Ku ishe ti Mehmet Kraja?

Autori:Zekirja Shabani

Unë Edison Ypi nuk kam qënë gjithmonë ky që jam sot, ky që me shpat’ e jatagan vret e pret sa majtas e djathtas nëpër gazeta, aktiv dhe agresiv i papërmbajtur që ngre në qiell dhe varros nën tokë cilindo që e ka hak, dhe kurrkush nuk guxon ta kundërshtojë nga frika se po j’u vërsula e fus në dhe’ të gjallë. Unë kam qënë një kokëulur që gjithë kohën kam bluajtur paradokset e diktaturës me mokrrat e mendjes duke prodhuar miell cerebral të cilësisë së parë për bukën e sotme mediatike.

Unë nga të rrallët, ndoshta i vetmi, që kurvit dhe diktaturës u parashikova fundin, qysh në vogëli kam pasur, dhe ende kam, ndjesinë se nuk udhëtoj nga lindja drejt vdekjes por kah vdekja drejt lindjes. Unë nuk pres të vdes. Unë pres të lind. Ky përjetim krishtëror më ka ndihmuar goxha. Mes tjerash, për të mos u merakosur aspak se pas ndërrimit të sistemit, nuk kisha një punë, nuk kisha një rrogë, rrjedhimisht nuk kisha një të ardhme. Brenda kësaj ndjesie, gjatë disa viteve, mrekullinë e shumpritur e përjetova me tërë sublimitetin e vet, si marramendje, si dehje, si delir. Aty nga ’92-shi një mik më tha; “Edison, luj vendit, po ndajnë postet këta…”. E shporra me pëbuzje dhe neveri mikun e keqkuptuar.

Kurvi kishte vdekur. Diktatura ishte shembur. S’më hynin në sy as “këta” as “ata” dhe askush. Nuk ëndërroja asnjë post. S’kisha nga cili vend të luaj. Isha në kohën e duhur në vendin e duhur. Për të mbijetuar vajta disa herë Greqi dhe Itali ku për periudha të shkurtëra bëra punë krahu. Aty nga ’96-a më së fundi kuptova se nuk isha për emigracion, nuk kisha asnjë talent për të bërë ndonjë biznes, aq më pak për politikë, edhe më pak për dallavere. Mirpo pilafi i dehjes me liri dhe demokraci s’mbate më asnjë pikë uji. Mbeta pa një lek në xhep. Më duhej një punë.

Në këto e sipër, gjithmonë përkrah ndjesisë krishtërore se udhëtoja nga vdekja drejt ngjalljes, dikush që punonte në Ministrinë e Jashtëme më tregoi katin e katërt ku ishte një drejtori e Shërbimit Informativ përgjegjëse për jashtë. Mu duk rast i mirë për ta ndihmuar sadopak shtetin tim tashmë demokratik. Nuk trokita në asnjë zyrë. Mjaftoi një telefonatë e një miku deputet. Të nesërmen vajta atje ku si një nëpunës më se i rëndomtë nuk bëra as vezën e kuqe as vezën blu, madje nuk bëra asnjë vezë. Thjesht përktheva disa libra të mërzishëm, dhe do isha larguar. Por ndejta. Sepse ndërkohë ndodhi diçka që edhe Zoti po të ma kishte paralajmëruar, edhe 70 herë të më vrisje dhe 700 herë të më therje, nuk do ta kisha besuar se do ndodhte; Nisën të më kenë frikë. Frikë kot, frikë bosh, frikë pa subjekt, frikë pa objekt, frikë pa asgjë, frikë nga hiçi, frikë nga ajo që sa më e madhe është për të frikësuarin, aq dhe e shijshme është për “friksuesin”.

Nuk kam provuar kurrë në jetë një emocion të tillë sa për të qarë dhe për të qeshur. Më magjepsi jashtë mase kjo lloj frike pa asnjëlloj shkaku, ky lloj avantazhi misterioz që, si nëpër libra dhe filma, vinte nga asgjëja, nga boshi. Prandaj dhe ndejta nja dy vite derisa u ndrrua pushteti.
Në ato kohë kisha disa miq të mirë kosovarë. Mes tyre shquanin legjendarët Nexhmedin Spahiu dhe Arben Popoci. Mes kosovarëve që njihja ishte edhe Mehmet Kraja. Lexova disa libra të tij që më pëlqyen shumë; subjekte interesante, talent, ndjeshmëri, dashuri për Kosovën, Shqipërinë, stil, gjuhë e pasur.

Prej asaj kohe për Mehmet Krajën shkrimtar, mendimtar, atdhetar, kam pasur dhe kam respekt të gradës më të lartë.
Një ditë, për herë të parë dhe të fundit, një nga shefat më bëri një kërkesë të çuditëshme. Meqënëse me Mehmet Krajën ti ke muhabet, më tha, pasi ta sigurosh se emri i tij nuk do dali kurrkund, thuaji të na përgatisë një faqe lidhur me çfarë po ndodh në Kosovë.

S’kisha asnjë arësye të mos pranoja t’ja bëja Mehmet Krajës një kërkesë të tillë. E konsiderova më se normale që në atë kohë të turbullt shteti im demokratik, për më tepër i ri dhe pa përvojë, të donte të dinte. Fola me Krajën. U mendua nja dy minuta. Mirë tha, do ta bëj një faqe me çfarë po më kërkon, dhe ta sjell nesër. Nuk e solli as nesër as pasnesër as kurrë.
Megjithse arësyen e refuzimit nuk e mësova dhe as insistova ta di, e respektova heshtjen e tij.
Ama qefi më mbeti. Se edhe premtim edhe refuzim, pra edhe trim edhe frikacak, afërmendsh është më keq se vetëm trim ose vetëm frikacak.

Unë isha atje ku të gjithë e dinin. Kur ndonjë apo disa motërshkërdhyer ndoshta më përgojonin, por meqënëse isha qehlibar i pastër s’më bënte asnjë përshtypje.

Ku ishe ti Mehmet Kraja ?

Pse nuk e ndihmove Shqipërinë ?

Përderisa nuk e ndihmove atëhere, pse çuditesh sot kur, krejt njëlloj si andejna dhe knejna, letërsinë na e bëjnë grafomanët, OJQ-të na i kryesojnë kurvat, politikën banditët, ekonominë mafia, hajninë nëpunësat, mitomanët na mbahen për dijetarë, grafomanët për shkrimtarë, gazetat dhe televizionet i kemi plot me horra që mburrin veten dhe njëritjetrin.

Episodin e mësipërm nuk e solla si të rëndësishëm, por si domethënës.
Në një kohë mishrrënqethëse si kjo kur Kosova nuk po boshatiset nga asnjë represion serb apo bombardim, por thjesht dhe vetëm se në krye ka hajdutë dhe banditë që mbahen për “çlirimtarë”, mua dhe të tjerë nuk duhet të na lodhësh duke kërku me e kuptu thelbin mes rreshtave të tu. Nuk po them të na bësh listën e kurvave që kryesojnë OJQ-të, as të banditave politikanë prej të cilëve të gjen belaja. Është në të mirën e Kosovës, të Shqipërisë, dhe në nderin tënd të na e thuash copë atë që është kryesorja dhe ti Mehmet i dashur e ke më se të qartë; Se NATO-s që ta bombardonte Serbinë i duhej në Kosovë një aleat i brendshëm. Se atë aleat NATO dhe Perëndimi e kërkuan por nuk e gjetën dot tek intelektualët apo qytetarët e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit. Për aleat të brendshëm NATO gjeti kë mundi, kë i doli përpara, marksist-leninistët e Diasporës, dishepuj të kurvit dhe të indoktrinuarit nga sigurimi i shtetit dhe Zëri i Popullit, banditë dhe vrasësa me të cilët edhe sot merret Drejtësia ndërkombëtare. Cilin qytet apo fshat çliruan “çlirimtarët”?

Pse fill pas bombardimeve “çlirimtarët” nuk vajtën të shporrin nga Mitrovica e veriut një grusht serbësh por u ngutën të zaptonin shtëpitë e serbëve të Prishtinës prej ballkonave të të cilave shtëpi nga qefi i fitores ja mshun shurrës ? Pse krejt njëlloj si kurvi i Tiranës që frymëzoi për gjysëm shekulli spiunat dhe vrasësat e Shqipërisë ta shndrronin Shqipërinë në burg, edhe demek akademiku, laviri i Prishtinës, po vazhdon të frymëzojë vrasësat “çlirimtarë” që e kanë pushtu Kosovën dhe po i bëjnë kosovarët të marrin arratinë nga sytë këmbët ?

I dashur Mehmet,
Me shkrimin tënd “Ku ishe ti Adam”, të cilit unë nuk guxoj t’i heq asnjë presje apo t’i ndryshoj një gërmë, ke bërë një kornizë të florinjtë. Por nuk e ke maru tablonë nga brenda. Librat e ty, dhe ty si shkrimtar dhe intelektual, unë j’u adhuroj. Problemi është, që ashtu si dhe unë, Shqipëria dhe Kosova të mos shkojnë kah vdekja por nga ngjallja, pa pasur aspak parasysh të urryerin dhe të neveritshmin “militantizëm intelektual”, të ftoj me gjith’ shpirt të guxosh më shumë, të rrezikosh më tepër, të jesh më trim. /MAPO/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/ku-ishe-ti-mehmet-kraja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala