Kur Mustafët ta mbyllin gojën!

Autori:Avdyl Pajaziti

Ç’është kjo gjuhë e Mustafëve? Posa morën pushtetin, filluan të shajnë me arrogancë e injorojnë majtas e djathtas. “Jeni zhvatës, jeni dyftyrësh…” te thëna nga Akademik Isa Mustafa, ose “mbylle gojën, je mashtrues…” të thëna nga Doktor Muhamet Mustafa janë për keqardhje.

“Nëse dëshiron ta njohësh karakterin e dikujt, jepi pushtet!”, ka thënë presidenti i famshëm amerikan, Abraham Lincoln.

Gjuha e tyre është larg asaj të njerëzve të shkolluar, sikurse është larg personave të moshës së pjekur, apo liderëve që u prijnë 2 milionë njerëzve.

Mustafët, sa më larg po arrijnë në hierarkinë e pushtetit, aq më shumë po bëhen arrogantë. I njoh dytë personalisht dhe dikur ishin të urtë, të kulturuar dhe të civilizuar. Sot, asnjëri nuk janë të tillë. Madje, e tregojnë karakterin e tyre arrogant edhe publikisht, në TV-të kombëtare apo gjithëkombëtare.

Qysh nuk e kuptoi Akademiku Mustafa se thënia e tij e famshme për nga arroganca “ me duar në xhepa” ia humbi zgjedhjet në Prishtinë!?

Ai tash është kryeministër, por me këtë stil udhëheqjeje po e fundosë Kosovën. Është pikërisht prepotenca e tij në rastin Jablanovic që nxiti bukur shumë protestuesit vulgarë ta sulmojnë policinë e pafajshme. Nesër mund të nxitë diçka tjetër… Marsi i 2004-tës filloi njëjtë.

Për t’ia vënë qershinë mbi tortë u përkujdes Mustafa tjetër. Si duket në ndarjen e detyrave atij i ra hise të merret me Trepçën, çështja e dytë për të cilët u kall Prishtina.

Pa qenë në gjendje ta arsyetojë tërheqjen e ligjit, ai turret e ofendon kundërshtarin. Fillimisht shprehë tërë arsenalin e tij ndaj Dardan Sejdiut të Vetvendosjes e më pas nuk ndalet duke e ofenduar edhe ish shefin e tij, Behxhet Pacollin.

Doktor Mustafa harron se edhe Sejdiu, edhe Pacolli kanë dhjetëra mijë votues. Harron se në media nuk e ka për detyrë që të shprehë arrogancën e tij, por që të qetësojë popullin. Harron se ishte profesor i mijëra studentëve, të cilët kishin respekt të madh për të. Jo se ishte arrogant, por se ishte profesor dhe tek ai shihnin njërzillëk.

Populli u dha pushtet atyre. Në bazë të fjalëve të Presidentit Lincoln, tash po shihen ata të vërtetët.

(Qendrimet jane personale)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/kur-mustafet-ta-mbyllin-gojen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala