Letër e hapur Tracey Ann Jacobson-it

Autori:Avdyl Pajaziti

E nderuara Ambasadore,

Unë që po ju shkruaj jam një qytetar i thjeshtë i këtij vendi. Jetoj në Prishtinë, në rrugën George Bush dhe punoj në Bulevardin Bill Clinton. Jam mirënjohës për këtë rastësi. Falënderues, madje. Por, për presidentin e parafundit dhe paraardhësin e tij, jo për ju. Disa nga veprimet tuaja dhe mos-veprimet nuk janë për tu lavdëruar.

Ju, me të ardhur në Prishtinë na bindët që po të doni mund të na ndihmoni. Një deklaratë e juaja bëri që zgjedhjet të kalonin pa ndonjë vjedhje vote për t’u përmendur. E ne vinim nga zgjedhjet paraprake ku vullneti i popullit ishte vjedhur në mënyrë industriale.

Njëjtë lëshuat deklaratë edhe në zgjedhjet nacionale e sërish “burrështetasit” tanë u përmbajtën. Pra, ju e dinit që të parët e këtij vendi ishin hajna dhe arritët t’i ndalnit.

Pas zgjedhjeve, mjaftoi një deklaratë e juaja dhe ngërçi politik disamujor u zgjidh brenda disa orëve. Pra, ndikimi juaj është i fuqishëm tek ta. Ne e dimë që keni një CV për të ndërtuar dhe i dhe dialogut prioritet. Por, pse e bëre këtë duke i mbrojtur hajnat, duke mbajtur anën e tyre, këtë se dimë.

E dimë se me Albin Kurtin nuk flisni dhe mirë ia bëtë. Ai duhet të mësojë se mysafiri kur ftohet në shtëpi duhet pritur siç duhet, e jo t’i detyrojë truprojat që t’ia mavijosin krahun.

Por, ajo që ne nuk e dimë është pse vazhdoni t’ju bëni muhabet Hashim Thaçit e Isa Mustafës dhe në këtë mënyre ta forconi pozicionin e tyre? Vetëm se janë oportunistë dhe e mbështesin dialogun me Serbinë, apo?

A e dini ju ambasadore se unë, dhe mbi 90 për qind të kësaj popullate, nuk jemi të preokupuar aspak çka po ndodhë me dialogun. Nuk jemi as me Kurtin që është ekstrem kundër, e as me Thaçi&Mustafa që janë ekstrem pro. Jemi indiferentë. Jemi të preokupuar si ta kemi një jetë sa më të mirë apo si të nisemi rrugës për Hungari. Për këtë të fundit, jo se duam ne, por se doni ju. Duke i mbështetur ata që nuk lanë gjë pa i bërë këtij populli, natyrisht. Ju jeni fajtorja kryesore, sepse jeni e vetmja që mund ta ndryshoni këtë situatë.

E patë edhe vet se para disa javësh u grumbulluan afro 50 mijë protestues në sheshin qendror të Prishtinës. Se sa ua ndinë Thaçit&Mustafës për këtë popull e tregon fakti se njëri nuk ia prishi terezinë vetit e shkoi në Slloveni, e tjetri nuk e prishi as agjendën e brendshme, shkoi në Pejë.

Edhe po të farohet ky popull, ata nuk preokupohen. Ata u bënë bashkë dhe u dridhen me një fjalë goje të nxjerrë nga ju, pavarësisht se ishte fjalë e pisët. Ata struken sa herë i shikoni ju edhe mrrolshëm, pa u thënë gjë. E dinë çka kanë bërë dhe janë të vetëdijshëm se edhe ju e dini. Por, pse po i mbështesni, pse nuk distancoheni nga ta?

A e dini ju sa njeriu ka bërë lloj-lloj krimesh në këtë vend duke u thirrur në miqësinë me pjesën përendimore të Prishtinës. Ata, duke u thirrur në miqësinë me “Dragodanin” vazhdojnë edhe sot të jenë të paprekshëm. Jo pse duam ne, por se ju nuk po veproni. Ata duhet të shporren dhe këtë mund ta bëni vetëm ju, sepse ju e keni forcën.

Ne e dimë se ndërhyrja në punët e brendshme nuk është normale. Por, jemi një vend 7 vjeçar, ende fëmijë i vogël. Kemi nevojë për edukim dhe ndihmë për të ecur përpara. Dhe nuk mund të edukohemi vetëm duke i dhënë prioritet marrëdhënieve të mira me fqinjin. Jo, sepse do të vazhdojmë të jemi të paaftë për jetën. E për të mbijetuar do të vazhdojmë të vjedhim, brenda familjes madje.

Ne e dimë se kemi në skenën politike parti joadekuate. Në tri partitë e para, PDK e ka zanat të vjedh e të punojë diçka, VV e ka zakon, në bazë të qeverisjes së Prishtinës, të mos vjedhë e të mos punojë, e soji më i keq është LDK që e kanë zakon të vjedhin e të mos punojnë gjë.

Por, nëse i mbështesni të parën dhe të tretën, ne nuk do të mund të krijojmë partinë e katërt, që do të punonte e s’do të vidhte. Prandaj, ambasadore distancohuni nga ta. Mos u flisni fare. Pjesën tjetër lejani këtij populli. Do ta kryejë si duhet, ju garantoj. (Qendrimet janë personale)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/leter-e-hapur-tracey-ann-jacobson-it/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala