Letër e hapur Arsim Bajramit

Autori:Avdyl Pajaziti

I nderuar ministër,

 

Unë si qytetar i këtij vendi kërkoj nga ju që në mënyrë urgjente të lansoni një kurs intensiv për mësim të shkrim-leximit për të gjithë doktorët e shkencave të pasluftës. Jepuni prioritet edhe politikanëve.

Tregohuni pak nepotist, duke u dhënë prioritet mbi prioritete kolegëve tuaj partiak. Në rend të parë futni ambasadorin Ramiz Lladrovci dhe deputetin Rafet Rama. I pari u sikletos shumë në Shqipëri. Ky i fundit, besoj e patë që nuk diti të lexojë as një pyetje të thjeshtë në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës të cilën supozohet se e kishte shkruar vet.

Merru edhe me shefin e partisë, Kadri Veselin. Nëse deri në pushimet verore ia mëson se kur dëshiron t’i tregosh dikujt se ku je i shkruan jam këtu dhe ajo fjalë lexohet si e tillë germë për germë dhe jo kty do të konsiderohesh i suksesshëm.

Nëse të njëjtën gjë e bën edhe me shefin e madh, Hashim Thaçin, që njëherë e përgjithmonë të lexojë: kam thënë e jo kom tha, sërish do të duartrokasim. Mirë do të bënit të mundoheshit ta detyroni të lexojë pak më tepër sepse gjuha shqipe ka mbi 20 fjalë. Po mësoi rrjedhshëm shkrim-leximin me siguri nuk do ta ketë të vështirë ta zgjerojë edhe fjalorin në komunikimin publik.

Mësojeni presidenten Atifete Jahjaga se vendi që e përfaqëson shkruhet Kosovë dhe lexohet si e tillë e jo Koqovë. Do ta keni shumë të vështirë t’ia mësoni presidentes shkrim leximin, ama nëse arrini bile gjysmën e alfabetit do të konsideroheni sërish shumë i suksesshëm. A e dini ju ministër, sa e rëndësishme është për ne që presidentja t’i lexojë korrekt pa asnjë gabim gjysmën e fjalëve!?

Meqë jemi tek udhëheqja e vendit, mos e le anash as familjen e presidentit tonë historik, Ibrahim Rugovës.E bija e dashur e tij, Teuta, nuk diti ta lexojë pyetjen në kuvend, gjithashtu. Pak ka rëndësi a e kishte shkruar vetë, apo që ia kishte shkruar zëvëndëskryeministri Kujtim Shala. E rëndësishme është se LDK sërish bëri shaka me familjen e presidentit hirsorik, duke përdorur analfabetizmin e Teutës, e cila mbase shumë shpejte do të jetë doktor shkencash. Paramendojeni ministër, ajo do ta ketë brenda disa vjetësh gradën e njëjtë me babin e saj. A është ky degradim i skajshëm i edukimit?

 

I nderuar ministër, të lutem menjëherë pas përfundimit të kursit, futeni si kriter se për të qenë dikush në këtë vend doktor shkencash duhet t’i nënshtrohet dhe ta kalojë me sukses testin e shkrim- leximit.

Shkrimi të jetë jo më i gjatë se 100 fjalë dhe t’u lejohet edhe mundësia e korrektorit të gjuhës shqipe. Gabimet në ë-ja të mos llogariten, sepse ato i vendosim pa vend edhe ne që jemi pa ndonjë gradë shkencore, e lërë më ata. Ama, atë copë teksti që e shkruajnë vet, bëjëni kriter që të dinë ta lexojnë, rrjedhshëm madje.

E di që do të keni presion të madh dhe për shumë doktorë shkencash kjo është punë shumë e komplikuar, ama diçka duhet të dinë edhe ata. Alfabeti ynë është paksa më i gjatë se i të tjerëve, por i sigurojmë se krejt kjo shoqëri do të mobilizohet t’i ndihmojë. Ne e dimë që po e bëjmë për të mirën e përbashkët këtë punë dhe besoj këtë sakrificë janë të gatshëm ta ndërmarrin edhe ata vet. E rrokën pushkën dikur, pse të mos e rrokin lapsin sot.

Nuk duam asgjë më tepër intelektuale nga ta. Fundja me shkencë nuk e kanë ndërmend të merren.

Po e bëtë këtë me sukses, Ministër, ju siguroj se do të hyni në histori për mirë. Do të konsideroheni i pari që hodhi themelin e zhdukjes së analfabetizmit në Kosovën e pasluftës. Sa bukur do të ishte të dërgonim për herë të parë nga pavarësia e këndej një ambasador në Shqipëri që di shkrim lexim. Sa bukur do të ishte që në legjislativin e ardhshëm pjesa dërrmuese e deputetëve të mos ishin analfabetë, sa bukur do të ishte që ministrat tanë të fitonin në garën e festës së abetares ndaj nxënësve të klasës së parë, sa bukur do të ishte që kryetarët e komunave të dinin të shkruanin një copë letër më mirë se hartimet e nxënësve të klasës së dytë. A nuk do të krenoheshim me këtë të gjithë?

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/leter-e-hapur-arsim-bajramit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala