KU, KOSOVË?!!

Autori:Avdyl Pajaziti

Pyetja e mirënjohur: “Quo vadis, Kosovë?!”, në shqip do të përkthehej: “Ku po shkon, Kosovë?!”, ose edhe më shkurt: “Ku, Kosovë?!”, “Kah, Kosovë?!..”Kjo pyetje e stërkonsumuar dhe çuditërisht e pavjetëruar, është ndër pyetjet më aktuale që shtrohet sot ndër ne, në përballje me njëqind sfida dhe, veçmas, me valën e re e zor të kuptueshme e të shpjegueshme të braktisjes masive të Kosovës.

Në përvjetorin e 15-të të Çlirimit dhe në 7-Vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, pyetja “Quo vadis?…”, i shtrohet Kosovës , edhe në kuptim të ngushtë e të kornizur politik e administrativ si republikë e si shtet i ri, por edhe në kuptim më të gjerë si pjesë e kombit, edhe si shoqëri dhe realitet i ri; edhe si kauzë dhe pjesë e kauzës së perbashkët kombëtare dhe vizion për të ardhmen e gjakuar shqiptare.

Imponohet , natyrshëm, kjo pyetje, edhe si pyetje tematike e orës inauguruese debatuese të SHBPK-së dhe tryezës së saj: Orë Debati Alternativ.

Pyetja e lashtë “Quo vadis Kosovë? shtrohet edhe në njëjs, si adresim individual, edhe në shumës, si adresim kolektiviteti.

“Kush je? Prej nga vjen? Çfarë bën dhe çfarë do të bëhesh! Kjo,- thoshte mendimtari freng Denis Didero, është pyetja që u duhet bërë të gjitha qenieve të Universit, pyetje të cilave askush nuk do t’u pergjigjet”.

A nuk na e kujtojnë pyetjet e panumërta që lidhen me valën e tanishme të braktisjes së Kosovës më përpara se këngën gati të harruar të Ilir Shaqirit “ku shkojnë kosovarët, pse në Kosovë nuk rrijnë…” me lajtmotivin: “do të kthehem në Prishtinë…” atë dialogun profetizues të para dy – tri vitesh: “Sabiti kish dalë… Edhe filani, edhe fisteku… edhe, edhe…” Dhe në fund përfundimi dhe parashikimi largpamës : “Të gjithë kanë me dalë…”.

Kjo ishte një reklamë, propagandë marketingu,- mund të thotë ndokush,-dhe, si reklamë kishte të bëjë me daljen e klientëve nga një kompani në një kompani tjetër dhe nuk kishte farë lidhjeje me daljen nga Kosova në Evropë… Dhe, vërtetë, ishte një marketing , jo aq fer, por stimulues, i një kompanie të përzier private,( shumë të huaj e pak vendorë), me thirrje të sofistikuar për daljen dhe pastaj marrjen e profetizuar e të programuar, të klientelës vendore kosovare të njërës nga kompanitë me profitabile vendore kosovare, që po përgatitej për t’u hedhur në tregun e shitjes e privatizimit! Reklama jepej me pompë nga televizioni publik i Kosovës, që në masë të mirë paguhej nga paratë e telekompanisë kosovare, nga e cila “të gjithë kanë me dalë”, sepse dikujt i levërdiste “me dalë”, “të gjithë me dalë”, pa u mërzitur fare, çdo të ndodhte me kompaninë profitabile publike, që shteti i Kosovës po e nxirte në pazar… A pati ndonjë analizë a reagim për porosinë që jepte kjo reklamë qëllimisht dykuptimore për punonjesit e shumtë dhe madje për gjithë klientelën milionëshe të Postë-Telekomit të Kosovës?!

A nuk është ky vetëm një nga shembujt e shumtë ilustrues të një fenomeni të para sa vitesh ,në mikroplan, për proceset që po na ndodhin sot në makroplan, në plan shtetëror e madje edhe kombëtar? Vite më parë askush dhe askund nuk u shtrua, sa e si duhet pyetja: “Quo vadis , Vala?” Sot po shtrohet gjithandej dhe nga të gjithë pyetja: “Quo vadis, vala e re e zbrazjes së Kosovës?!”

Pa lejuar shkarje në pozita pesimiste e nihiliste dhe pa mohuar e vënë në dyshim edhe ato të arriturat evidente që dihen e njihen, një fakt imponohet si i pamohueshëm-Pyetja: “Quo vadis…?”,shtrohet sot, gjithandej, nga të gjithë, në të gjitha fushat…

Midis vetëgënjimit dhe zhgënjimit

Dëgjojmë nga nivelet më të larta shtetërore të thuhet se Kosova është plotësisht e lirë, e pavarur, sovrane, madje edhe unitare, në progres të gjithanshëm, dhe madje më shpejtë se të gjithë përreth e më gjerë. Çka thonë faktet? A është, vërtet e tillë Kosova jonë dhe madje a është në rrugë që të bëhet e tillë?

Thuhet se Republika e Kosovës është në paqe dhe në raporte normale bashkëpunimi jo vetëm me vendet tjera fqinje, por edhe me vetë Serbinë! Do të dëshironim shumë që të ishte kështu dhe urojmë që të bëhet kështu, por mjerisht, faktet flasin ndryshe. A është paqe, apo një lloj armëpushimi, në një formë luftë dhe vazhdim i luftës në forma tjera?

Kur vendi ish okupues fqinj, nga kthetrat e të cilit ende nuk je liruar krejtësisht e plotësisht, jo vetëm nuk të njeh lirinë, shtetin, pavarësinë dhe sovranitetin, por edhe të trajton me Kushtetutë dhe me strukturë të gjithanshme institucionale si pjesë integrale të tij dhe deklarohet hapur dhe nga niveli më i lartë institucional se nuk heq dorë nga pretendimet e saj revanshiste dhe se do të përdorë të gjitha mjetet dhe rrugët, pos atyre luftarake? A nuk janë forma të luftës speciale ndërhyrjet e gjithanshme diversive, destabilizuese e luftënxitëse anekënd Kosovës, abuzimi me pakicën serbe në Kosovë, përdorimi i saj i pamëshirshëm si “armata manu” kundër paqes, stabilitetit, progresit dhe normalitetit të Kosovës dhe përpjekjet për instrumentalizim madje edhe të pakicave tjera antishqiptare në funksion të bllokimit dhe defunskionalizimit të Republikës së re të Kosovës? A janë inkursionet e krerëve shovinistë, me eskorta të armatosura nëpër Kosovë, shfaqje “devocioni e pelegrinazhi”, siç i cilëson ndonjë lider nonshalant i Kosovës, apo janë politizim dhe instrumentalizim antishqiptar i religjionit dhe monumenteve fetare, tradicionalisht të respektuara dhe të mbrojtura nga shqiptarët dhe tradicionalisht të instrumentalizuara nga shovinizmi antishqiptar?! Pse nuk bëjnë udhëtime të tilla pelegrinazhi liderët kosovarë në Luginën e Preshevës e gjetiu?! Po hapja e dyerve të hekurta dhe lehtësimi i pazakonshëm i lëvizjes së dhjetëra mijëra shqiptarëve nëpër Serbi për në Hungari e tutje dhe pastaj pamundësimi i kthimit të tyre prapa, a nuk janë në funksion të realizimit të porosive të Voisllav Sheshelit dhe parardhësve të tij? Si shpjegohet fakti që ministra të Qeverisë së Kosovës, që deklarojnë hapur e me fodullëk se veprojnë si vartës të kreut politik të Beogradit, për të mbajtur Serbinë në Kosovë dhe për të rivendosur në Kosovë serbët e shpërngulur, kurse sa për shqiptarët e dëbuar nga veriu, nuk qenka e thënë të kthehen atje ku kanë qenë, por mund të bëhet zgjidhje edhe në vendbanime të tjera!? Ndërkaq, për dhjetra mija të dëbuarit e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës, Beogradit e qyteteve të tjera, as që kërkohet dhe as që pranohet të përmenden?! A mund të normalizohen marrëdhëniet shqiptaro-serbe, pa zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme të çështjeve të pazgjidhura dhe pa respektimin e parimeve të mirënjohura të së drejtës ndërkombëtare, siç janë parimi i reciprocitetit e integritetit, barazisë dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme?! A ndihmojnë integrimin e serbëve dhe normalizimin e raporteve ndërfqinjësore konçesionet e njëpasnjëshme që i bëhen Beogradit, në emër të serbëve të instrumentalizuar të Kosovës, apo ndodh e kundërta? Si shpjegohen konçesionet, deri edhe kundërkushtetuese, siç janë referenca te Ligji Kushtetues, si bazë ligjore për rregullim të çështjes së pakicave, të cilin nuk e ka Kosova, por e ka Serbia, ose paragrafet e marrëveshjes aktuale të koalicionit që jo vetëm garanton “Zajednicen” monoetnike të komunave, pra ekskluzivisht”Zajednicen” (bashkësinë) dhe jo Asociacionin, e komunave serbe, përtej “Dokumentiti të Ahtisarit”dhe “Marrëvshjes së Normalizimit…”, por parasheh, madje, edhe trajtim të posaçëm selektiv etnik të procesit të deritashëm dhe të ardhshëm të privatizimit në komunat me shumicë serbe, në kundërshtim edhe me kushtetutën edhe me ligjet për organet e Pavarura. A nuk e imponoi kjo marrëveshje jokushtetuese edhe dramën e parasakohshme me Trepçën dhe pasuritë e Kosovës si dhe lojën bajate me ligjin për Trepçën dhe atë për ndërmarrjet publike?

A nuk ka filluar kështu, me “Zajdnicë” edhe”Republika Srpska?!” Lideri i serbëve të instrumentalizuar të Kosovës, ministri i deridjeshëm i Qeverisë së Kosovës, theksonte se për komunat e veriut të Kosovës do të ketë vetëm një integrim, ai në “Zajednicën” e komunave..! A rrezikon kjo imponimin e një zgjidhje edhe më të dhimbshme për Trepçën dhe pasuritë e saj se sa ajo për Elektrodistribucionin, Feroniklin etj.,dhe nëse lejohet edhe kjo, çka do të thotë për Kosovën dhe të ardhmen e saj?!

Serbia gjenocidale e ndëshkuar ndërkombëtarisht për përgjegjësinë historike që kishte, në vend se të jepte logari edhe për tokat e pushtuara e të shkretëruara, edhe për pasuritë e grabitura e të eksploatuar, edhe për breza të tërë të shtypur e poshtëruar, të dëbuar e të masakruar, vjen tani dhe jo vetëm futë duart gjithandej në punët e brendshme të Kosovës, deri edhe në nivelin më të lartë e më të ndjeshëm pushtetor, por kërkon edhe llogari nga Kosova dhe ndarje e kollofitje edhe të atyre pak pasurive që i kanë mbetur Kosovës!

Degradimi i tashëm dëmton të shkuarën

dhe rrezlikon të ardhmen

Nëse i ashtuquajturi dialog vazhdon të jetë prioritet dhe me agjendë eksluzivisht me çështje puro të brendshme të Kosovës, dhe për më tepër, nëse lejojet edhe përfshirja e paralajmëruar e përfaqësuesve të serbëve kosovarë, të instrumentalizuar nga Beogradi, në ekipin përfaqësues të Kosovës, dhe nëse Prishtina zyrtare e lejon edhe këtë absurd, pa e kushtëzuar me përfshirjen adekuate të përfaqësuesëve të shqiptarëve të Preshevës, a nuk do të thotë se Beogradi po ia del që të imponojë negociatorë të vet në të dy anët e tavolinës dhe ta kthejë gjithë këtë lojë vërtetë në dialog monolog e diabolog, larg bisedimeve ndërshtetërore!?

Pastaj, a mund ta përfaqësojnë siç duhet Kosovën, dhe kauzën e saj, të tillë që nuk kanë qenë pjesë e kauzës së saj dhe nuk kanë besuar në fitoren e saj? Si është e mundur që në ekipin përfaqësues të Kosovës të shtyhen dialogues që mohonin karakterin gjenocidal të dhunës shoviniste në Kosovë e gjetiu, në kohën kur intelektualë demokratë e paqedashës serbë, midis Beogradi e Nishi, e cilësonin me plotë gojën dhe pa ekuivoke si gjenocid?

Po fushata e orkestruar dhe e programuar aq mjeshtërisht kundër vlerave historike kombëtare shqiptare, madje edhe kundër identietit shqiptar, gjuhës së njësuar shqipe, e deri te emri rrezatues i Skenderbeut e dishepujve të tij, dhe kuptohet me përqëndrim të posaçëm në vlerat e luftës atdhetare dhe ushtrisë së saj çlirimtare. A nuk del të jetë kjo, pos tjerash, edhe synim për diferencim dhe margjinalizim të pjesës së dëshmuar atdhetare të skenës politike kosovare si pjesë e strategjisë së përgjithshme revanshiste dhe dealbanizuese të Kosovës dhe viseve tjera? Ata që me të gjitha mënyrat na influenconin që të mos merremi me të kaluarën dhe krimet gjenocidale, por të shikojmë përpara, kah pajtimi dhe bashkëjetesa normale, tani imponojnë, (kurse institucionet tona pranojnë me lehtësi e përunjësi), prokurori e gjykatë speciale, çfarë nuk ka asnjë nga vendet e ish Jugosllavisë, edhe përkundër faktit se Kosova për dallim nga vendet përreth, pos Tribunalit të Hages, kishte edhe një prani ndërkombëtare me kompetenca ekzekutive edhe në fushën e sigurisë dhe drejtësisë. Kjo gjykatë speciale motivohet nga synimi për penalizim jo të kryerësve eventualë të ndonjë akti vërtetë të dënueshëm, por, siç thuhet edhe shprehimisht, ka në shënjestër “pjesëtarë dhe drejtues të UÇK-së”.

Kosovës iu imponua me insistim amnestia për serbët që kanë kryer vepra penale të motivuar nga rrezistenca ndaj pavarësisë së Kosovës, por kjo amnesti nuk përfshiu kryerësit shqiptarë, madje as të dyshuarit e të dënuarit e pafajshëm me dëshmitarë të rrejshëm, për veprat e ngjashme penale, ndonëse një amnisti e tillë ishte paraparë edhe në dokumentin e Rambujesë dhe është një praktikë e zakonshme në të gjitha vendet e sapoçliruara… Si të kuptohet ky lloj përjashtimi selektiv; si diskriminim pozitiv?

Po fenomeni i degradimit moral, korrupsionit dhe kriminalizimit edhe në qeverisje, a është vetëm gjellë e jona, vendore, apo është edhe specialitet i importuar dhe i gatuar bashkërisht me faktorë të jashtëm me ndikim në rrjedhat tona të brendshme. Pastaj, a mund të jenë të pavarur e konsistente, të përfaqësojnë siç duhet kauzën e Kosovës dhe të mbrojnë interesin e vendit, njerëz që eventualisht mund të jenë të zënë në flagrancë e të mbahen peng të shantazhuar nga qendrat e luftës speciale antishqiptare?

Shkalla e lartë e korrupcionit, kriminalitetit dhe nepotizmit jo vetëm që dobëson seriozisht përfaqësimin e jashtëm të Kosovës dhe kauzës së saj, por dëmton dhe degradon edhe gjithë funskionimin e brendshëm politik, ekonomik e shoqëror, diplomatik, kulturor, arsimor, shëndetësor, mjedisor, moral e shpirtëror, që sërish, me dashje apo pa të, përthehet e përkthehet si faktor i rëndësishëm, në luftën speciale kundër Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. Si na u krijua bindja, tani e përhapur gjerësisht në Kosovë, sipas së cilës, fenomene si mito, rryshfeti, dallaveret me përqindje të lartë përfitimi me tenderë, janë shprehje të lirisë së tregut, konkurrencës e privatizimit dhe, si të tilla, janë praktika normale dhe të ligjshme në sistemin modern kapitalist?! A nuk e rrënon kjo jo vetëm bazën ekonomike të jetesës e të mbijetesës, por edhe besimin dhe shpresën e shumicës së njerëzve të varfër dhe në varfërim e sipër se një ditë do të bëhet mirë edhe për ta?

A nuk po e rrënon keqqeverisja, të sotmen e njerëzve tanë; a nuk po e rrënon lufta e neglizhuar speciale, të shkuarën e lavdishme; dhe, a nuk po rrënojnë të dyjat bashkë, të ardhmen e Kosovës dhe gjithë kombit dhe veçmas a po rrezikojmë t’ i humbasim, dy prej resurseve më të çmueshme, pasuritë natyrore dhe rininë e mrekullueshme që kemi?!

Vlerat kombëtare – bazë e ecjes përpara

Me hir apo pa të, me marrëveshje apo pa të, a nuk bashkëveprojnë diversioni i jashtëm dhe degradimi i brendshëm edhe në klimën që prodhon zhgënjim e dëshpërim të gjerë dhe ndërmarrje të dëshpëruara që i bëjnë njerëzit të dalin në rrugë ose të marrin rrugën…

Alternativa: “për rrugë…”, po del të jetë rrugë pa rrugë…Edhe po të gjesh shtek, kurbeti nuk është shtekdalje. Evropa fitohet jo duke u shpërngulur e degdisur nëpër Evropë, por duke u bërë Evropë dhe duke ndërtuar realitet evropian, këtu, në trojet tona arbërore, thellësisht dhe thelbësisht evropiane. Rruga për Evropë, nuk shkon nëpër veri…

Në rrugë, ani, duhet të ndeshesh me vëllaun, e thonë, “në luftë me vëllain, sido që të ndahesh, i humbur je. Edhe kur çarten vëllezërit nuk është mend ta çartin shtëpinë e të mbeten në hënë, në mëshirën e borës e shiut, të stihisë e veriut… Pranvera nuk është aq afër sa duket… Afshi pranveror tek ne, zakonisht ka ardhur, nga Zefiri, nga Era ngrohtë e matan detit, ose nga e bekuara, Jugë e bardhë… Pranvera jonë nuk vjen nga veriu… Nga veriu vjen vetëm veri, vjen ngricë, breshër e stuhi; edhe ku sjell borë të bardhë, tek ne vjen dimër i zi…

I humbur e rrugëhumbur, njeriu ynë ka edhe sa e sa arsye për të shfryrë me dëshpërim: “Quo vadis Kosovë?”, ” Ku, Kosove?”.

Përgjigjja, lajtmotiv i zakonshëm i zyrtarëve tanë të kënaqur, do të ishte:” Dihet, në Evropë…Në familjen e dëshiruar evropiane…Në ardhmërinë e ëndërruar, të lirë e të lumtur…”, e sheqerka të ngjashme, të mirënjohura aq sa të dala boje… Pergjigja e asaj pjesës më të dëshpëruar e shpresëhumbur, do të mund të ishte: “A nuk po shihet?! Ja në rrugë, ja për rrugë! Ose muhaxhir modern për ëndrrën evropiane, ose muxhahedin i pashpresë në luftërat e botës…Kudoqoftë, vetëm këtu jo, jo më… “.

Pjesa më e madhe e njerëzve, e hutuar e disi e paralizuar, pyet me dhembje e keqardhje të thellë, me zhgënjim dhe jo pa qortim: “E, po ku jemi? Ç’ po ndodh kështu me ne..? “Si vite më parë në Shqipëri, kur këngëtarja kosovare Hadërgjonaj, klithte nga zemra e vrarë: “Po kush na ka ngatërrruar ka keq?!”.

Thonë se njerëzimi sa herë ndodhet në udhëkryeqe, para pengesave e vështirësive të mëdha, ka një prirje për t’ iu kthyer të së kaluares. A po u ndodh kjo edhe shqiptarëve, në këtë udhëkryq të ri historik ..? Në arkën e së kaluarës, ani, ka gjithçka…Apo u kthehen shqiptarët vlerave të duhura, vlerave të mirëfillta atdhetare e progresiste, liridashëse, përparimdashëse e paqedashëse, kombëtare e demokratike? Mbështetje në të kaluarën e lavdishme, si bazë për të ecur përpara…

A nuk është shpëtimi, sërish,në frymën e Pashko Vasës me shokë, natyrisht të përshtatur vlerave më pozitive të Evropës që synojmë, të kohës që jetojmë dhe të ardhmes që ëndërrojmë…

Në Evropën e bashkuar e të integruar nuk shkojmë dot as si muhaxhirë dhe as si muxhahedinë, por si shqiptarë evropianë, si komb, i bashkuar e i integruar, i rilindur si feniksi në zemrën e lashtë të Evropës, i emancipuar e i lartësuar, me shtet e sovranitet, me identitet e dinjitet e integritet…

Thonë, kur ia bënë Shën Pjetrit pyetjen e mirënjohur: “Quo vadis ,domini?”, ai i ishte përgjegjur:” Në Romë, në gozhdim (kryqëzim) të ri… “. Naimi ynë i madh, këtë pyetje e shtronte disi më ndryshe: Jo – “Ku po shkon, o i bekuar,”, por- “Pse s’vjen o Dritë e bekuar…?!”. Bashkë me Pashko Vasën e baballarë të tjerë të kombit edhe i luteshin “Ditës” dhe “Dritës së jetës dhe të së vërtetës”, për “zgjim”e “lartësim”, edhe jepnin kushtrimin shpëtimtar: “Qonju shqyptarë, prej gjumit, qonju /dhe, të gjithë, si vëllezër, një Besë, shtrëngonju!..”.

“Në bashkim të dhe vetëm në bashkim, do të na thoshin rilindasit tanë, edhe sot, është shpëtimi ynë”. Vite më parë, na e thoshin në një mënyrë tjetër, të njejtën porosi, presidenti Klinton dhe rivali i tij zoti, Robert Dol, duke deklaruar botërisht, se në rastin e Kosovës dhe për shpëtimin e Kosovës, ishin bërë bashkë republikanë e demokratë.

A mund të kërkojmë kaq, edhe ne sot, nga njëri – tjetri, si përgjigje në pyetjen e njerëzve tanë dhe miqve tanë: “Quo Vadis, Kosovë?”, “Ku Kosovë?!!”.

(Fjalë e mbajtur në Tryezën: Orë debati alternativ, me temë: “Quo Vadis, Kosovë?!!”, organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës).

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/ku-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala