Kemi m’i lypë krundet

Autori:Avdyl Pajaziti

Ka disa muaj që produktet e miellit në sofrat e kosovarëve duken dukshëm më të zeza dhe kapen. Ato nuk janë as të shkrifëta si dikur. Kush nuk frustrohet në atë situatë, dukë dërguar grurë të klasës të parë dhe duke marrë krunde. Për më keq, atyre u është ndërruar emri dhe quhen miell.

Nuk janë vetëm Devollët që po bëjnë kësi gjerash. Ata e kanë filluar, të tjerët për të mbijetuar e pasuan. Edhe ata, pa ndonjë brerje ndërgjegjeje u përshtaten në rrethanat e reja, në sistemin e ri. Askush nuk ndërhyn. As që po shihet ndonjë lëvizje.

Normal, në këto situata një popullatë e kequshqyer edhe ashtu, po vazhdon trendin negativ të marrjes së kalorive. Deri në devitamizim total.

Natyrisht se ky sistem i përngjan bukur shumë atij të Enver Hoxhës. Veçse atje politikanët edhe merrnin përgjegjësi dhe i udhëhiqnin torturat me taktikat “rëndoja sa më shumë, deri në pikën e fundit të durimit, deri në pikën e fundit të qëndresës”.

Këtu, i udhëheqin të tjerët dhe fodullët në pushtet lënë popullatën në mëshirë të biznesmenëve. Të hanë krunde. Kush e di çka tjetër. Me mish nuk guxon të merret askush. Perimet janë plastifikuar qëmoti. Qumështi vjen me afat aq sa donë shitësit e supermarketeve, njëjtë ndodhë edhe më ëmbëlsira. Do afat, shto edhe pak acid. Duron organizmi i kosovarëve, sepse është i kalitur mirë.

Ata që nuk durojnë kanë zgjedhur të ikin. Kanë iphona, por nuk kanë sistem jetese këtu.

E ikja po na kushton ne tjerëve sepse bizneset e fuqishme kanë bërë projeksionet për të hyra duke i llogaritur si gjah edhe ata. Tkurrja e tregut që tash është 100 mijë persona më pak i ka lëkundur ato. Por, menaxhmenti i tyre nën presionin e rënies së përformancës dhe frikën mos po shkarkohet, po ua rëndon jetën këtyre që po rrinë. Në situatë kur askush nuk kontrollon asgjë, ata një ditë do ta gjejnë edhe ndonjë helm minjsh në ndonjë depo të mykur e t’ia shesin popullatës. Do ta faturojnë si uthull, sigurisht.

E atëherë qeveritarët si ndër dhëmb do të na thonë “i keni sharë krundet, e shihni se ka edhe më keq. Vet e keni lypë”.

Shikojeni dy bankat më të mëdha, Raiffeise dhe ProCredit si po veprojnë. Nuk zgjedhin mjete për të mos u rënë të hyrat. Çdo ditë i rrisin shërbimet. Kredi nuk po u merr kush sepse s’kanë si i kthejnë ato fajde. Atyre të rrjepurve, tash shteti i vënë në shërbim të monstrumëve ua ka flukur edhe përmbaruesit, të cilët mund të bëjnë ç’të duan me llogarinë e tyre bankare. Mjafton t’i teket ndonjërës bankë të ketë pretendime ndaj ndonjërit.

Çmenduria e bankave shkon përtej çdo parashikimi- duhet të paguash përqindje të mirë edhe për t’i tërhequr paratë tua! Ky nuk është sistem as kapitalist as socialist, por mafioz.

Dhashtë Zoti e ndalen njerëzit të mos ikin. Sepse, ikja po e zvogëlon tutje tregun. Në këtë situatë, kompanitë për të mos u rënë fitimet do të na bijnë në qafë me lloj lloj metodash. Do të pësojmë më çka tu bije ndërmend. “Çmenduria njerëzore dhe hapësira janë të pakufishme, por për të dytën nuk jam i sigurt”, thoshte Albert Einstein. Ne jemi në mëshirën e këtyre të çmendurve. Ata, e kanë edhe shtetin me veti. Në këtë situatë, shumë shpejt kemi m’i lype krundet. (Qëndrimet janë personale)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/kemi-mi-lype-krundet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala