Ditari i Virusit (4)

Autori:Zekirja Shabani

E dielë, 21 mars 99, Kleçkë.

Dje s’kam shkruar, sepse e gjithe dita ishte me granatime dhe luftime. Jemi pak, dhe kemi teritor shumë.  Të gjitha grykat janë të mbipopulluara. Thuhet se veç në vargmalet e Berishës, nga Llapushniku deri në grykën e Petreshticës, janë mbi 200.000 civil. Ne vërtetë jemi pak.

Zoti na ndihmoftë. Për t’ia pamundësuar forcave serbe hyrjen, ne ndahemi në grupe të vogla.

Një pjesë e njësisë ishte ne “Cuke”, një pjesë në Javor, të tjerët në Terpezë, e grupi ynë në Llapushnik. Në llapushnik ishim; Shpendi, Niki, Besi, Besimi, Nexhi dhe unë. U kthyem vonë. Të gjithë erdhëm mirë.

Sot është 21 mars. Gjithmonë për këtë ditë kemi shkruajtur hartime. Eh, edhe tash kur po shkruaj, po më duket sikur pas një ore, mësuesja do na kontrolloj, dhe do të notohemi. Por, kjo s’ka asnjë lidhje me atë. Këtë herë në vend se të shkruaj nga bankat e shkollës, për bimët që çelin, e temperaturat që rriten, po shkruaj nga Kleçka, dhe askund nuk më ndalen mendimet. Po mundohem të kujtoj diçka që ka ndodhur në këtë datë….po, dhe këto mendime ma kujtuan, se fiks sot një vit, kam ardh nga Prishtina, ku banoja bashkë me Cakën. Eh Prishtinë, Prishtinë.

Sot një vit u përshendeta edhe me … Prishtinën.

E shkuar e harruar thotë edhe populli, por nuk e besoj, e shkuar po, por jo e harruar.

Për dallim nga sot, vitin e kaluar ishte mot i mirë. Sot këtu bjen shi, dhe është shumë ftohët, nuk të con mall që je në Evropë, por duket sikur jemi në Rusi.

Edhe pse me këtë mot, popullata nëpër male po i rindërton tendat e najllonit, sepse po i vie era ofanzivë.

Nga familja skam asnjë lajm. Derisa s’ka lajme, është mirë. Sepse e keqja dëgjohet shpejt. E di se gjyshja është shumë e sëmurë. Zoti i ndihmoftë.

Tash është ora 22;00, isha në gjumë, por hyrja e komandantit na prishi gjumin. Vandami, kërkon 10 ushtar për të shku në përforcime në Malishevë.

Kaq për sot.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/ditari-i-virusit-4/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala