Analizë- Kanuni po triumfon ndaj ligjit

Autori:Avdyl Pajaziti

Vrasja e tre personave në Prizren është tregues i fitores së kanunit ndaj ligjit. Kosovarët ende duan që drejtësinë ta vendosin vet, e për këtë po u ndihmon së tepërmi sistemi i drejtësisë.

Ishin tre persona, vrasja e të cilëve do të duhej ta trondiste tërë shoqërinë kosovare. Por, ndodhi e kundërta, edhe ata që u kalonin përskaj kufomave duartrokisnin. A jemi ne shoqëri kaq sadiste sa një vrasës të trefishtë ta mbështesim dhe të duartrokasim para trupave të pajetë?

Natyrisht që jo, ne e adhurojmë kanunin në mungesë të ligjit. Ata tre të vrarët do të duhej të ishin në burg, të siguruar mirë, ku askush nuk do të mund të shkrepte plumba mbi ta. Dy nga ta e kishin therur dorasin me thikë.

Kjo mjafton të kategorizohet si plagosje apo vrasje në tentativë. Dënohet disa vjet burg. Por, Prokuroria e Prizrenit mendon se përdorimi i thikës mund të shkaktojë dëmtime të rënda trupore. Nuk ceket se thika mund edhe të vrasë. Përdorimi i sajë ka vrarë miliona njerëz deri sot.

Ata, më pak se dy vjet pasi e kryen veprën penale endeshin të lirë. Nuk u mbajt asnjë seancë. Prokuroria e shtetit apo hetuesia nuk u alarmuan edhepse me këtë punë ishin marrë edhe mediat. Gjykata Themelore e Prizrenit nuk bëri asgjë. As ministri i drejtësisë nuk lëvizi vendi.

Në anën tjetër dorasi pretendon se pas atij rasti, ata po ia nxinin jetën. Pohohet se ia kishin rrahur edhe djalin. Organet e drejtësisë sërish heshtën. Ndërkohë, kur partitë në pushtet po e kundërshtonin zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të shtetit, ndodhi vrasja.

E PDK&LDK nuk po shtyheshin për parime të drejtësisë, por nga frika se nuk do të mund ta kontrollojnë kryeprokurorin. Ata, tremben se nëse ndodhë ndonjë kanosje a vrasje apo çfarëdo qoftë,nuk do të mund ta urdhërojnë prokurorin që krimineli të lirohet. E janë mësuar ta bëjnë këtë.

A nuk e tregon rasti i vetë kryetarit të komunës ku ndodhi vrasja se ata kanë më hesap ta kontrollojnë drejtësinë se sa ta çojnë atë në vend. Është dënuar Ramadan Muja që 1 vit, e vazhdon jo vetëm të jetë i lirë, por edhe të jetë kryetar i mbi 200 mijë njerëzve.

Edhe kryetarët tjerë janë të dënuar dhe të lirë. Askush nuk i prekë. Në këto rrethana, ata që kanë telashe me kriminelët trimërohen. Në vend të shpresës në drejtësi, i rrokin armët që ta kryejnë drejtësinë vet.

Me këto veprime nuk ndërtohet shteti, por anarkia. Si në kohën reale të kanunit. Situata mund të kthehet për të mirë nëse Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi, reagon. Krijon një task forcë që e hulumton komplet rastin dhe dërgon në burg si bashkëfajtor për vrasjen ose hetuesin, ose prokurorin e rastit, ose gjykatësin, ose të gjithë.

Kjo mund të jetë pika e kthesës, të fillojë të respektohet ligji përnjëmend, apo të fillojë të forcohet kanuni. Krejt kjo varet nga Hajredin Kuqi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/analize-kanuni-po-triumfon-ndaj-ligjit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala