Ekonomia – përcaktuese e fitores së re të  Cameronit

Autori:Zekirja Shabani

Fitorja e kryeministrit të deritashëm David Cameroni në zgjedhjet e përgjithshme të javës së kaluar në Britaninë e Madhe ishte bindëse, përkundër të gjitha parashikimeve se kjo do të ishte garë e balancuar. Fitorja e tillë që para zgjedhjeve quhej edhe mision i pamundur për të, nuk prognozohej as nga sondazhet, as nga ekspertët, politikanët  e bile-bile as nga vetë Cameron. Konzervativët fituan 331 vende që ju mundëson formimin e shumicës në parlamentin britanik. Këto zgjedhje për shumë arsye dhe nga shumë qarqe vlerësoheshin të një rendësie të jashtëzakonshme për Britaninë, duke përfshirë këtu ndër të tjera sfidat rreth mardhënieve me BE, pastaj zhvillimet në Skoci, politikat ekonomike etj. Secila nga partitë pretenduese për të fituar zgjedhjet kishte përgatitur ofertën e vet programore për votuesit, të cilat përfshinin në vete çështje të cilat jepnin mundësi për zhvillime ndoshta edhe diametralisht të kundërta nga njëra tjetra. Megjithatë me fitoren e konzervativëve dhe të Cameronit, konsiderohet se e ardhmja politike e Britanisë në këtë mënyrë u bë më e qartë. Rëndësia e këtij procesi shkoi deri aty sa analistët shumë here vlerësuan se këto zgjidhje do të nxisin dhe përcaktojnë fundamentalisht skenën poltike britanike për një gjeneratë të tërë.

Laburistët si duket kalkuluan më tepër  se sa duhej në faktorin e konsumimit të partisë në pushtet, si dhe betejave të panumërta që ajo pati me shumë çështje delikate të interesit nacional, zgjedhja e te cilave shumë here përveç se komplekse e delikate paraqitej si një rebus i komplikuar. Mirëpo, rezultati i zgjedhjeve dëshmoi se ata i kishin bërë hesapet pa hanxhinë. Kjo sepse rivali i tyre i konsideruar shpesh edhe si partia më e suksesshme politike në botën demokratike tregoi edhe njëherë guximin, vizionin si dhe aftësinë jo vetëm për të tejkaluar suksesshmëm sfidat e shumta gjatë mandatit qeverisës duke ofruar zgjidhje të tyre, por edhe duke ofruar program pragmatik, real, dhe të mbështetur mbi premisat e besueshmërisë së votuesve. Konzervativët të udhëhequr nga Cameron i cili u dëshmua si  lider i vërtetë i përmasve botërore (që ky komb ka nxjerrur në vazhdimësi dhe në shumë periudha historike, çka padyshim se është edhe një nga premisat fundamentale që i siguron Britanisë së Madhe jo vetëm shtetin e fuqishëm dhe shoqërinë e zhvilluar por edhe pozicionin e lartë në kuadër të familjes së kombeve në botë).

Vetëm edhe njëherë në historinë më të re britanike kishte ndodhur që partia në pushtet të fitojë dhe madje të rrisë numrin e vendeve në parlament, ( dhe kjo në kohën e kryeministres M.Thacher më 1980).

Në një fushatë tejet të furishme të partive pjesëmarrëse dhe të liderëve të tyre për të bindur votuesit për programet e tyre konform sfidave natyrisht se një pyetje esenciale mbetet: Si ndodhi që në shtetin ku demokracia e mirëfilltë dhe pluralizmi hodhën së pari rrënjët, në shtetin me demokracinë më të zhvilluar, me sistemin me të përsosur të financave publike në botë, në njërin nga kombet më të prosperuara të botës, të mos realizohen parashikimet për një garë tejet të paqartë por të ndodhë një fitore e përmasave të tilla e Cameronit? Çka ishte ajo përcaktuese që ndikoi në votuesin britanik për t’i dhënë prapë votën kryeministrit të deridjeshëm? Përgjigjja në këtë pyetje natyrisht se ngërthen në vetëvete shumë faktorë, por në këtë shkrim do të fokusohem vetëm në pjesën ekonomike të qeverisë së deritashme të kryeministrit Cameron si dhe të arriturave brenda mandatit të kaluar, dhe në programin për mandatin e ri që iu ofrua votuesve . Kjo, sepse është evidente se kampanjat zgjedhore gjithmonë dhe pothuajse gjithkund në vendet e zhvilluara sidomos, fitohen ose humben pikërisht në  çështjet ekonomike. Në mendjen dhe zemra e politikanëve gjithandej mbetet i gdhendur sllogani i famshëm krijuar në njërën nga fushatat zgjedhore nga presidenti Clinton “Eshtë ekonomi kjo, or budalla”!

Gjendja ekonomike në Britani është shumë e mirë dhe natyrisht se kjo siguroi një avantazh për konzervativët (pra jo vetëm për faktin  e përparësisë që të jep të qenurit në pushtet). Në fakt dy mesazhet kryesore të Cameronit për votuesit  ishin, e para se gjendja e mirë ekonomike do të rrezikohej nga fitorja eventuale e laburistëve, dhe e dyta SNP e Skocisë do të shantazhonte qeverinë eventuale laburiste duke ia humbur asaj fuqinë politike.

Mesazhet ishin përpiluar tejet kujdeshëm nga ekipi i Cameronit, sepse njerëzit janë gjenetikisht të prirur shumë më tepër për të tentuar për të ruajtur atë që kanë momentalisht, (pra për të mos humbur atë), se sa për të synuar për të fituar diqka të re në të ardhmen, e cila edhe mund të jetë më e vlefshme, por që megjithatë mbetet e pasigurtë. Kjo në psikologjinë bihejvoriste njihet si ‘efekti i dhuratës’, dhe u eksploatua efektivisht nga konzervativët.

Nëse i hedhet një sy gjendjes së ekonomisë britanike do të shihet se shumë gjëra janë positive. Kështu p.sh. funta është shumë e fortë krahasuar me euron (në nivelin më të lartë brenda 7 viteve), çmimet e aksioneve poashtu si edhe ato të bonove qeveritare. Inflacioni është në nivelin zero d.m.th historikisht në nivele tejet të ulëta, rritja ekonomike në vitin 2014 ishte 2.8%. Papunësia u zvoëlua dhe tash është në nivelin 5.6%. Gjithasht u shënua edhe rritja e pagave, sepse punëtoret britanik pothuajse për 5-6 vite kishin përjetuar  dhe pësuar nga rënia reale e pagave.  Sa i përket normave të interesit, kur Banka e Anglisë në jehun e krizës globale financiare e zvogëloi atë në 0.5%, askush nuk kishte pritur se ky nivel do të mbetej kështu për 6 vite të tëra. Dhe këtu është edhe një fakt interesant se në këtë mënyrë Cameron ishte kryeministri  i parë pas vitit të largët 1951, që e përfundojë një mandat të tërë pa rritje të normave të interesit, (sepse  ajo u rrit tash së voni  në 0.75%, por të cilat do të indeksohen deri në mesine vitit të ardhshëm). Megjithatë ajo që i mungoi ringritjes së ekonomisë ishte rritja e produktivitetit, sepse në vitin 2014 outputi për një orë pune ishte më i ultë për 1.3% se sa në vitin 2011, dhe 14% më i ultë se sa niveli para fillimit të krizës. Normalisht investitorëve në seclin shtet iu pëlqen kjo klimë me indikatorë të tillë.

Rezultatet në ekonomi gjatë qeverisjes të Cameronit ishin vërtetë mbreslënëse, vendi arriti të jo vetëm të tejkaloj recesionin e madh, por edhe të ketë ringritje të madhe ekonomike, ku p.sh arriti të ketë për çdo ditë 1000 vende të reja pune (ose më shumë se tërë Evropa së bashku), dhe me një rritje ekonomike të ritmit të lartë (p.sh shtatë herë më shpejtë se sa ajo e Francës). U implementuan programe efektive të mbështetjes së bizneseve e veçanërisht për ato të rejat duke e bërë Britaninë si një nga shtetet më të përshtatshme në botë për të filluar me biznes të ri. Reformat në legjislacionin tatimor krijuan transparancë më të madhe dhe mundësuan që të luftohet evazioni fiscal fuqishëm, duke bërë që barra tatimore të ndahet te të gjithë, dhe duke mundësuar rritjen e arkëtimit të tatimeve për mbi 85 miliardë funta gjatë  mandatit të tij. Por kryeministri Cameron shkoi edhe më larg duke mbështetur bizneset por edhe duke mbrojtur konsumatorin. Ai ishte udhëheqësi i parë që në këtë drejtim p.sh. duke nënshkruar marrëveshje me korporata të fuqishme rreth përgjegjësisë së tyre sociale (p.sh. për përbërjen kalorike të ushqimeve etj). Në këtë mënyrë ai vendosi balancat aq të nevojshme në politikat fiskale e ekonomike të vendit në trekëndëshin buxhet, biznes, konsumator. Në këtë mënyrë të gjitha shtresat e shoqërisë u prekën, duke balancuar kërkesat dhe interesat e secilës palë. Dhe vërtetë një përkushtim i tillë nuk kishte si të mos rezultonte me sukses në zgjedhjet e posa përfunduara.

Në një analizë të tillë të shkurtër do të duhej sidoqoftë, të mos anashkalohet edhe një aspekt interesant  e parë nga perspektiva ekondmike, sepse Skocia dhe Anglia votuan për politika ekonomike pothuajse diametralisht të ndryshme (lidhur me politikat e shpenzimeve, mireqenjes dhe deficitit buxhetor, perderisa Anglia per vazhdimin e thellimin e kursimeve, Skocia për të perfunduar ato). Kjo rrodhi nga bindja e miliona votuesve anglez, se ata p.sh. subvencionojnë shërbimet jo-efektive publike skoceze (sipas pikëpamjes së tyre të ngarkuara me më shumë punëtorë se sa që nevojitet në realitet), dhe ndër të tjera kjo ishte ajo që i ndante pjesën tjetër nga skocezët.

Megjithatë, britanikët të prirur historikisht si komb që para se të shiqojnë gjërat që i largojnë nga njëri tjetri, i marrin ato që i bashkojnë, duket se qysh tash  kanë futur këto gjëra në agjendën e diskutimit, dhe në këtë funksion ishte edhe vizita e Cameronit në Skoci menjëherë pas zgjedhjeve për forcimin e mëtejshëm të unitetit në Britaninë e Madhe.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/ekonomia-percaktuese-e-fitores-se-re-te-cameronit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala