Edhe një institucion i ri global financiar

Autori:Avdyl Pajaziti

Takimin e sivjetëm pranveror të FMN dhe Bankës Botërore në Vashington pavarsisht agjendës së ngjeshur dhe temave tejet të rendësishme të diskutimit rreth zhvillimit ekonomik të zyrtarëve më të lartë financiar të  shteteve nga e gjithë bota, është duke e karakterizuar edhe një temë specifike. Eshtë fjala për vendimin e paradokohshëm për themelimin e Bankës Aziatike për Investime në Infrastrukturë (AIIB), një konsorcium ky i ri ndërkombëtar i financimit, dhe ndikimet që do të ketë ajo në të ardhmen. Janë 57 shtete anëtare deri tash (nga të gjitha kontinentet) të këtij institucioni, filluar me iniciativën dhe udhëheqjen e Kinës. Pavarësisht se 31 marsi ishte afati i fundit për pranimin e kërkesave për anëtarsim, ministria e financave e Kinës deklaroi se do të vazhdojë edhe më tutje pranimi i aplikacioneve të shteteve tjera të interesuara për anëtarsim në këtë institucion.

Vendimi inicial për themelimin e saj u mor në vitin 2014, (mirëpo AIIB pritet që të bëhet plorësisht operacionale deri në fund të këtij viti), dhe do të ketë selinë në Shangaj (udhëheqësi po ashtu do të jetë kinez), kurse kapitali i saj aktualisht është 50 miliardë dollar (gjysma e të cilës është kontribut kinez), me synim që ai të rritet në 100 miliardë $. Sipas deklarimeve zyrtare synimi kryesor i saj është financimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore në kontinentin e Azisë. Sidoqoftë, duhet përmendur se AIIB praktikisht do të jetë institucioni i parë ndërkombëtar aziatik që do të operojë jashtë ndikimit të sistemit bankar të Bretton Woods-it.

Diskutime të shumta në nivele të larta politike e ekonomike si dhe debatet e ekspertëve janë orientuar në një numrë çështjesh e pyetjesh. Pse u ndërmor ky hap nga ana e Kinës, dhe pikërisht tash e sidomos duke pasur parasysh se në Azi tashmë operojnë një numër organizmash financiar ndërkombëtar? Dihet p.sh. se në Azi ekziston për një kohë të gjatë Banka Zhvillimore e Azisë (ADB) si institucion financiar multilateral. Llogaritet se ajo ka kapital themelor prej 160 miliardë $. Poashtu në kontinent operon edhe Banka Botërore  e cila vlerësohet të operojë me kapital financiar prej rreth 22o milliardë $. Deri më tash zyrtarët kinezë kanë vënë theksin në nevojat për financim të rajonit duke pohuar se ekziston një hendek imadh në mes të nevojave për financim dhe  potencialit huadhënës në Azi, e sidomos në investimet në infrastructurë. Nevojat për investime infrastrukturore në Azi vlerësohen deri në 700 miliardë $ në vit, shumë kjo jashtëzakonisht e madhe që kërkon potencial të madh huadhënës.

Pavarsisht se FMN, BB, ADB dhe institucionet tjera në prononcimet e tyre zyrtare e kanë përshëndetur themelimin e saj, është interesant se megjithatë në prapaskenë është zhvilluar një betejë e vërtetë diplomatike (në mes të përpjekjeve të Kinës për të siguruar sa më shumë anëtarë në njërën anë si dhe të SHBA-ve për të penguar këtë, në anën tjetër). Nga shumë ekspertë dhe analistë kjo shihet si alternativë e hapur e Kinës ndaj institucioneve financiare aktuale të FMN dhe BB të udhëhequra nga perëndimi, përkatësisht si reagim ndaj kësaj gjendjeje. Nuk ka dyshim se megjithatë vendimi i shteteve të fuqishme aleate të SHBA-ve si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia Australia, Kanadaja, Koreja e Jugut, Zvicra, Luksemburgu  etj për të firmosur anëtarsinë në këtë Bankë shkaktoj paknaqësi në SHBA dhe ishte moment për analiza të reja sa i përket relacioneve ekonomike dhe konstelacioneve të reja globale. Pavarësisht nervozës për këto veprime të aleatëve Vashingtoni zyrtar u deklarua se vendimi për hyrje në AIIB ishte e drejtë sovrane e çdo shteti.

Kritkat kryesore për themelimin e AIIB janë duke u bërë në planin se ekziston dyshimi që ky institucion financiar nuk do të jetë në gjendje të respektojë standardet ndërkombëtare të simotrave të saj aktuale e sidomos ato të punës, të ambientit dhe prokurimit, që janë bazë e politikave të funksionimit dhe qeverisjes të tyre sot. Mirëpo konsiderohet që frika sidoqoftë qëndron dikund tjetër,  pasi që vlerësohet se përmes kësaj banke Kina synon që të zgjeroj ndikimin e saj në rajon në dëm të SHBA dhe Japonisë duke prekur në këtë mënyrë interesat e tyre në Azi. Në qarqet e ekspertëve ekonomik potencohet se qëllimi strategjik i Kinës është që përmes AIIB të tentoj të relativizoj dhe pse jo edhe të rivalizoj tërësisht dy institucionet e fuqishme financiare, në njërën anë Bankën Botërore (që dominohet nga amerikanët), dhe në anën tjetër ndaj ADB ( e cila dominohet nga Japonia, sepse fuqia e saj votuese nëëë të është 2 herë më e madhe se sa e Kinës, e poashtu edhe udhëheqja e saj i ka takuar gjithmonë Japonisë).

Në anën tjetër edhe kërkesat e kahmotshme të Kinës ndaj FMN-së për reforma dhe fuqizim të rolit të saj në FMN kanë ngecur ose hecur shumë ngadalë, kështu që padurimi i Kinës është rritur dhe prandaj  ka vendosur për këtë hap. Mirëpo planet e Kinës në perspektivën ekonomike afatëgjatë janë që funksionimin e Bankës ta bëj komplementare edhe me iniciativën strategjike kineze për ndërtimin e ‘rrugës së re të mëndafshit’, si një nga komponentet kyçe në zhvillimin e saj ekonomik të së ardhmes. Megjithatë, Kina zyrtarisht shumë herë ka deklaruar se kjo Bankë do të ketë qëllim të vetëm financimin e projekteve në infrastructurë, dhe se ajo jetë pjesë konstruktive dhe komplementare e sistemit të institucioneve aktuale financiare ndërkombëtare.

Analizat dhe opinionet rreth këtyre çështjeve janë nganjëherë edhe diametralisht të kundërta. Kështu disa ekspertë madje shkuan aq larg sa themelimin e këtij institucioni e quajtën praktikisht si moment definitiv të humbjes së rolit të SHBA-ve si prijatar dhe sigurues të sistemit ekonomik global. Natyrisht se ka të tjerë që situatën e shohin krejtësisht ndryshe duke e vlerësuar këtë si akt dëshpërues të Kinës dhe reflektim të problemeve të saj të brendshme në planin financiar, e sidomos me projeksionet rreth rritjes ekonomike të vendit gjatë viteve në vijim, pastaj sfidave tranzicionale të sistemit politik etj.

Nobelisti amerikan J. Stiglitz gjatë prononcimeve të tij ka ofruar argumente rreth dobisë së një hapi të tillë, duke e vështruar atë nga pikëpamja e financimit të nevojave drejt zhvillimit ekonomik. “Për momentin ka një përparësi të madhe globale për fondet si AIIB: Bota është duke vuajtur nga kërkesa agregate e pamjaftueshme. Poashtu tregjet financiare nuk ishin në nivelin e duhur të mbulimit të nevojave për investime aty ku ato nevojiteshin. Ne do të duhej të mirëpresim vendimin e Kinës për këtë hap, e poashtu edhe të shteteve tjera që kanë vendosur t’I bashkangjiten AIIB”, thotë Stiglitz. Ka pasur zëra të zyrtarëve të lartë edhe brenda administrates së Presidentit Obama se SHBA është duke ngecur në planin e reformimit të FMN-së, andaj nuk do të duhej befasuar me përpjekjet e vendeve në zhvillim për të kërkuar alternative të reja zhvillimore, (dihet që reformat e propozuara nuk kishin kaluar në Kongresin e SHBA-ve të dominuar nga republicanët).

Nuk ka dyshim se trendet e zhvillimit të sotëm ekonomik në botë diktojnë rrjedha dhe orientime të reja, të varura nga prioritetet diskrepante në mes të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim (e madje të ndryshme totalisht edhe brenda njërit ose tjetrit grup). Në këtë kontekst në prapaskenë të qeverisjes ekonomike të rendit të ri botëror fuqishëm nga akterë të rinjë (në këtë rast Kina) bëhet edhe beteja për lidership në sistemin multilateral të këtij shekulli (duke e sfiduar atë të SHBA-ve).

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/edhe-nje-institucion-i-ri-global-financiar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala