Eksodi Satanik

Autori:Avdyl Pajaziti

Kur në vitin 1999 nga forcat kriminele serbe ndiqeshin shqiptarët dhe ishin të detyruar që ti lënë vatrat e tyre, shumë intelektualë e vlerësuan si eksod biblik.

Unë personalisht isha kundër kësaj shprehje dhe këtë eksod e pagëzova me emrin eksodi satanik. Pasiqë eksodi biblik është eksod nga Zoti, ndërsa eksodi satanik është eksod i shkaktuar nga djalli. Dhe fatkeqësisht janari i vitit 2015 filloi shumë keq për ne shqiptarët.

Filloi të na përsëritet eksodi satanik. Pra dora e kriminelëve apo e tregtarëve të flamujve serbo-shqiptarë po bën të mundshme edhe njëherë zbrazjen e Kosovës. Pamje vërtetë të tmerrshme që të trishtojnë. Po kush është fajtori? Fajtor numër një janë politikanët që për 15 vjet nuk bënë asgjë për popullatën. Por, as popullata nuk është e pafajshme sepse për 15 vjet i voton të njëjtit politikanë. Dhe kështu kemi një rreth viciozë që sillet rreth vetvetes, por më së rëndi po e përjeton popullata që jeton në Kosovë. Këta politikanë pasiqë e hëngrën Kosovën, tani do ta hanë edhe vetveten se populli po ju ikë nga Kosova.

Shpeshherë e kam thënë, e po e përsëris edhe njëherë se në Kosovë duhet të ndërrohet mendësia qeverisëse e jo partitë. Sepse, çdo parti që po vjen në pushtet po vjen me mendësinë e korrupsionit, hajnisë, presionit ndaj kundërshtarëve politik dhe metoda tjera të pashembullta.

Eksodi Satanik po na përsëritet 15 vjet pas çlirimit të Kosovës, e kjo është fatkeqësi kombëtare, ky është një turp për politikanët e Kosovës, por edhe për gjithë ne. Po na përsëriten skenat e eksodeve të mëhershme kur në vitin 1876,1877,1878 vetëm nga rajoni i Nishit, Prokuples e Kurshumlisë u shpërngulën 300 mijë shqiptarë.

Atëherë gjëmohej në këtë mënyrë “Çka kanë malet që gjëmojnë, çka kanë kreshtat që rënkojnë, t’mjertë muhaxherët ka po shkojnë, nëpër shi e nëpër borë, po ju vdesin fëmijët n’dorë. E tani pas 129 vitësh po përsëritet e njëjta gjë, shqiptarët po shtegtojnë nëpër të njëjtat rrugë. Kjo çështje duhet të depërtojë thellë në mendjen e politikanëve tanë dhe t’ia bëjnë vetës pyetjen, a ka kund shtet në botë që qeveriset pa banorë? Nëse vazhdon kështu ata do t’i qeverisin vetëm ajrin ujin, tokën dhe shtëpitë e zbrazëta të Kosovës, se njerëzit i kanë nxjerrë për të shtegtuar.

Mos të harrojmë se ky është eksod fatal, për faktin se tani më është shkatërruar familja tradicionale shqiptare. Tani më edhe meshkujt e fundit të familjeve që kanë mbetur në Kosovë po shpërngulën. Ky është një eksod satanik. Ky është një eksod që nuk i nevojitet Kosovës dhe shqiptarëve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/eksodi-satanik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala