Lëvizjet e rrezikshme të presidentit Vladimir Putin

Autori:Zekirja Shabani

Presidenti i Rusisë,Vladimir Putin i ka shtuar kërcënime të reja djegëse agresionit të tij në Ukrainë, ku 6500 njerëz janë vrarë gjatë luftës kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia. Z. Putin dëshiron ta zgjerojë rritjen dhe influencën e vendit të tij, por sjellja e tij alarmuese e ka ftohur Rusinë me fuqitë e tjera të mëdha, ka dëmtuar ekonominë dhe i ka vënë në pikëpyetje opsionet e saj për të ardhmen.

Edhe për z. Putin, kërcënimet më të fundit bërthamore kanë vendosur një pikë orientimi për mizoritë në konfliktin që ai ka ndërmarrë ndaj Perëndimit. Përpara dy javësh, The Times of London raportonte për një takim ndërmjet gjeneralëve rusë dhe zyrtarëve amerikanë, në të cilin rusët kërcënuan me një “tablo përgjigjesh që nga bërthamoret te joushtarakët” nëse NATO vendos trupa të tjera në shtetet baltike.

Muajin e kaluar, ambasadori rus në Danimarkë, Mikhail Vanin paralajmëroi se anijet luftarake daneze “do të jenë shënjestër e raketave bërthamore ruse”, nëse Danimarka e zbaton interesin e saj të shprehur për t’iu bashkuar sistemit mbrojtës raketor të NATO-s.

Dhe për rikujtesë, z. Putin kishte thënë se brenda 15 marsit ishte gati t’i jepte raketa bërthamore një shteti të rrezikshëm vitin e kaluar, kur Rusia ishte në procesin e pushtimit dhe të aneksimit të Krimesë. Disa zyrtarë rusë kanë theksuar gjithashtu mundësinë për t’i rikthyer raketat bërthamore në Krime, të cilat kishin dy dekada që ishin hequr.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk kanë parë ndonjë provë që Rusia momentalisht të ketë nisur t’i rivendosë apo ta përgatisë arsenalin e saj bërthamor, i cili ka ende mijëra armë. Por edhe sikur kërcënimet ruse të jenë ligjërata për t’i trembur kundërshtarët apo për të qenë në rregull me nacionalistët në shtëpi, ato reflektojnë një mospasje konsiderate cinike për rolin e Rusisë pas Luftës së Ftohtë, si një partnere së bashku me Amerikën në traktatet e kontrollit të armëve të skicuara për të shkurajuar përhapjen e armëve bërthamore. Këto kërcënime i rrisin tensionet në mënyrë të pashmangshme dhe mund të rrisin shanset e llogaribërjeve vdekjeprurëse.

Putin ka kaluar edhe caqe të tjera, përfshi dërgimin e avionëve ushtarakë pa paralajmërim në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Estoni, Lituani, Letoni, Poloni dhe mbi Detin e Veriut. Më 7 prill, një avion luftarak rus pikasi një avion spiun amerikan mbi Detin Baltik në veri të Polonisë; Pentagoni u ankua se rusët vepruan në një “mënyrë joprofesionale dhe të rrezikshme”.

Vendimi i udhëheqësit rus për të proceduar me shitjen e shtyrë për shumë kohë të një sistemi raketor mbrojtës S-300 ndaj Iranit qe një tjetër zgjedhje e keqe. Ekspertët thanë se sistemi nuk e rrezikon Izraelin, i cili ka raketa bërthamore dhe arsenalin më të mirë ushtarak në Lindjen e Mesme, por lëvizja mund ta bëjë më të vështirë për administratën Obama që të marrë mbështetjen e Kongresit për të arritur një marrëveshje bërthamore me Iranin.

Agresioni i z. Putin është i rrënjosur në një nacionalizëm të thellë, i cili tingëllon shumë mirë për popullin e tij dhe furnizon luftën ndaj Ukrainës. Pavarësisht një marrëveshjeje për armëpushim të nënshkruar në Minsk në shkurt, Rusia ka vazhduar të armatosë, stërvitë dhe t’i drejtojë rebelët separatistë. Luftimet kanë rinisur dhe ka shqetësime të mëdha se z. Putin është duke planifikuar një sulm për të shtënë në dorë më tepër territor në Ukrainën lindore.

Sjellja luftëndjellëse e Rusisë është një test serioz për NATO-n, e cila nganjëherë ka rreshtuar divizione shqetësimi. Europianët dhe Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë të bashkuar për t’i mbajtur sanksionet ndaj Rusisë dhe për të vazhduar patrullimet ajrore dhe ushtrimet stërvitore, sepse është bërë tejet e vështirë ta parashikosh lëvizjen e ardhshme të z. Putin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/levizjet-e-rrezikshme-te-presidentit-vladimir-putin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala