Kosova: Shikim nga Prishtina, krizat që vijnë në vitin 2015

Autori:Zekirja Shabani

Pas gjashtë muajsh bllokade politike, që erdhi për shkak të pamundësisë së fituesit të votës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të formonte një shumicë, kriza përfundoi në dhjetorin e vitit 2014 me koalicionin që rigrupoi dy partitë e shqiptarëve kosovarë, historikisht rivale PDK-në (35 ulëse) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK, 33 ulëse), që iu bashkuan Listës Serbe (LS, formacion i serbëve kosovarë, 9 ulëse). Përkundër një shumice të rehatshme (77 vende nga 120 sish), kjo qeveri mbetet e brishtë për shkak të presioneve me të cilat u përball gjatë tre muajve e të cilat do të duhej vetëm të shtoheshin gjatë gjithë këtij viti.

Kryeministri e kryetari i LDK –së, Isa Mustafa, paguan, pikësëpari te kritikuesit e vet, për tradhtinë e vet duke e prishur koalicionin e formuar nga opozita një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2014. Dinamika e impulsuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ia doli të bëhej bashkë me LDK-në, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën (fraksion i PDK-së), kishte ushqyer në opinionin publik shpresën e një alternative politike kundër qeverisjes së keqe të përfaqësuar nga kryeministri në largim, kryetar i PDK-së dhe aktualisht zëvendëskryeministër e ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Pos presionit social të bërë nga lëvizjet e grevave që kërkojnë ngritje të pagave të premtuara gjatë fushatës nga paraardhësi i tij, kryeministri ndeshet edhe me dy kriza, pasojat e të cilave nuk e kanë nxjerrë në shesh ende gjerësinë e tyre: Një emigrim masiv dhe ilegal i shqiptarëve kosovarë dhe largimi komplet nga Qeveria dhe nga Parlamenti i partnerëve të serbëve kosovarë LS.

Emigrimi ilegal: Një shprehje zemërimi për Prishtinën

Për disa, vala e emigrimit nga shtatori 2014 deri në janarin e vitit 2015 që vlerësohet të ketë përfshirë ndërmjet 50 000 e 100 000 persona, është një hemorragji shpëtimtare që ia solli Qeverisë një mjet për të ulur presionin social. Disa megjithatë pyetën si ishte bërë i mundshëm ky udhëtim klandestin i tyre. Autobusët vinin nga Beogradi në Prishtinë, i linin kandidatët e azilit në kufirin serbo- hungarez me qëllim shkuarjen në Gjermani, ndërkohë që mediet në Kosovë shpërndanin lajme për nevojën për punë të emigrantëve nëpër shumë lande. Ndoshta mendimi se këta kufij që u hapën përnjëherë ishte fryt i dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës bërë me ndërmjetësim të përfaqësueses së lartë të Bashkimit mund të jetë i sigurt. Ka shumë më shumë gjasë që rrjetet kriminale transkufitare të kenë gjetur një terren marrëveshjeje me autoritetet e dy shteteve. Qeveria e Prishtinës, sado që e zënë ngushtë nga imazhi jashtë i përkeqësuar pas këtij episodi të eksodit, shpreson se ai do të përshpejtojë negociatat me Brukselin për të marrë liberalizimin e vizave. Por shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian mbeten të rezervuara.

Përkundër kushtëzimeve të miravancuara e të realizuara nga Qeveria e Kosovës për të marrë këtë pohim, statistikat e kërkesave të azilit bërë nga qytetarë të Kosovës si dhe mungesa e angazhimit serioz të Prishtinës për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës, nuk i nxisin vendet anëtare që Kosova të mos jetë më shteti i fundit i rajonit pa benefitin e vizave të lira. Megjithëkëtë, janë mu politikat ultraliberale zbatuar në Kosovë nga Komisioni Evropian që nga vitet e pasluftës, kur ai udhëhiqte Shtyllën e Zhvillimit Ekonomik të misionit të KB-së (UNMIK), ato që nisën qeverisjen grabitqare prej së cilës, sidomos PDK, pati një përfitim të madh. Për këtë arsye, shtetet anëtare do të duhej të ishin inspiruar për të analizuar përgjegjësitë e secilit për situatën aktuale, përfshirë dhe ambientin social që rëndon sot e i cili do mund të ndihmojë në shtimin e tensioneve të tjera me të cilat Kosova do të njihet gjatë këtij viti.

Manifestimet: Një tension i vlerësuar mirë

Manifestimet e janarit e të shkurtit po marrin gradualisht një shkallë të paparë duke kanalizuar hidhërimet e ndryshme përreth çështjeve simbolike. Fillimisht pati një denoncim nga ministri i Komunisteve dhe i Kthimit, gjithashtu edhe kryetar i LS, Aleksandar Jablanoviq, i cili i kishte trajtuar si të “egra” nënat e të zhdukurve në Gjakovë, të cilat kishin shkuar të manifestonin para një kishte për të ndaluar shkuarjen e pelegrinëve ortodoksë serbë që kishin ardhur për të kremtuar Krishtlindjet ortodokse. Pastaj pati një tension të minatorëve për ta shndërruar në ndërmarrje publike kompleksin minerar “Trepça” (i cili shtrihet në veri dhe në jug të qytetit të ndarë, Mitrovica), i kërcënuar nga kërkesat e Serbisë dhe me masa likuidimi të urdhëruara, por të hedhura gjithmonë poshtë nga Agjencia e Kosovës për Privatizim – ish-organizëm i vendosur nga BE nga OKB. Kryeministri, i cili ishte angazhuar në këtë çështje, u përpoq për nacionalizimin e tij para se të tërhiqej përballë reagimeve negative të Beogradit e Brukselit. Çështja e të zhdukurve – gjithmonë shumë e ndejshme në qytetin e Gjakovës viktimë e masakrave masive 1998-99 dhe e cila ende nuk di gjë për fatin e qindra të të zhdukurve, por edhe çështja sociale, me “Trepçën” si simbol i shpresës në një prosperitet të ri, por edhe si simbol i luftës që nga Greva e Minatorëve të vitit 1989 e cila denonconte suprimimin e autonomisë së Kosovës – janë dy faktorë të tensioneve që kanë treguar menjëherë limitet dhe dobësitë e Qeverisë, e detyruar në të dy rastet t’i nënshtrohet pushtetit të rrugës: Me ministrin serb i shtyrë për dorëheqje nga kryeministri, më 3 shkurt, dhe për obligimin e kryeministrit që sivjet të merret me çështjen e “Trepçës”.

Kthimi i dhunës, e cila përfshiu manifestimet e fundjanarit, sidomos ndeshjet direkte me Policinë e Kosovës, duhet t’i alarmojë vëzhguesit e informuar. Tani e tutje ekziston një hendek i rëndësishëm në mesin e shoqërisë kosovare. Kjo dhunë nuk ka qenë objektiv i organizatorëve, në krye me tri partitë kryesore opozitare. VV, organizatorja kryesore e manifestimeve tash e dhjetë vjet, pranon të jetë e befasuar dhe e tronditur. Nxitja e dhunës e orkestruar nga ata që kërkojnë gjithmonë ta diskreditojnë VV-në (PDK dhe shërbimi i saj informativ, zyrtarisht i shpërbërë, ShIK) nuk mjafton për ta shpjeguar këtë kthim. Sigurisht, shumëkush kishte ardhur thjesht për t’iu bashkuar lëvizjes kundër Qeverisë, simbol i nepotizmit, i korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit e përgjegjëse e mjerimit social që po zbraz fshatrat dhe po mbush rrugët e mërgimit e ekzilit.

Partneri serb i Prishtinës: Kalë Troje i Beogradit?

Dorëheqja e ministrit serb shkaktoi bojkotin e tre ministrave dhe të gjithë deputetëve të saj. Që nga themelimi në vitin 2013 dhe që nga fitorja e saj në katër komunat e veriut, LS u bë instrument i dyshimtë i ndikimit të Beogradit në Kosovë. Duke përfshirë, gjatë votimeve parlamentare të qershorit 2014, të gjitha partitë serbe kosovare që deri më atëherë kishin bashkëpunuar me institucionet e Prishtinës e të cilat nganjëherë shfaqnin mosbesime ndaj instrumentalizimeve të Beogradit (kjo madje edhe para shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008), LS bën levën e presionit për Beogradin. Me nëntë deputetët e vet nga dhjetë vendet e rezervuara për serbët kosovarë në Kuvend (dhjetë të tjerë të rezervuar për minoritetet tjera), LS është thelbësorja për të përkrahur çdo çështje të rëndësishme për Kosovën, e sidomos ato krucialet për serbët kosovarë.

Për shembull, ka një vit, shumica e bërë nga dy të tretat do të kishte arritur të votonte shndërrimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës (FSK) në një armatë, në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Në të vërtetë, pos kuorumit të 2/3 (ose 81 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi, një votë e dyfishtë duhet të zbatohet edhe për të siguruar një kuorum me miratim të 2/3 të votave të minoriteteve (ose 14 ndaj 20). Mungonin vetëm votat serbe, të cilat, për këmbim kërkojnë mbetjen e vendeve të rezervuar për tri mandate në vend të dy sa parashihen me Kushtetutë. LDK – për shkaqe të pastra taktike të partisë atëherë në opozitë dhe e cila kishte ambicie t’ia faturonte vetes bilancin ekzekutiv të krijimit të FAK – ut – dhe VV – për arsye parimore që të mos lëshonte pe ndaj një shantazhi të orkestruar nga Beogradi – refuzuan t’i nënshtroheshin kësaj kërkese dhe votimi nuk u bë. Ky dështim përshpejtoi zgjedhjet e parakohshme të qershorit 2014.

Asociacioni serb i komunave: Drejt një Kosove të paqeverisshme

E sot, edhe nëse transformimi i FSK-së në FAK mbetet në programin e prioriteteve, ajo që i preokupon pikësëpari autoritetet e Prishtinës e edhe të gjitha partitë e shqiptarëve kosovarë, është krijimi i Asociacionit serb të komunave. Qeverisja ndërkombëtare e Kosovës ka gjithmonë privilegjet e “ambiguiteteve konstruktive” për të mundësuar çdo hap të ri drejt normalizimit ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe për të shpëtuar fytyrën e udhëheqësve të tyre respektivë përballë opinioneve publike. I tillë pritet të jetë ky entitet i dizajnuar për komunat me shumicë serbe, të cilin Beogradi e quan bashkësi e Prishtina asociacion, sipas imazhit të atij tashmë ekzistues për të gjitha komunat e vendit.

Krijimi i këtij asociacioni /bashkësie ishte paraparë me Marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe ai ka të bëjë sidomos me qeverisjen e katër komunave të veriut të Kosovës (përfshirë aty edhe Mitrovica veriore). E parafuar nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kjo Marrëveshje ishte gjykuar si një hap diplomatik i madh i ish – përfaqësueses së lartë Catherine Ashton. Ajo ia hapi rrugën Prishtinës për të negociuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA, e parafuar në korrikun e vitit 2014) dhe Beogradit për të negociuar pranimin dhe zbatimin e MSA-së së saj. Sido që të jetë, ky entitet në Prishtinë vështrohet si në koncesion tjetër për Beogradin në kohën që Prishtina kishte vënë në jetë pavarësinë, se decentralizimi me krijimin e komunave me shumicë serbe në pjesën tjetër të territorit dhe se një entitet tjetër qeverisës nuk ka pasur vend në veri. Në sytë e shqiptarëve kosovarë, shpërbërja e strukturave paralele, përfshirë dhe Ministrinë e Brendshme dhe të Drejtësisë të Serbisë nuk është bërë ashtu siç ishte paraparë me Marrëveshjen e vitit 2013. Qeverisja përmes “ambiguiteteve – paqartësive – konstruktive” që mban gjallë spekulimet, perceptimi në Prishtinë se asociacioni /bashkësia do të integrohet në strukturat paralele, e bën edhe më të paqeverisshme Kosovën, duke dobësuar sovranitetin e saj dhe duke krijuar një etapë të re të “bosnizimit” të Kosovës dhe të separatizmit. Deklaratat e Beogradit e të LS –së për kompetencat ekzekutive të dëshiruara për këtë asociacion/bashkësi, nuk janë ato që bëjnë për t’u ndryshuar perceptimet.

Në kohën që dialogu politik ka rifilluar në Bruksel, kësaj radhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq (nënshkrues të Marrëveshjes së 9 shkurtit për sistemin juridik të zbatueshëm në veri), Brukseli, i cili ka marrë përsipër redaktimin e statuseve të asociacionit/bashkësisë, nuk e pohon me shumë vrull se i vetmi kuadër juridik në të cilin bazohet ky entitet, është ai i Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Speciale: Një tension më shumë

Nëse ky subjekt mund të shërbejë si pretekst për refuzim masiv të shumicës shqiptare kundër procesit politik të zhvilluar nga Brukseli, çështja e Gjykatës Speciale e paraparë për të gjykuar krimet e presupozuara bërë nga UÇK, tregohet shumë e ndjeshme dhe ajo mund ta thyejë koalicionin e brishtë. Sa për kujtesë, pas akuzave të para për trafikimin e supozuar të organeve njerëzore bërë nga UÇK, publikuar nga ish-kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë në vitin 2008, Carla del Ponte, dhe raportit të senatorit zviceran Dick Marty bërë për Këshillin e Evropës në janarin e vitit 2011, në shkurtin e vitit 2011 qe krijuar një Task Forcë investigimi nën autoritetin e misionit evropian të shtetit të së drejtës, EULEX. Prokurori amerikan i cili e udhëhiqte deri në korrikun e vitit 2014 braktisi funksionet duke konfirmuar se konkluzionet ishin “në pjesën më të madhe konform” me raportin e Këshillit të Evropës dhe madje edhe nëse trafikimi i supozuar ishte “i një shkalle të limituar”, ka prova kundër ish-udhëheqësve të UÇK -së. Për t’i gjykuar, është vendosur të krijohet një Gjykatë Speciale jashtë, larg çdo presioni dhe jashtë juridiksionit të Kosovës, në Holandë.

Qeveria nuk pati zgjidhje tjetër pos të bashkëpunojë, ish-kryeministri dhe përgjegjësi politik zyrtar i UÇK, H. Thaçi, u justifikua duke thënë se procesi i ardhshëm do të tregojë se guerilja ka bërë një luftë të pastër. Kritikët, shumica mu në gjirin e PDK -së, këtë e shohin si një arritje të strategjisë serbe përmes ndikimit të saj në Këshillin e Evropës, por edhe si dështime të shumta të drejtësisë së UNMIK-ut, EULEX -it dhe asaj të Kosovës. Në sytë e shumicës së popullatës, sistemet e grumbulluara të drejtësisë nuk kanë mundur të trajtojnë kurrë atë që është vërejtur si burim kryesor i të gjitha padrejtësive: Mungesa e të gjykuarve të fajshëm për shumicën e varrezave masive të shqiptarëve kosovarë gjetur edhe në vetë Serbinë si dhe mungesa e gjykimit kundër korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik, i cili po gangrenon veprimin e shtetit të Kosovës.

Një skandal përfundimisht ka minuar çdo besim eventual në drejtësinë ndërkombëtare kur në nëntorin e vitit 2014 një prokurore britanike e EULEX –it bëri akuza të rënda për ryshfet kundër eprorit të saj çek dhe një gjykatësi italian të akuzuar se kishin fshehur dosje lidhur me kriminalitetin e madh të organizuar. Më parë EULEX-i kishte zhgënjyer pritjet popullore për një drejtësi që trajtonte mosndëshkimin e klasës politike qeverisëse e cila kishte infiltruar dhe e kishte bërë të pafuqishme drejtësinë zyrtare të Kosovës.

Sa u përket krimeve të luftës, luftëtarë të UÇK-së tashmë janë gjykuar në Kosovë nga panele të përziera EULEX/Institucione kosovare dhe prej këndej moskuptimi për mbajtjen e proceseve të reja, aq më tepër jashtë vendit. Dy komandantët e famshëm të UÇK –së, Ramush Haradinaj (kryetar i AAK-së) dhe Fatmir Limaj (kryetar i Nismës), tashmë secili ka pasur një proces në Hagë. Megjithëkëtë, këta dy opozitarë të H. Thaçit, ashtu sikur dhe shumë të tjerë në mesin e ish-përgjegjësve ushtarakë të UÇK-së, kanë shumë pak besim në të sikur dhe në ish-shefin e ShIK –ut tash në krye të Kuvendit Kadri Veseli, për shkak të aftësive të tyre të supozuara për të manipuluar, madje, edhe me anketat ndërkombëtare.

Pos kësaj, Gjykata Speciale është edhe për të gjykuar të gjitha krimet e bëra në emër të vet UÇK- së, deri në fund të vitit 2000, pra shumë pas mbarimit të armiqësive (12 qershor 1999, vendosjes së NATO-s në Kosovë). Përveç rasteve të kësaj periudhe të viteve 1997-98, ajo mund të heqë edhe maskën e errët nga tensionet e mëdha ndërshqiptare të atëhershme ndërmjet UÇK-së e LDK-së të kryetarit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, udhëheqës i rezistencës pacifiste. Konflikti ndërmjet gueriljes dhe LDK-së kishte të bënte kryesisht rreth kërkesës së UÇK –së që asaj t’i derdheshin fondet e Qeverisë në ekzil dhe për propozimin e kësaj të fundit për bashkim në luftën e armatosur duke siguruar kuadro ushtarake me përvojë. Mospajtimet atëbotë shkaktuan vrasje të pashpjegueshme të shqiptarëve kosovarë dhe marrëveshje konfindenciale u bënë për të mbajtur njëfarë balance ndërmjet LDK-së e PDK –së e dalë nga UÇK. Hashim Thaçi sikur dhe Isa Mustafa si ish -ministër i Ekonomisë dhe i Financave në Qeverinë në ekzil, e dinë mbajtjen e këtyre marrëveshjeve dhe nuk e kanë asnjë dobi t’i zbulojnë. Gjykata për dikë shkakton frikë se mund të bien fli e të vërtetave të fshehura e për të tjerët frikën se ato sekrete do të dalin në dritë.

Përfundim: Ç’kohezion i qëndrueshëm për Qeverinë

Duke qenë jashtë juridiksionit të Kosovës, krijimi i kësaj Gjykate ka nevojë për amendamente kushtetuese ndërfutja e të cilëve implikon doemos Gjykatën Kushtetuese. Pastaj rregulla e votimit të dyfishtë të 2/3 të deputetëve do të duhej të zbatohej, por kjo gjë varet nga kthimi efektiv i deputetëve të LS –së. Këta të fundit qëllim kryesor e kanë arritjen e koncesioneve maksimale për prerogativat e asociacionit /bashkësisë së komunave serbe. Rreziku është se Brukseli i cili menaxhon Serbinë për arsye gjeostrategjike të lidhura me marrëdhëniet evropiane me Rusinë- lidh artificialisht dy çështje, përfundon ashtu që ta detyrojë Prishtinën për koncesione të reja ndaj Beogradit, duke siguruar gjithnjë se drejtësia ndërkombëtare nuk do të shkojë krejtësisht në fund dhe ajo privon edhe më tej popullatën nga zbatimi i një drejtësie reale. Kjo qeverisje PDK-LDK-LS është, pra, një sajesë interesash që për kohezion ka vetëm sekrete për t’u mbrojtur ndërmjet dy të parëve dhe kjo për Beogradin bën një epërsi unike për ta shtyrë avantazhin me të tretin.

Përballë këtij raporti të forcave në favor të Serbisë, nuk është për t’u habitur që Shqipëria shihet shumë më e ashpër në mbrojtjen e interesave të Kosovës, e gatshme për të luajtur në perin e paqartësive të bashkimit të shqiptarëve, ashtu sikur Beogradi edhe me një Republikë Serbe – me veriun e Kosovës. Pafuqia e Qeverisë serbe për ta kthyer në Hagë ultranacionalistin Vojislav Sheshel, i liruar përkohësisht nga GjPNJ në nëntorin e vitit 2014 për shkak të sëmundjes, emërimi tash së voni i ish-shefi të shërbimit informativ ushtarak në krye të Zyrës që mbikëqyr në Beograd dialogun me ndërmjetësim të Brukselit, ose vendimi i Beogradit për të paraduar më 9 maj në Moskë në kujtim të fundit të Luftës së Dytë Botërore në Rusi, tregojnë se ngjyra e hollë proevropiane e udhëheqësve serbë të sotëm nuk e fshin dot kohëzgjatjen e shërbimit të tyre pranë Serbisë në luftëra kundër të gjithëve dhe as lojën e tyre të turbullt.

Sa i përket opozitës së Kosovës, më e bashkuar se kurrë (parashihet një kongres i LDK-së që së shpejti duhet të vendosë rreth aleancës së kaluar të I. Mustafës me PDK-në), ajo llogarit të kanalizojë të gjitha dëshpërimet dhe frustrimet e përmendura në këtë shkrim, e edhe gjatë ciklit të parë të manifestimeve të paralajmëruara më 18 prill. Presioni politik e social është aty për të vazhduar e zgjatur e përgjigjet për pakënaqësitë dhe padrejtësitë vonojnë për të ardhur 

Sébastien Gricourt, njohës i gjuhës shqipe, i çështjeve ballkanike në përgjithësi dhe i çështjeve shqiptare në veçanti, është bashkautor i librit “Kosova: Rrëfime për ndërtimin një shteti”, botuar nga grupi, KOHA, 2015. Ai ka qëndruar një kohë të gjatë, para dhe pas lufte, në Kosovë. Ky shkrim është publikuar më 16 prill 2015 në rubrikën “Tribune” te webfaqja e njohur franceze për studime ndërkombëtare IRIS (Institut des Relations Internationales et Stratégiques), pas qëndrimit të tij në fund të marsit dhe në fillim të prillit të këtij viti në Kosovë

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/kosova-shikim-nga-prishtina-krizat-qe-vijne-ne-vitin-2015/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala