Ditari i Virusit (2)

Autori:Zekirja Shabani

Kam tre ditë që nuk t’ shkruaj, këtë herë s’kam inate me ty, por isha në rrugë. Mbase tash ti ke inate me mua, sepse nuk të mora me pa Shqipërinë.

Në Vlanë isha. Ishim shumë, të njohur e të panjohur.

Tash para se met tregu qysh kalova, pot tregoj se Smalji i Korpuzëve, m’ka ndihmu shumë, sa here jemi ndal, ai mi ka lidh cizmet dhe mka ndihmu me cantën e shpinës. Dikur më tha se jo rastësisht e kam këtë nofkë.  Jo jo, skam bo dallavere, thjesht çizmet e mia janë tjera nga të gjithve. Po, i vjedha, pasi kështu po don me më trajtu, por jo vec çizmet, e vjedha edhe një çantë me emblema. Me fal!!!

Në vlanë u “akomoduam” (këtë fjalë e mësova atje), demek u vendosëm në një kazermë. Ngjante si oborri i Nastradinit. Roja rrinte tek dyert e kazermës. Dyer që nuk dukeshin askund, skishte as gardh, as rrethojë, asgjë, por hyrje daljet beheshin vec tek dyert, që ishin veç dy kungja të ngulur në dhe, dhe dukeshin edhe me keq se shtyllat e futbollit te vorret tona. Edhe atje kishte luftë, ose dukej ashtu, sepse  krismat s’na lanë as të pushonim.

Nëse krejt Shqipëria është si Vlana, sorra eshnat mos mi coftë. Patëm edhe fat. Xhela na mundësoi të ngarkoheshim të parët. Dëgjova se kishte grupe që prisnin edhe më gjatë. Me Sylën (Cakën nejta kogja shumë). Jemi knaq tuj fol për Prishtinën, për fakultetin, e kujtuam edhe rastin me krem banane…..krejt budallë jena! Sapo u ngarkuam, na thanë se duhet të nisemi menjëherë. Përveç çantës së shpinës, dhe municionit të gjoksore, e kam edhe çantën me emblema.

Udhës jemi nal disa herë, vargu i ushtarëve ishte i gjatë. Krejt në shpinë kishin të ngarkuar çanta nga më të ndryshmet. Më çizme pshtova, por me çantë u ngula. Dy hekra të çantës, ma kanë bo shpinën varrë. Tek stanet u ndalëm, sepse natën na thanë që duhet me kalu. Aty u bashkuam edhe me disa grupe tjera. Shumë ju mora lakmi një grupi. Kishin uniforma t’mira, çanta te reja, çizme te zvicrrës, kallasha t’ri.

Na thanë janë një grup nga Rahoveci. Pushuam, dhe vazhduam rrugën.

E pata edhe një “problem” me nifar tipi që pike cigare në rresht. Ishim në zonën kufitare. Dy tre herë ja terhjeka vrejtjen, por ai sdojke as me ni. Masnej ju ofrova afër dhe ja nala cigarën. Nuk shkoj shumë kohë e filluan krismat. Terr, shi, kjamet, dhe krisma!

U nda kolona. Nuk e dinim as ku jemi, as nga të shkojmë. Paniku e bon të vetën. Caka më tha se na e dijmë rrugëm. E përcjellëm ketë muhabet deri në fund të kolonës. Pas një kohe u riorganizuam, dhe u nisëm për tek pika që se dinim as ku i bie. Kah sytë këmbët. Ngarkesa tash ishte sa dyfishi që e kishim marrë ne Vlanë. Udhës gjetem predha, canta, municione që dikushiI gjuante, e ne i merrshim.

Erdhëm deri tek një pozicion ku shiheshin disa drita. Duhet të shkojmë të shohim….

Po fle pak, pastaj të tregoj përsëri….

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/ditari-i-virusit-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala