Festoni me flamur të Kosovës!

Autori:Avdyl Pajaziti

Është irrituese ajo pamja e festimit të Pavarësisë së Kosovës me flamur të një shteti tjetër, të cilin ne e quajmë Flamur Kombëtar.

Paramendoni çudinë e joshqiptarëve që rastësisht gjenden në Kosovë kur të shohin shënimin e ditës më të rëndësishme të vendit me simbole të një shteti tjetër. “ A dinë këta ç’është shteti?”, është pyetja e parë. “Ç’është kjo çoroditje?”, e dyta…

Sot është dita e flamurit të kaltër, me hartë të Kosovës dhe me nja 5-6 yje në të. Me 17 shkurt duhet të festohet për atë flamur, për atë shtet që gjendet brenda tij, së bashku me simbolikën e atyre yjeve.

Duhet t’i harrojmë faktet se vetëm 16 vjet më parë dikush dha jetën për Flamurin Kuq e Zi. Ai është i tejkaluar për ne. Madje, largimin e tij nga territori i Kosovës në evenimentet zyrtare e votuan me aklamacion me 17 shkurt të 2008-ës deputetët e popullit, shumica nga të cilët vinte pikërisht nga udhëheqja e luftës.

Pavarësia e acartë e asaj kohe nuk është justifikim që sot të mos festojmë. As fakti se atëherë ishim 2.2 milionë banorë e sot 1.8, jo sepse ne nuk shtohemi, por se pjesa tjetër e mori arratinë pikërisht nga i ftohti 7 vjeçar që s’na u nda asnjë ditë të vetme.

Ne duhet t’i mësojmë fëmijët se 17 shkurti është dita e këtij vendi, e jo ndonjë datë tjetër. Janë ata që duhet ta ngrohin këtë datë me kalimin e viteve, që të mos mërdhihen në kohën kur pjesa tjetër e botës po ballafaqohet me ngrohjen globale. Tw njwjtwn kohw s’kemi pse e mërdhijmë edhe dikë tjetër.

Këto festime, kjo jetesë, duhet të normalizohen qysh sot, këtë të martë të 2015-ës. Të hiqen krejtësisht flamujt tjerë, sepse ajo është dita jonë, dita që e shpallëm vet dhe që duhet të na simbolizojë vetëm ne. Urime!

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/festoni-me-flamur-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala