Do i vras me tekst

Autori:Zekirja Shabani

Politikën dhe qeverisjen nuk i bëjnë dot rrjepacukët, morracakët, hyzmeqarët, populli. Politikën dhe qeverisjen i bëjnë barinjtë, krerët, Zotninjtë. Kush kaq gjë nuk e di, është vetë një morracak, të cilin, për të mos shpenzuar kohë e mund për të më sharë pa ndonjë efekt, e kam mallkuar me rrënjë e me degë paraprakisht.

A kemi, ose së paku, a kemi nisur të kemi, Zotninj që ta udhëheqin popullin, barinj që tu prijnë turmave, shtylla që ta mbajnë Shtetin ? Pra a kemi njerëz seriozë, të ekuilibruar, të vendosur, që rrjedhin nga familje me tradita, kanë bërë shkolla, janë edukuar, kanë një profesion që e ushtrojnë me dëshirë, punojnë pa u lodhur, ja kanë arritur sa kanë mundur të kenë soliditet ekonomik, kanë interesime atdhetare, patriotike, intelektuale, kulturore, artistike, nuk valavisin me zell të tepruar asnjë flamur, nuk janë ngushtësisht të lidhur me asnjë parti, nuk janë të mbyllur në llogoren e asnjë lufte politike. A kemi pra njerëz preokupimi primar i të cilëve nuk janë kushtet bazike të ekzistencës, frika mos mbeten pa ngrënë e të rreckosur, që i vërviten të babëzitur kioskës së mëhallës për ta mbushur barkun me bukë të thekur, kupac me gjizë, bisht qepe të njomë, qofte të ngrohta, birrë të ftohtë, por, për ta mbajtur mendjen të kthjellët dhe trupin të zhdërvjellët shkojnë nëpër pishina, palestra, llixha, ballo, takime elitare, koncerte operistike, çfaqje teatrale ?

Po, tashmë kemi.

Njëri prej tyre është Halim Kosova.

Halim Kosova është një e mirë e madhe. Halim Kosova është si të mirat që Zoti i dhuron njerëzimit. Pa asnjë imponim, pa asnjë kusht. Duke i lënë njerëzit të vendosin vetë ta kuptojnë dobinë e të mirave të dhuruara, si dhe duke i lënë të lirë që po vetë të vuajnë pasojat e refuzimit të paarsyeshëm të atyre të mirave. Në vartësi të vonesës kohore që vdekëtarët banalë i bëjnë refuzimit të të mirave rënë nga lart, sa kohë për Zotin dhe Zotniun që janë aq pranë e pranë, koha është e gjitha e tyrja, përkohshmëria është diçka që nuk ka kuptim, diçka që nuk bën sens, prandaj Zoti dhe Zotniu nga refuzimi nuk mërziten, presin, edhe pafundësisht.

Mund të mos jenë dakord me këtë definicion zagarët e kudondodhur. Sidomos ata mediatikë, që lehin lartë e poshtë duke bërë portrete të autorizuara e të pa autorizuara të njërit e të tjetrit. S’ka problem. E drejta që atyre u jep zagarllëku është provizore. E drejta që mua ma jep zotnillëku është eterne.

Zagarët që rreken politikën jo vetëm ta mediatizojnë por edhe ta bëjnë, e kanë nisur tashmë fushatën. Në mënyrën më të padenjë, më të ndyrë, më të pandershme. Pa ide, pa argumenta seriozë, plot me shpifje, gënjeshtra, hamendësime, duke u ngutur të mos bëjnë garë po kacafytje, duke mos thënë asgjë të vërtetë por vetëm trillime, duke mos bërë fushatë por luftë.

Halim Kosova as ua ka as ka për tua pasur ndonjëherë ngenë Sanço Pançove të politikës. Halim Kosova vepron dhe reagon sipas një algoritmi tjetër krejt të panjohur për zagarët.

Fisniku Halim Kosova nuk ngutet, xhentelmeni Halim Kosova pret, burri Halim Kosova e merr ngadalë, nuk mërzitet. Por kjo nuk do të thotë se ndaj zagarëve duhet ndejtur duarkryq derisa zagarët ta bëjnë Shqipërinë zagarhane. Një përgjigje zagarëve u duhet dhënë. Një qëndrim ndaj zagarëve duhet mbajtur.

Jo-po mungesa e përvojës politike, jo-po mosha, jo-po i lodhur, janë çmendurira që s’ja vlen të merresh. Se zagarët njohin mirë Doktorin tjetër, atë që të 10, për të cilin u tha e u përsërit me miliona herë “gjysh”, mirpo sot e kësaj dite, e me sa duket përgjithmonë, “gjyshit”, për fuqi, energji, inteligjencë, fantazi, nuk ka zagar që i del përpara.

Megjithatë zagarve u duhet vënë një fre.

Freri që u vihet zagarëve është ai që u vë gjithë bota; t’i vrasësh.

Natyrisht jo me instrumenta të mprehta, me mjete të forta, me vegla të ngurta, por me mënyra të buta që të jenë gjithaq efikase sa vrasja. Prej këtyre mënyrave unë do përdor atë që di ta bëj më mirë, tekstin. Pra do përdor gërmat, jo si tinguj, por si vegla. Do ta bëj këtë edhe për ta materializuar proverbin “Gjuha prej mishi është, por kocka bluan”.

D-ja me hark të mprehtë si prerësja në copa e picave do më shërbejë për tua prerë kokën tua hedh në hale.

P-në do ta përdor si kobure. Bam në kokë, top në vend.

I-në shtizë nga veshi në vesh, si “colpo di grazia”.

H-ja me katër doreza që do ta mbajnë dy veta do jetë barrela që do t’ua çojë kufomat në morg pastaj në Sharrë afër varrit të kurvit.

Do përdor edhe kombinacione të tjera.

O-në, për shembull, do tua lidh si litar në fyt derisa tua marr frymën atyre që do kenë paturpësinë të thonë se Halim Kosova nuk ka përvojë politike.

I-ja do më shërbejë për tua ngulur si gozhdë prapa qafës biçimsëzve që Halim Kosovës do t’i përgojojnë karrierën.

Me V-në do veproj ndryshe. V-në do tua ngul në gjoks për tu shpartalluar një nga një brinjët.

Ndërsa X-in do ta përdor si gërshërë për tu prerë copa-copa mishin.

Maja e A-së do më shërbejë për tua grisur lëkurën e kurrizit.

Pastaj, me M-në si sondë çpuese dhe tryelë rrotulluese do tua dërrmoj të gjitha rruazat e kolonës.

Do kombinoj katër S për të sajuar me to dy 8-ta me të cilat do tu lidh këmbë e duar atyre që do thonë se Halim Kosova ka profil të ulët politik. Se Mayorin e duan edhe vetëm menaxher, pra taze të paprekur politikisht, edhe “me profil të lartë politik”, që është nonsens.

Do të më japi një ndihmë goxha të madhe E-ja me të cilën duke e përdredhur do tua shkul organet genitale.

T-ja do më shërbejë si çekiç për tu rënë në kokë atyre që bëjnë sikur qeverisja e Tiranës sa 1 e 20-a e Londrës është më e vështirë se qeverisja e Tokios.

Me thënë te drejtën jam paksa i mërzitur se nuk e di për çfarë torture mund të më vlejnë Q-ja dhe G-ja.

Por më ngushëlloi J-ja të cilën do ta përdor si për grisjen e cipës dhe çengel për nxjerrjen dhe flakjen e plaçkave të barkut.

E mrekullueshmja K-ja do të më shërbejë për nxjerrje sysh.

Do fus nga dy gishta brenda hapësirave të B-së për ta përdorur si dorezë për të goditur me grusht të hekurt.

Me C-në do realizoj shqyerjen e gojës, si dhe, pasi tua shkul, me anë të saj gurrmazin e zagarve do tua hedh qënve.

Zagarët me shpifje për hesapet e veta, unë me gërma në mbrojtje të fisnikëve, le ta vazhdojmë dyluftimin, po ua mbajti revolucionarja./Mapo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/do-i-vras-me-tekst/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala