Intervista e fundit e Boris Nemtsovit: Rusia, një fashizëm hibrid bashkëkohor

Autori:Avdyl Pajaziti

Nga Michal Kacewicz

Aty gjallojnë milicitë paraushtarake, propaganda e një stili gëbelsian dhe armatimet. Ka një lider dhe vetëm një parti. Rusia po shndërrohet në një vend fashist. Të paktën kjo është ajo, që Boris Nemtsov, më tha disa orë para se të vritej të premten, në qendër të Moskës. Vrasja e tij ndodhi vetëm 2 ditë, para se të fliste në një tubim të madh anti-qeveritar. Askush nuk e di, kush e kreu këtë vrasje të tmerrshme, por ka të ngjarë të jetë rezultat i një gjuetie shtrigash, të nxitur nga mediat ruse dhe liderët e Kremlinit. Në të ashtuquajturin miting anti-Maidan dy javë më parë, banditët pro-Putinit, të veshur me uniforma paramilitare, deklaruan se do të shtypin me gjak, çfarëdolloj proteste kundër qeverisë. Siç duket, ata e filluan me Nemtsovin.

Newsweek: Opozita po del në rrugë, megjithatë regjimi qëndron më i fortë se kurrë. A do të ndryshojë Rusia?

Tani për tani, jemi duke u mbytur. Të gjithë. Për shkak të politikës së Vladimir Putinit, një vend me potencial të pashembullt, po fundoset. Një ekonomi, e cila ka grumbulluar rezerva valutore të pallogaritshme, po falimenton. Ne zotërojmë mbi 500 miliardë dollarë kursime! Për herë të parë në historinë tonë, kishim shansin të bënim një hap të madh zhvillimor. Asnjëherë më parë ndonjë udhëheqës rus, nuk ka pasur një situatë të tillë kaq të rehatshme. Dhe sot po përjetojmë një rënie ekonomike. Çfarë po shohim? Inflacioni 2-shifror, zhvlerësimi i rublës, mbi 150 miliardë dollarë që tashmë janë larguar jashtë vendit! Perëndimi, SHBA dhe Evropa po ecin para, dhe çfarë bën ndërkohë qeveria jonë? Ajo na paraqitet me disa ide të dëshpëruara, kërkon të rregullojë çmimet, subvencionon kompanitë shtetërore, për t’i mundësuar njerëzve të saj, anëtarë të bordeve, të fitojnë edhe më shumë. Dhe më e keqja, kjo qeveri është kredhur në një luftë të kushtueshme, vëllavrasëse në Ukrainë dhe bashkë me të, në një konfrontim të pakuptimtë me Perëndimin. Ne të gjithë, i ndjejmë efektet e kësaj politike të çmendur. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Kjo është arsyeja pse kemi dalë në rrugë. Kjo është një protestë, kundër vetëvrasjes kolektive të Rusisë. Dhe nuk është e nxitur thjesht nga opozita, ajo përkrahet nga të gjithë rusët.

Newsweek: Me sa duket jo nga të gjithë. Pasi nëse dhjetëra mijëra do të marshojnë në Moskë, kjo nuk do të ishte ende asgjë, në krahasim me 80 përqind të rusëve që mbështesin Putinin…

Unë s’kam asnjë dyshim, se lufta për ringjalljen e rusëve, do të jetë e vështirë. Njerëzit po e shohin se ku po na çon ky politikan i çmendur. Ata e shohin përhapjen e korrupsionit, kanë përvojë me veten e tyre, mbi pamjaftueshmërinë e shtetit. Por ata ende besojnë tek ky udhëheqës, sepse për disa nga vitet e shkuara, ky lider diti të bëjë një gjë shumë mirë:shpëlau trutë e rusëve. Ai i infektoi ata me virusin e kompleksit të inferioritetit ndaj Perëndimit, në besimin se e vetmja gjë që ne mund të bëjmë për të habitur botën, është përdorimi i forcës, dhuna dhe agresioni. Putini, i programoi bashkatdhetarët e mi të urrejnë të huajt. Ai i bindi ata, se ne kemi nevojë të rindërtojmë ish-rendin e vjetër sovjetik, dhe se pozicioni i Rusisë në botë, varet tërësisht nga ajo, sesa bota ka frikë nga ne. Ai arriti t’i bëjë tërë këto gjëra, me një propagandë të stilit gëbelsian. Në qoftë se ne flasim për përgjegjësit e derdhjes së gjakut rus dhe ukrainas në luftë, ajo nuk qëndron vetëm tek Putini, por edhe tek zotërinj si Konstantin Ernsti (drejtori i përgjithshëm i Channel One) ose Dimitri Kiseliov (kreu i ri i agjensisë së re shtetërore të lajmeve Rossiya Segodnya). Ata veprojnë në përputhje me parimet e thjeshta të Jozef Gëbelsit:Luaj me emocionet;sa më e madhe gënjeshtra, aq më mirë; gënjeshtra duhet të përsëritet shumë herë. Kjo propagandë i drejtohet njerëzve të thjeshtë;nuk ka vend për pyetje apo nuanca. Për fat të keq, kjo po funksionon. Histeria ka arritur nivele të papara, me nivelin e lartë të mbështetjes ndaj Putinit. Prandaj, ne duhet të punojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, për t’i treguar rusëve se ka një alternativë, se politika e Putinit po çon drejt degradimit dhe vetëvrasjes së shtetit. Ka gjithnjë e më pak kohë për t’u zgjuar.

Newsweek: Përse?

Sepse Rusia po kthehet shpejt në një shtet fashist. Ne tashmë kemi një propagandë, të modeluar sipas Gjermanisë naziste. Gjithashtu kemi edhe një bërthamë të brigadave të sulmit, siç ishte dikur SA në Gjermani. Cfarë emri mund t’i vihet së ashtuquajturës protestë Anti-Maidan, kjo iniciativë pseudo-qytetare, e cila dy javë më parë, u mblodh në shenjë kundërshtimi ndaj përvjetorit e revolucionit në Kievi. Dhjetëra mijëra mercenarë, banditë dhe të gjitha llojet e individëve të dyshimtë, u sollën në Moskë. Ata u përpoqën të na frikësojnë. Me portretet e Putinit, ata u betuan se do të luftojnë, dhe madje do të vrasin çdo rebel. Fiks

si në Gjermaninë e Hitlerit. Dhe ky është vetëm fillimi.

Newsweek: Por ishin autoritetet ruse, ato që paralajmëruan rrezikun kundër fashizmit në Ukrainë…

Dikush dikur ka thënë se fashistët e ardhshëm, do të jenë anti-fashistët më të zjarrtë. Fashizmi në Ukrainë? Absurditet! Le të shikojmë Rusinë. Ne kemi një parti të ngritur mbi kultin e një lideri, dhe disa parti të parëndësishme satelite. Çdo disa vjet, mbahet parodia patetike e zgjedhjeve. Ne kemi një politikë të jashtme shoviniste dhe agresive, një riaktivizim të komplekseve perandorake, militarizimin e shoqërisë. A nuk janë këto janë karakteristikat e një regjimi fashist? Por Putin, nuk është një fashist. Ai thjesht përdor në mënyrë cinike disa elemente të së shkuarës, të përzier me të tjerat, për shembull me traditat sovjetike, dhe ja ku u krijua një krijesë hibride, fashizmi hibrid bashkëkohor. Është si lufta në Ukrainë. Lufta po ndodh, ushtarë rusë janë atje, por Kremlini e mohon atë, dhe pretendon se nuk ka të bëjë me tanket dhe regjimentet në Donjeck. E njëjta gjë, është e vërtetë edhe për fashizmin. Ai ekziston në Rusi, por autoritetet thonë se janë duke luftuar fashizmin në Ukrainë. Nëse ne nuk do ta ndalim këtë çmenduri, pasojat për të gjithë do të jenë shkatërruese.

Newsweek: Putin po e ndryshon qëndrimin e tij mbi Ukrainë në çdo 5 minuta, por ai nuk ka shpallur ide fashiste …

Vërtetë? Por ai thjesht e përçmon të gjithë rendin botëror! Ai haptazi thotë se Perëndimi është më i keq se ne, i lig, i dobët. Ai thotë se ukrainasit, nuk janë në gjendje të ndërtojnë shtetin e tyre, dhe se vetëm ai, Putini, mund t’i ndihmojë ata. Ai flet për nevojën e rindërtimit të rendit botëror, bazuar tek e drejta e lindur e Rusisë, për të patur sferën e vet të ndikimit, për nevojën e mbrojtjes së minoriteteve ruse jashtë vendit. Kremlini përdor pakicat, gjuhën dhe çështjet kulturore, për të hedhur në erë vendet fqinje nga brenda. Dhe kjo është gjëja më e tmerrshme:Njerëzit që kontrollojnë Kremlinin, janë të bindur se kanë një recetë, për lumturinë e këtij vendi të madh. Ata mblodhën një grusht parullash dhe idesh nga regjimet më autoritare të së kaluarës, dhe i integruan ato në rendin aktual botëror. Ata i përzien të gjitha, ndërsa tani e shohin veten sikur të ishin të gjenij.

Newsweek: Shumë qytetarë rusë, mendojnë se qeveria po ruan rendin dhe stabilitetin, sepse në krye është një lider dhe ka një strukturë. Po opozita? Kush është lideri i saj? Ju apo Aleksei Navalni, i cili ndodhet sërish në burg?

Unë jam një nga udhëheqësit e koalicionit opozitar “Demokratët e Bashkuar”. Në radhët tona ka shumë njerëz të guximshëm dhe karizmatikë, që përfaqësojnë pikëpamje dhe opsione politike të ndryshme. Por ne ndajmë së bashku dëshirën për ndryshim, dhe një nevojë për restaurimin e demokracisë, si dhe largimin e këtyre njerëzve të çmendur nga pushteti. Po, ndonjeherë qeveria bie mbi ne si një buldozer. Aleksei Navalni tani është futur në burg (për shpërndarjen e fletëpalosjeve në metronë e Moskës), pra ndodhet i izoluar nga protestat. Por edhe Maidani ukrainas, nuk ka pasur një lider të vetëm, madje as ata që konsideroheshin se

ishin udhëheqësit. Personalitetet nuk janë të rëndësishme. Gjëja më kryesore, është ideja e ndryshimit të madh dhe rinovimi i Rusisë.

Newsweek: Duke qenë në opozitë, ju nuk keni mjetet e komunikimit, për pasojë s’keni një zë të fuqishëm. Ju protestuat në rrugë, dhe u etiketuat si “Kolona e Pestë” e armiqve të Rusisë, duke u barazuar me agjentët amerikanë dhe njerëzit që duan të shkaktojnë trazira. Putini thotë se nuk do të ketë një Maidan rus. Si doni ju të fitoni?

Ne jemi realistë. Është e vërtetë, që qeveria na ka quajtur armiq për një kohë të gjatë. Prandaj për shumë rusë, ne jemi armiq, tradhtarë. Edhe në ëndrrat e mia më të çmendura, unë nuk planifikoj të organizoj një Maidan në Moskë. Putin nuk është Janukoviç. Për vite me rradhë, ai e ka përgatitur veten për luftën me kombin e vet, nëse ky i fundit do të përpiqet ta kundërshtojë atë. Putini ka një aparat të fuqishëm të sigurimit, dhe tashmë ka edhe ata militantët fanatikë. Çdo protestë e madhe, mund të mbytet lehtësisht në gjak. Pavarësisht nga kjo, ne do të përpiqemi.

Newsweek: Rusët nuk janë ukrainas;duket se ata janë shumë larg prishjes me liderin e tyre…

Prandaj, së pari ne duhet të përqëndrohemi tek ata, që tashmë janë të bindur. Marshimet kanë për synim, të na mundësojë numërimin e përkrahësve tanë, që në të shohim se nuk jemi thjesht një grup i vogël, por një forcë e vërtetë. Të dalësh të protestosh sot në rrugët e Rusisë, kërkon një guxim të madh. Një burrë trim, një njeri aktiv, vlen më shumë sesa ai, që nga rehatia apo frika nuk bën asnjë. Dhe ky është vetëm fillimi. Më pas, ndoshta do të jemi në gjendje të zgjedhim njerëzit tanë në këshillin bashkiak të Moskës. Në kryeqytet, ne kemi më shumë qytetarë, të cilët janë me mendje të hapur dhe kundërshtojnë autoritetet. Edhe marrja e

disa vendeve në Këshillin e Qytetit, do të ishte një sukses, një shkelje mbi lapidarin e pushtetit.

Newsweek: Këto janë qëllime tejet minimaliste, në një kohë që ju vetë thatë se koha nuk pret…

Koha tani po rrjedh shpejt. Kriza ekonomike, do përshpejtojë proceset politike në Rusi. Shumë rusë e mbështesin Putinin, sepse vitet e fundit ai ka përmirësuar standardet e tyre të jetesës. Por rusët nuk janë budallenj, siç besohet shpesh në Perëndim. Një numër i madh pensionistësh, punëtorësh dhe zyrtarësh, nuk do t’i besonin kurrë propagandës perandorake, nuk do të lejonin që Putini t’i mashtronte ata, nëse nuk do të ishte për jetesën më të mirë, që ata patën papritmas. Ata nuk po mendojnë, sesi erdhi e gjitha kjo begati. Edhe nëse ata do të mësonin se standardi i tyre i jetesës, u rrit për shkak të çmimeve të larta të naftës, ata do të

mendonin se kjo ishte një gjë e mirë. Ata nuk do të mendonin se jetesa e tyre, do të ishte edhe më e mirë, në qoftë se rezervat e naftës do të menaxhoheshin dhe investoheshin më mirë, duke mos i vjedhur. Tani, kur të rezultojë se pensionet dhe pagat nuk mund të mjaftojnë, për të mbyllur muajin, njerëzit do fillojnë të zgjohen.

Newsweek: Dhe të mos fajësojnë më Perëndimin për përkeqësimin e standardeve të tyre të jetesës?

Po, tani për tani ata fajësojnë Perëndimin. Ata ankohen për sanksionet, por gjithësesi kanë filluar të kuptojnë, se arsyet e vërteta janë të ndryshme, nga ato që janë dhënë nga qeveria. Perëndimi vepron në mënyrë të arsyeshme dhe butësisht. Ai duhet të frenojë agresionit rus në Ukrainë. Kriza në Rusi, nuk është rezultat i sanksioneve, por rezultat i çmendurisë së Putinit. Ai menjëherë filloi të vendosë të ashtuquajturat kundër-sanksione. Dhe kush u ndëshkua nga ato? Ne, rusët. Jo vetëm kjo, por Putin gjithashtu provoi se vendi i tij i madh, nuk mund të prodhojë vetë gjërat më themelore. Vetë Putini, tregon që mbreti është lakuriq. Por unë e di se ai nuk do të largohet nga kjo rrugë. Ai nuk do të lërë Ukrainën rehat. Ai do rrezikojë shtimin e sanksioneve nga perëndimim, do të shpenzojnë më shumë miliarda në ushtri, polici dhe organet e tij të sigurisë. Dhe në kontrollin e inflacionit, sepse ai e kupton se rritja e çmimeve, do t’i zemëronte njerëzit.

Newsweek: Kriza ekonomike në Gjermani ngjiti në pushtet Hitlerin, por Putin tashmë ka pushtetin…

Pra ai vetëm mund të humbasë atë. Që kjo të bëhet realitet, ne kemi nevojë për një vizion alternativ, një ide të ndryshme mbi Rusinë. Ideja jonë, është për një Rusi demokratike dhe të hapur. Një vend, ku nuk zbatohen metoda banditeske ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj fqinjëve. Por, siç e përmenda, fashizmi rus është një hibrid. Dhe krijesat hibride janë shumë rezistente. /”Newsweek”/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/intervista-e-fundit-e-boris-nemtsovit-rusia-nje-fashizem-hibrid-bashkekohor/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala