha lideri i tij Lee Kuan Yev, i cili vdiq këto ditë në moshën 91 vjeqare. Ai ishte udhëheqës i shtetit që nga shpallja e pavarësisë së tij, kryeministër deri në vitin 1990, duke vazhduar pas kësaj si anëtar i Qeverisë deri më 2011, dhe së fundi në postin e deputetit dhe autoritetit moral deri në vdekje.

Pavarësinë ky shtet praktikisht e fitoi dy here, brenda 2 vitesh : Së pari nga Britania e Madhe në vitin 1963, dhe së dyti nga Malajzia më 1965. Për shkak të krajatave të shumta,  sfidave dhe frikës e përgjegjësisë për të ardhmen e vendit të tij kur Lee e shpalli pavarësinë në vend të gëzimit kishte derdhur lotë. Mirëpo pikërisht kjo histori e veshtirë, e pazakontë dhe plot peripeci në vend se të ishte pengesë faktikisht u bë faktor kyq i një zhvillimi të hovshëm dhe i një suksesi të pashembullt!

Singapori, përveç se me territor të vogël është edhe shumë i varfër me resurse natyrore (madje edhe ujin e pijes duhet ta importojë), dhe e vetmja përparësi e tij është pozicioni strategjik në hyrjen e ngushticës Malacca, njerës nga rrugët më të mëdha të tregtisë botërore përmes rrugëve detare. Ky avantazh edhe u përdor maksimalisht  për të tërhequr bizneset dhe investimet e huaja në shtetin prej 5.5 milion banorësh.

Këto veqori e kishin shtyrë qysh nga momentet e para të pavarësisë udhëheqjen e vendit që të merrte masa edhe në mbrojtjen e shtetit. Kështu Singapori është një nga  shtetet e pakta në botë që ka shërbim ushtarak të obliguar më të gjatë se 18 muaj, dhe që nga paranoja e frika nga invadimi i fqinjëve shumë më të fuqishëm, ishte obligative që madje edhe shtëpitë  të ndërtoheshin me strehimore.

Në kushte të tilla rënduese fillimisht Lee (I diplomuar ne Kembrixh) tregoi lidership e aftësi madhështore politike në menaxhimin efikas të pavarësisë së shtetit karshi rreziqeve e vështërsive të shumta.

Mirëpo, ajo që është impresionuese në zhvillimin e Singaporit nën udhëheqjen brilante të Lee ishte zhvillimi i hovshëm ekonomik dhe shoqëror. Rezultatet janë vërtetë mahnitëse. Kështu që nga themelimi i shtetit e deri më sot rritja reale mesatare e BPV-së është rreth 8%. Në vitin e parë të pavarësisë vendi kishte BPV-në për kokë banori rreth 400 $, për të arritur tash në 56000 $. Bën pjesë në grupin e 4 shteteve aziatike që për shkak të ritmeve të larta të rritjes ekonomike u quajtën tigrat origjinal aziatikë.

Investimet e huaja direkte si rezultat i reformave të vazhdueshme dhe klimës së përshtatshme biznesore u rritën nga viti ne vit, për të arritur p.sh.në vitin 2011 në rreth 534 miliardë $. Zhvillimi i hovshëm ekonomik  u quajt edhe mrekulli ekonomike, e përmes saj Singapori u shëndërrua edhe në një nga qendrat kryesore financiare botërore .

Lee e bëri Singaporin model dhe shembull të zhvillimit të suksesshëm të një shteti,  prosperues, të mirë organizuar, të rregullit, të pastër  dhe efikas, dhe sidomos ndershmërisht të qeverisur. Nën udhëheqjen e menqur dhe skajshmërisht të përkushtuar të tij Singapori i vogël dhe i varfër me resurse u bë një nga shtetet më të pasura të botës. E tëra kjo në rrethana shumë të vështira, por me punë, djersë, menquri dhe përgjegjshmëri.

Lee ishte pragmatist i përsosur, fliste hapur, thjeshtë dhe ishte gjeostrategjist i njohur në botë, meritë këtë të cilin e fitoi bazuar në sukseset e arritura brenda vendit te tij. Ai bënte gjërat e duhura dhe drejt, i përkushtuar sidomos në zgjedhjen e menagjerëve të duhur ekonomik,  udhëhoqi një qeveri të vogël, mirë të organizuar, rezultative, transparente dhe efektive. Mbi të gjitha ishte kundërshtar i rreptë dhe i përbetuar i korrupcionit dhe thellë i përkushtuar për qeverisjen me duar të pastra. Ishte krejtësisht i pakorruptuar dhe i pastër dhe të tillë e mbajti edhe administratën publike dhe institucionet e shtetit.  Dhe ai i arriti këto objektiva deri në atë nivel sa shumë lider te vende tjera të botës mësuan nga puna dhe praktikat e tij. Për të luftuar korrupcionin përveq tjerash ai vendosi që t’u jipeshin paga të larta  zyrtarëve shtetëror, por edhe të kërkonte përgjegjësi të rreptë nga ta. Ai nuk falte jo vetëm lëshimet por as neglizhencën. Besonte fuqishëm dhe thellë në meritokraci. U angazhua për  zbatim strikt të ligjeve duke vendosur dënime të rrepta e të larta për shkelësit e tij.

Shteti  politikisht stabil u ndërtua me sistem politik sipas modelit të Westminsterit trashëguar nga kohët e perandorisë britanike. Nën lidershipin e Lee u dëshmua se prosperiteti, rritja dhe liria duhet dhe mund të zhvillohen së bashku. Një nga veqoritë tjera dallues e tij ishte edhe gadishmëria permanente për shmangien e manifestimeve populiste në llogari të interesave afategjate të shtetit.

Lee nga shumë qarqe eminente si dhe personalitete të njohura botërore u vlerësua si një nga politikanët më efikas dhe një  nga njerëzit më influencial në Azi. Ai ishte krijues i aksionit ‘ shekulli i Azisë’. Politikat ekonomike të tij ishin promovimi i kursimit dhe investimeve, tatime të ulta, valutë stabile, inflacion të ultë dhe punësim e zhvillim të infrastrukturës kyqe. Nuk i besonte shumë ‘ dorës së padukshme’ të tregut duke u angazhuar me pragmatizimin e tij në rolin e shtetit në shumë sfera.

Mirëpo ajo që e dallon Singaporin është sistemi arsimor shumë cilësor i cili është edhe bazë e zhvillimit ekonomik. Po ashtu edhe dallohen edhe sistemi shëndetësor që  përkujdeset për të gjithë, si dhe ai pensional adekuat i cili u organizua conform specifikave të kohës duke e tejkaluar atë të solidaritetit në mes të gjeneratave.

Duke pare rezultatet e zhvillimit të Singapori, si dhe përkushtimin e devotshmërinë, pastaj stilin e veqantë të udhëheqjes, shumë herë është vlerësuar se Lee është një nga personalitetet dhe burrështetasit më të mëdhenj në rang global në periudhën  e pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e shëndrroi shtetin në fuqi ekomomike  duke demonstruar në këtë mënyrë edhe praktikisht se burimet natyrore nuk janë factor  domosdoshmërisht limitues për prosperitet e zhvillim. Ai dëshmoi se përmes organizimit të lartë edhe në kushte shumë të vështira, vendi mund të zhvillohet, aty dhe atëherë kur zgjuarësia e njeriut mund të vij plotesisht ne shprehje dhe te lulëzoj. Atëherë kur sistemi i vlerave është në fundamentin dhe esencën e zhvillimit institucional, atëherë kur jeta e shoqërisë organizohet në bazë të vlerave themelore dhe të përjetshme të njerëzimit sikurse liria, e vërteta, morali, ndershmëria dhe respektimi i vlerave.

Në një rast ish Sekretari i Shtetit te SHBA Henry Kisingjeri shkroi për Lee: “Një nga asimetritë historike është mungesa e korrespondencës në mes të aftësisë së një burrështetasi dhe fuqisë së shtetit të tij”. Kurse ish Presidenti i SHBA R. Niksoni në një rast ishte edhe më miklues dhe pat thënë,  se po qe se Lee do të jetonte në një kohë dhe në një vend tjetër ai do të ishte personalitet në rangun e Winston Churchill apo të Gladstone.

Vlerësime të shumta të tilla dhe në tërë botën ka për udhëheqësin e famshëm të Singaporit Lee Kuan Yev. Ai ishte vërtetë një shembull se si duhet të jetë një lider dhe një fat për popullin dhe shtetin e tij, duke e vërtetuar katërcipërisht një nga postulatet kruciale të histories së civilizimeve të njerëzimit dhe të vërtetuar shumë e shumë herë, se një komb ashtu si mund të prosperojë e arrij majat e përparimit me një lider të mirë, po ashtu mund të rrëgjohet, degjenerohet e edhe zhduket në mungesë të tij.

Në një nga intervistat e fundit Lee kishte thënë :

“E kalova pjesën më të madhe të jetës sime duke ndërtuar këtë shtet. Nuk më duhet më  asgjë tjetër. Dhe  çka fitova pas tërë kësaj? Një Singapor të suksesshem!  Dhe çka dhashë për tërë këtë? Jetën time!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/lideri-i-madh-i-shtetit-te-vogel/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala